Share

Afër dhe larg kryeqytetit! – Entila Cuka

Afër dhe larg kryeqytetit! 

Dëgjoja shpesh gjyshen të më thoshte se dita në fshat nis që me lindjen e diellit. Tani që ajo nuk është më unë i kujtoj shpesh fjalët e saj. Kështu shkova rreth orës 8 pranë kryqëzimit të “21 dhjetorit” së bashku me shoqen time. Aty autobuzët privatë që të çojnë në Ndroq qëndronin buzë trotuarit.

Në autobus

Në autobuzin ku ne hipëm pothuajse ishin zënë të gjithë vendet, por për fat të mirë unë dhe shoqja ime (që akoma më ankohej që e kisha zgjuar herët), zumë vend në dy sediljet pranë derës së fundit. Pasi kaluam zonën e Kombinatit udhëtarët filluan të rralloheshin dhe askush nuk qëndronte në këmbë. Madje dhe fatorino (një djalë i ri në moshë) kishte zënë vend pranë shoferit dhe shikonte faqen e fundit të gazetës “Panorama Sport”. Papritur autobuzi ndali dhe fatorino zbriti. Ai kaloi në anën tjetër të rrugës dhe aty ku shkruhej “Hani i Babës” i dorëzoi një zotërie dy gazeta sporti. Nuk kaluan as dy minuta nga koha kur fatorino erdhi përsëri dhe autobuzi u nis sërish. Një djalë rreth 8 vjeç doli nga një farmaci bujqësore buzë rrugës dhe u fut në autobuz me një qese të madhe në duar. Ai i ktheu kurrizin xhamave dhe sytë ja nguli një flete përballë tij. Aty shkruhej “MUZIK LIVE” dhe ishin shënuar emrat e disa këngëtarëve të panjohur për mua. Udhëtimi për në Ndroq zgjati 45 minuta. Fatorinoja më tregoi shkollën e mesme dhe sapo zbrita nga autobuzi e gjeta veten përballë saj.Â

Vajzat në Ndroq

“Në shkollën “Sadi Nuri” ka 305 nxënës të cilët vijnë nga fshatra të ndryshëm përfshirë dhe fshatrate Durrësit”, -më tregoi drejtori i shkollës Abdullah Hoxha.
Nuk munda të takoj 305 nxënësit e shkollës në Ndroq, por arrita të bisedoj me një pjesë të madhe të tyre. Vajzat në Ndroq ndryshojnë shumë nga vajzat e kryeqytetit. Ato janë pa make-up dhe të veshura thjesht dhe shqetësohen nga djemtë jashtëshkollorë që shkojnë çdo ditë aty. Shumica prej tyre nuk janë përdoruese të Facebook-ut (nga të gjitha vajzat e pyetura, vetëm një nxënëse e vitit të dytë e pranoi që kishte llogari). Janë ndjekëse të rregullta të televizionit dhe këtij të fundit i kushtojnë pothuajse gjithë pasditen e tyre. Elton Lame, një nxënës i vitit të parë, më thotë se shumica e vajzave aty vijnë në shkollë për të shtyrë kohën pasi të pakta janë ato që vazhdojnë shkollën e lartë. Asnjëra prej vajzave te pyetura (as vajzat maturante) nuk pranojnë se kanë pasur lidhje me ndonjë djalë. Ato pranojnë se do të fejohen me atë që familja do. Kur i pyes vajzat maturante se përse nuk përdorin make-up si bashkëmoshataret e tyre në Tiranë, ato më thonë se në fshat ka shumë paragjykime dhe nëse lyhesh të etiketojnë si jo të ndershme.

