Share

Dashuria për dijen – Edison Xhakoni

Dashuria për dijen!

Dashuria për dijen është gjë e madhe. Është nxitje për t’u bërë anëtar i bibliotekës së shkollës, për t’i studjuar lëndët me entuziazmin se po mëson gjëra të reja e jo me mendjen tek nota, për t’u rregjistruar në universitet dhe për të vazhduar kërkimin e dijeve të reja gjatë gjithë jetës. Por edhe dashuria për punën është një shtysë e madhe drejt dijes, duke tentuar kah përmirësimi i vazhdueshëm i aftësive për të kryer detyrat. Dashuria për dijen dhe për punën është motori që e çon përpara drejt suksesit njeriun dhe njerëzit e aftë e të suksesshëm janë ata që e çojnë vendin përpara. Universitetet janë vendet ku individët që pretendojnë suksesin mblidhen për të kërkuar e mbledhur mjetet që i shërbejnë qëllimit të tyre. Të rinjtë e të rejat, para se të zgjedhin të studiojnë një degë të caktuar duhet të gjejnë në vetvete atë tharmin, bërthamën e nevojshme të njohurive, por edhe ndjenjave që e bëjnë atë degë në atë fakultet të jetë e preferuara e tyre e parë. Duhet zgjedhur një drejtim në të cilin e sheh vehten të suksesshëm, ose të paktën të kënaqur. Dhe kjo është ndër ato gjëra që Euklidi i cilësonte si “të vetëkuptueshme”, pra që është e tepërt të argumentohen.
Por në universitet, gjithkujt mund t’i ketë rastisur të takojë studentë, të cilët me degën që studiojnë s’i lidh asgjë. Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, për shembull, është bërë problem rregjistrimi i studentëve në gjuhë të cilave s’u njohin as alfabetin. Po përmend këtë shembull sepse aty problemi është më i dukshëm se në fakultetet e tjera, por ai është shumë më i madh. Kështu, kemi studentë matematike të cilët luteshin që “të mos u binte” ndonjë degë me matematikë, por as që e dinin se në formularin e tyre të aplikimit ishte shënuar në listë edhe ajo; Kemi studentë letërsie që nuk kanë as durimin të ndjekin deri në fund një konferencë të profesorëve të tyre për Migjenin; Kemi studentë biologjie që as e çajnë kokën ku është e ç’po ndodh me Muzeun e Shkencave të Natyrës; Kemi edhe paturpësinë të predikojmë se ajo që ka rëndësi është diploma, jo rruga për ta marrë!
Problemi me një student që e zgjedh fakultetin rastësisht, si të ishte ajo loja me rrotën e fatit, është se nëse nesër do ta gjejë një mënyrë, prej të shumtave që ekzistojnë në Shqipëri, për ta marrë atë copë karton, që do të duhej të vlerësonte dhe çertifikonte dijen e mbledhur pas aq vitesh studim në atë fushë, nuk do të jetë në gjendje t’i sigurojë vehtes një vend të denjë në shoqëri. Nëse do të kërkojë të punësohet në sektorin privat, përveç kartonit do t’i duhet edhe t’i demonstrojë aftësitë e veta, gjë që nuk do të jetë i aftë ta bëjë. Nëse do të punësohet në administratën shtetërore, falë ndonjë miku në parti, prapësëprapi kolegët do ta dinë gjithmonë se pse është aty ku është. Pra në çdo rast, nëse ka një ndërgjegje, do të jetë ai që nuk e gjen dot një punë vetë, që nuk është i aftë që bëjë asgjë, përveç servilosjes, do të jetë i përbuzur nga shoqëria e i përdhunuar në dinjitet nga shefat e radhës. Një individ i tillë është i padobishëm dhe i pavlerë, por në kontekstin e Shqipërisë së sotme, ku një vend pune është si një mrekulli, një individ i tillë mund të bëhet shembull. Dhe për fat të keq njerëzit e varfër e të pashpresë nuk do të ngurrojnë ta ndjekin, sepse mes daljes prej varfërisë dhe dinjitetit, është më e thjeshtë që zgjedhje të jetë e para.

Dashuria për dijen është mbytur nga nevoja për një punë dhe kështu, të rinjtë nuk studiojnë më në degët që do të dëshironin, ku do të mund të shkëlqenin, por nëpër degë që kërkohen nga tregu i punës, duke u përpjekur të tejkalojnë ose anashkalojnë limitet e veta, për t’u bërë në fund një vartës i papëlqyer i dikujt tjetër. Dhe është kështu që kemi studentë pa pikën e dashurisë ndaj shkollës së tyre, e punëtorë pa pikën e dashurisë ndaj punës që bëjnë. Dhe është kështu që kemi një shoqëri të stresuar dhe të pakënaqur ndaj pothuaj gjithçkaje që e përbën.

4 Comments on this Post

  1. Me falni, jam student i gazetarise ne Prishtine. Mund te postoj edhe une nje shkrim te kjo faqe?

    Reply
  2. Me falni, jam student i gazetarise ne Prishtine. Mund te postoj edhe une nje shkrim te kjo faqe?

    Reply

Leave a Comment