Share

Ardhja e flamingove në Karavasta, pelikani kacurrel drejt zhdukjes nga Kristina Millona

Shpesh dëgjohet të thuhet se ekziston rreziku i zhdukjes së pelikanit kacurrel  pasi  rënia e vazhdueshme e popullatës së tyre ndër vite ka qenë drastike. Pelikani kacurrel, ky shpend i rrallë i cili gati-gati quhet një autokton i lagunës , nuk shtegton dhe rritet vetëm në zonën e lagunës. Vetëm disa dhjetëra pelikanë dalmacianë mbeten në lagunën e Karavastasë nga qindra të tillë që qenë në vitet 1980.

Për ironi të fatit parku kombëtar Divjakë-Karavasta (pjesë e të cilit është laguna e Karavastasë) është një  nga parqet më të mirë menaxhuar vitet e fundit, sidomos nga ana e pyllit.  Ai është shpallur park kombëtar në vitin 2007 nga Këshilli I Ministrave. Kjo zonë është pjesë e Konventës së Ramsar-it që prej vitit 1995 dhe mban numrin 781 në regjistrin Ramsar( marrëveshje ndërshtetërore që trajton ruajtjen e ligatinave me rëndësi ndërkombëtare, posaçërisht si habitate të shpendëve të ujit – 29.11.1995).

Edhe pse parku është një ndër më të mirëmenaxhuarit, pelikani kacurrel është lënë në mëshirë të fatit. Laguna e Karavastasë shënon të vetmen pikë folenizimi bregdetar të Pelikanit kaçurrel (Pelecanus crispus), lloj i rrezikuar në rang botëror. Shkaqet mund të jenë nga më të ndryshmet: peshkimi intensiv   ( peshku- ushqimi kryesor i pelikanit kacurrel), hedhja e mbeturinave inerte në lagunë etj.

Gjatë hulumtimit të disa projekteve nga inxhinierë mjedisorë, dolën disa të vërteta mbi arsyet e zhdukjes së pelikanit. Laguna e Karavastasë komunikon me detin nëpërmjet tre kanaleve. Aktualisht kanali i parë ka lidhje me detin nëpërmjet godullës së Dajlanit, gjithashtu kanali i dytë, i cili ndodhet në afërsi të qendrës së peshkimit, komunikon me detin po nëpërmjet godullës së Dajlanit, dhe kanali i tretë, i cili ndodhet në afërsi të digës që ndan godullën me tokat bujqësore të Bedatit, komunikon me detin nëpërmjet po kësaj godulle .

Pas viteve 90 kanali verior ka dalë jashtë funksioni dhe vitet e fundit po vihet re një largim i detit, gjë që pakëson ujin që futet në lagunë.Pakësimi i ujit  detyrimisht sjell pakësimin e peshkut që futet në të dhe njëkohësisht sjell edhe deoksigjenimin e ujit në lagunë. Automatikisht pakësimi i peshkut do të sillte një kërcënim për speciet e rralla si pelikani kacurrel (i cili është ushqim kryesor ka peshkun). Dy vitet e fundit është hasur edhe ardhja e flamingove në lagunë.

Për ekspertët e biodiversitetit kjo gjë është shumë e mirë, por duke u thelluar pak më tepër se përse ky fenomen ka ndodhur këto 2 vitet e fundit kupton që aciditeti i lagunës po rritet dhe për pasojë janë shfaqur algat (që është habitati kryesor i flamingove) .
Pra shihet një mungesë oksigjeni në ujin e lagunës, e cila mund të sjellë një fund tragjik për pelikanin.

Kristina Millona
MAP 2015