Jeta në Ndroq

Edhe pse rruga kryesore kalon ngjitur me shkollën, duket sikur asgjë nuk ka udhëtuar nga kryeqyteti drejt këtij fshati. Qendra e Ndroqit është shumë e zbrazët dhe e qetë. Mundësitë e të rinjve në këtë fshat janë të pakta. Erind Dedja, nxënës i vitit të dytë, thotë se në Ndroq nuk ka asnjë qendër interneti përveç sallës së kompjuterave në shkollë që lë për të dëshiruar. Përballë shkollës, nga ana tjetër e rrugës ndodhet një pikë e basteve sportive. Jashtë saj katër djem lozin letra. Dy prej tyre janë maturantë ndërsa një tjetër student. “Përveç se të lozësh letra nuk ke çfarë të bësh tjetër këtu”- thotë një nga djemtë e shkollës. Vajzat pohojnë se kurrë nuk kanë qenë në pub me shokët dhe nuk dalin për kafe. Ndërsa djemtë thonë që shkojnë shpesh të lozin në minifutboll, por ato ndodhen shumë larg, rreth 40 minuta larg nga Ndroqi. Shumë prej tyre kanë dëshirë të mësojnë gjuhë të huaja. Disa prej nxënësve më tregojnë se ndjekin vazhdimisht kurse të anglishtes. Por për fat të keq këto kurse i ndjekin në Tiranë, sepse në Ndroq mungojnë. Paraditen e kalojnë në shkollë, ndërsa pasdite djemtë shohin ndeshjet sportive dhe venë lloto, ndërsa vajzat ndjekin serialin e radhës të telenovelës. Vras mendjen se çfarë do të bëjnë tani që shkolla mbyllet këta të rinj. Gjithashtu, vras mendjen nëse ndonjë deputet, apo vetë kryetari i komunës, duke udhëtuar në verë për në Durrës, do të ndalojë buzë rrugës, pikërisht aty ku ndalova unë dhe t’jua ngjyrosë sado pak jetët këtyre të rinjëve.

10 Comments on this Post

  1. Edison

    Që të jemi realistë, jeta në fshat nuk është edhe aq e shumëngjyrshme sa në kryeqytet, por kjo nuk do të thotë asgjë. Jeta ëhtë e bukur dhe e bukura është relative, k’shu që nuk mund thjesht të shkosh në Ndroq e të thuash që fshati ta shpif! Pa mendo pak për romët; Atë lloj jetese nuk e koncepton dot, por ata kanë shitur apo braktisur apartamentet e vëna në dispozicion nga shteti për të jetua ke bregu i lumit. Dua të them me këtë që, kërkoj ndjesë për termin, gjykimet egocentrike (duke marrë si etalon kën dvështrimin personal) nuk janë kurrë të sakta. Për shembull, në shoqërinë shqiptare nuk e ërtypim dot një martesë me diferencë shumë të madhe në moshë, apo një martesë poligamike, por në Afganistan këto janë gjëra normale.
    Dua të them që, po nuk jetove ndonjë ditë në fshat, nuk do të mund të flasësh dot kurrë me korrektesë për monotoninë dhe parëndësinë e jetës atje.

  2. Po per te bere nje reportazh per te burgosurit apo te semuret psiqik duhet te kemi qene me pare te burgosur apo te semure?? Edison, mendoj se komenti juaj nuk ka shume lidhje me shkrimin. Te sugjeroj ta rilexosh, mu me pelqen shume ky reportazh. Bravo

    • Edison

      Për një reportazh mbi të burgosurit mund të pyesësh ata si është burgu, jo të thuash “qenka i tmerrshëm” pa ngrënë një vakt atje e pa marrë një sy gjumë mbi ata shtretër. Vetëm të kalosh në fshat nuk do të thotë që ia gjete rrënjët dramës së Mamurrasit, duhet të bëhesh dr.Gjëlpëra për këtë. E përsëris, kënvështrimi është egocentrik, duke marrë për bazë ndjesitë vetjake e jo përgjigjjet e atyre që jetojnë atje. Nuk komentoj anën profesionale, por subjektivizmin e shkrimit, se nuk jam as i fushës.

