Share

Censura e komenteve online nga Sindorela Salaj

Censura në komentet online

Shoqëria njerëzore është zhvilluar në bazë të epokave të ndryshme. Dikur njerëzit jetonin në Epokën e Gurit, më pas u bë kalimi në epoka të tjera, por sot në cilën epokë jetojmë ne? Është një pyetje që e ka marrë përgjigjen në formën e saj të prerë: Në epokën e Internetit. Në epokën e rrjeteve sociale dhe medias online. Një media, ku shoqëria njerëzore është edhe dhënëse edhe marrëse. Në ngjarjet e fundit ka marrë një vëmendje të një rëndësie të vecantë debati mbi komentet online të publikuara në portalet e mediave. Duket sikur është duke ndodhur një lloj përplasje mendimesh ku disa shprehen pro projektligjit të propozuar nga deputetja Majlinda Bregu, ndërsa pjesa tjetër është kundër këtij projektligji. Por cfarë po ndodh vërtet? A po vendoset realisht një lloj censure mbi median online, apo është një nismë për të mbrojtur nderin, personalitetin dhe reputacionin e një individi? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje që ka vënë në lëvizje gjithë opinionin publik, mendoj se duhet ta analizojmë ngjarjen në bazë të disa boshteve kryesore: A janë shqetësuese komentet e publikuara online në faqet mediatike?  Është apo nuk është e zbatueshme kjo masë ? A shërben ky projektligj për dicka apo është thjesht “shumë zhurmë për asgjë”?

Le t’i marrim me radhë të gjitha boshtet e përmendura më lart. Nëse vërejmë portalet mediatike dhe komentet e publikuara aty, është e vërtetë që ekziston një dozë agresiviteti, apo një tendencë për të shpifur apo ofenduar dikë. Por lind pyetja: kush e përcakton nëse jemi duke shkruar në një portal privat apo publik. Kush dënon kë? Nga cënimi i së drejtës për tu mbrojtur nga shpifjet kalojmë te cënimi i jetës private. Spontanisht cdo njëri prej jush mund të shprehet se ekziston një vijë ndarëse midis mendimit dhe cenimit të reputacionit apo nderit. Sigurisht që shoqëria njerëzore është e aftë të ndajë Hate Speech-in (gjuha e urrejtjes) nga gjuha, e cila në vetvete përmban ofeza. Realisht është e përcaktuar në Kushtetutë ndalimi i komenteve që përmbajnë gjuhën e urrejtjes. Ndërsa për gjuhën ,për të cilën po bëhët gjithë ky debat ,po citoj një pjesë të shkëputur nga shkrimi i Prof. Artan Fugës :” Komunikimi në masë i njerëzve të thjeshtë është kështu, gjithnjë midis të vërtetave, folklorit, informacioneve të paverifikuara, një gjuhe paksa të fortë, dhe transmetimit nga goja në veshin e tjetrit edhe të thashethemeve të paverifikuara që mund të quhen shpifje, sharje, ofendim, a quheni si të doni. Ky është folklori, kjo është thashethemnaja popullore, kjo është kultura e “nëntokës”, ky është humusi ku lindin pastaj idetë e mëdha.”

Është apo nuk është e zbatueshme kjo masë? Në këtë pikë unë mendoj se është krejt e pazbatueshmë. Pse? Së pari, njerëzit që ofendojnë, shpifin apo fyejnë zakonisht fshihen nën petkun e anonimatit, që do të thotë se janë totalisht të paprekshëm. Atëherë ju do të thoni se dënimi bie mbi administratorin? Cdo gjë është subjektive-atë që administratori e quan koment normal, personit të cilit i adresohet komenti mund ta konsiderojë koment fyes. Më tepër se mbrojtje nga shpifjet duket si krijimi i mbetur në tentativë i mburojës së shtresës “elitare”.

A shërben ky ligj për dicka apo është thjesht “shumë zhurmë për asgjë’’ Ky projektligj nuk shërben për asgjë. Nëse ti i mbyll komentet online (sepse cdo administrator apo media këtë do bëntë për tu mbrojtur) asgjë ndryshon. Ai individ,i cili të cenoi reputacionin, nderin dhe personalitetin do vazhdojë ta bëjë, në mos online do e bëjë në rrugë, në kafene, në shtëpi etj. Do e bëjë, sepse thellë-thellë ato janë shfryrje e një populli të pakënaqur në shumë drejtime. Si përfundim, nëse mbyllen komentet online a do të kemi ne një shoqëri më të mirë? A do të kemi një shoqëri pa korrupsion, pa papunësi, pa dhunë, pa krim, etj? Kurrsesi JO! Profesor Fuga në shkrimin e tij e mbyll kështu: “Lodhet individi duke sharë në Internet dhe ka mundësi të qetësohet në jetën e vet reale të përditshme. Agresiviteti oral shpesh është një instrument i qetësimit real të energjive njerëzore. Éshtë paradoksale, por nuk është ndryshe. Dhe së fundi, nëse nuk iu pëlqejnë ato që thuhen për ju në Internet, bëni si ai parlamentari evropian kur “serial killer-at virtuale” e ofendonin. ai thjesht iu ndaloi atyre adresave hyrjen në hapësirën e tij të komunikimit. Është e thjeshtë…”, ndërsa unë po e mbyll me një thënie të me pak humor dhe jo vetëm të Blendi Salaj:” Jam për lirinë totale të komenteve, edhe kur njerëzit shkruajnë gomarllëqe, pasi na ndihmon të zbulojmë idiotët.

Sindorela Salaj- pjesemarrese ne MAP 2015

Leave a Comment