Share

Arsimi profesional – Romildo Kokthi

Shkollat e mesme profesionale në Shqipëri, janë njëra prej mundësive, përmes së cilave mijëra nxënës që mbarojnë shkollën tetë vjeçare mund të aplikojnë në përvetësimin e një zanati apo profesioni të preferuar. Por cilat janë mundësitë që sistemi ynë arsimor ju ofron të rinjve dhe të rejave që

për arsye të ndryshme, preferojnë të këmbejnë shkollat e mesme jo profesionale, me ato profesionale? Paçka se së fundmi kjo alternativë shkollimi ka qenë në fokus të mediave, si dhe shumë e përfolur ndër nismat e qeverisë së re, sërish, problemet që has ky system janë të shumta.

Sinojmeri: Nevojitet një ekuilibër normal i mjedisit

Arbër Sinojmeri, drejtor në drejtorinë rajonale numër katër në Tiranë, shprehet se fondet e përcaktuara për arsimin profesional janë të pamjaftueshme, nëpërmjet të cilave është e pamundur të ushtrohet praktika mësimore. “Pavarësisht investimeve, është e qartë që fondet e destinuara për arsimin profesional nuk janë të mjaftueshme, në një sektor ku 80% e programeve përbëhen nga praktika, ka rëndësi jetësore pajisja e laboratorëve me materiale bashkëkohore”, vijon të shprehet Sinojmeri. Kjo drejtori aktualisht ka në mbikqyrjen e saj 1400 studentë, të ndarë në grupe të përbëra nga 15 persona, dhe ofron kurse gjashtë mujore për arsimin profesional të të rinjve në degë të ndryshme siç janë: Mekanik, Informatik, Elektronik, Parukeri, Hidraulik etj.

Në një vend fqinj europian siç është Italia, çdo studenti që zgjedh arsimin professional, i akordohet një shumë prej 460 euro në vit. Në vendin tonë çdo drejtori në një periudhë gjashtë mujore ka në dispozicion vetëm 2000 euro për t’iu përgjigjur kërkesave të rreth 1400 studentëve.Ky tregues I mëshon më shumë faktit se në 23 vite tranzicion, qeveritë shqiptare në pamundësinë ekonomike për të përballuar kostot e arsimit profesional , nuk kanë vepruar për të ndërgjegjësuar në mënyrë të duhur shoqërinë mbi rëndësinë e të pasurit një zanat. Një tjetër arsye e mungesës së fondeve si dhe e ‘promovimit’ të mundësive që ofron arsimi professional është edhe neglizhenca bashkëpunuese midis drejtorisë dhe biznesit ku studentët mund të kryejnë praktikën. Raportet e këtij lloji, janë mundësia më e mirë e punësimit të të rinjve të sapo diplomuar.

Rama: Fund iluzionit të të qenit ekonomistë, juristë, inxhinierë

Gjatë një takimi me studentë të ekselencës i zhvilluar në datë 19 shkurt të ketij viti, kryeministri Rama theksoi domosdoshmërinë e fuqizimit të arsimit professional. “Doja të ndalem në një aspekt që e konsideroj shumë të rëndësishëm në këtë reformë, dhënien fund të iluzionit se në këtë vend të gjithë do të bëhen ekonomistë, juristë dhe inxhinierë, se të gjithë do të marrin një diplomë universiteti. Modeli që do të fusim në këtë reformë është matura +2, që ka të bëjë me arsimimin profesional. Pra një pjesë, ata më të zotët, që kanë punuar më shumë dhe ata që kanë më shumë ambicie do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre akademik, pjesa tjetër do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për të marrë një zanat”, shpjegoi Rama, në një kohë kur në vend ka një mbipopullim të fakulteteve të lartëpërmendura, dhe jo vetëm.

Vihet re një ndryshim i shoqërisë shqiptare për sa i përket perceptimit të arsimit profesional ,si pasojë e ngopjes së tregut nga figura profesionale si ekonomist, inxhinier, doktor etj. Shumë të rinj zgjedhin arsimin profesional si një mundësi për tu punësuar.

Pavarësisht ‘edukimit’ të ri që po u jepet sot të rinjve, ende 60% deri në 70% e studentëve që dalin çdo vit nga shkolla e mesme vazhdojnë universitetin, qoftë publik apo atij privat. Nga pjesa e mbetur vetëm 12%- 14%,zgjedhin arsimin profesional, kundrejt një mesatareje prej 60% të vendeve të tjera.