  3. Une jam shume dakord me Edisonin :), po lexoja fundin ku shkruhet : ‘Vras mendjen se çfarë do të bëjnë tani që shkolla mbyllet këta të rinj. Gjithashtu, vras mendjen nëse ndonjë deputet, apo vetë kryetari i komunës, duke udhëtuar në verë për në Durrës, do të ndalojë buzë rrugës, pikërisht aty ku ndalova unë dhe t’jua ngjyrosë sado pak jetët këtyre të rinjëve.” E dashur Entila ju cfare do te beni kur te mbaroje shkolla? te jesh ne fshat sdo te thote te jesh vetem ne shkolle e pastaj asgje….nga i gjithe ky shkrim nuk pashe nje pergjigje te nje djali apo vajze qe paska pyetur autorja dhe paskan kthyer pergjigje, ndoshta ska pyetur asnje…nuk ka mundesi qe eshte vetem njeri qe paska llogari ne fb, neper fshatra kemi shetitur te gjithe dhe e dime me se merren e cfare bejne, githsesi ky eshte nje pershkrim pjelle e imagjinates, nese do ishte e kunderta : pyetem nje djale dhe ai u pergjigj dy pika hap thonjezat dhe flet djali : “……….” po kto sjane fare dhe se kuptoj se si mund te terheqesh te tjeret me kete nje faqe gjysmake qe ste thote asgje po sinqerisht asgje……

  4. Entila cuka

    I dashur Fredi dhe i dashur Edison! Faleminderit qe keni lene mendimin tuaj. Elsa faleminderit per komentin. Edison une kam jetuar vete ne fshat ndaj disa ato qe thoni me duken te pavend. Gjithsesi faleminderit. Fredi une studioj per gazetari dhe kam mesuar qe imagjinata eshte vrasese ne kete profesion. I respektoj gjithmone mesimet e petagogeve te mi per menyren sesi shkruhet nje reportazh. Ndaj nuk po ju jap pergjigjie tjeter. Ndoshta ju i kerkoni problemet te gjerat e medha, ndersa mua me pelqen te merrem me problemet e perditshme dhe te thjeshta ne dukje. Me duket jo normale qe ne nje fshat kaq afer Tiranes te rinjte te jetojne sikur jane shume larg saj. Kam qene disa here ne Ndroq dhe me pelqejne shume gjera atje, por kesaj radhe vendosa qe ne kete reportazh ta shoh nga ky kendveshtrim. Faleminderit.

    • Edison

      Çfarë është e pavend aty, Entila, analogjia? U përpoqa vetëm të vë në dukje subjektivizmin e këndvështrimit tënd. Për të qenë objektive duhet ta kishe parë nga këndvështrimi i tyre, jo yti (kërkoj ndjesë që drejtohem në njëjës, por më duket më korrekte kështu).

  5. Entila cuka

    Edison, nwse e dini reportazhi, ndryshe nga shkrimet e tjera e lejon subjektivizmin.Gjithsesi une e vleresoj shume nderhyrjen dhe keshillen (kritiken ndoshta) tuaj. faleminderit 🙂

  6. peTagoget Entila??????!!!!!! “LOZIN letra”??
    dhe ti studion gazetari?

    Edison dhe Fredi, vertet ua vrasin veshin me shume subjektivizmi i shkrimit sesa ky fjalor?

  7. Entila cuka

    Alda keni te drejte, pedagoget; “luajne letra”; dhe une sapo perfundova vitin e pare te studimeve per gazetari. Faleminderit per interesin deri ne detaje. Nuk e di a eshte i duhur termi “fjalor” per tekstin e shkruar… flm 🙂

  8. Entila, nuk ishte interesim deri ne detaje, thjesht ma vrane shume veshin keto gafa, jo detaje !
    termi “fjalor” nenkupton gjuhen e perdorur dhe eshte termi me se i duhur per kete rast.
    kam hapur kete website per te pare punimin audio te nje shoqes sime dhe thashe ti hidhja dhe nji sy dhe puneve te te tjereve….te paranueshme keto gabime per dike i cili pretendon t ebehet gazetar.
    dhe rishikoje paksa sintaksen e fjalise se parafundit. tung !

Comments are closed.