Share

Ditë-netët tona prej dy vitesh në rrugë – Entila Cuka

Pranë kazanëve të plehrave dhe shumë pranë ndërtesave private në Sanatorium kanë ndërtuar strehën e tyre me mjete rrethanore. Qëndrojnë brenda një strehe të improvizuar me plastmasë, shkopinj dhe letra. Ngjason streha e tyre si imitim i trupave gjeometrike, më shumë me një prizëm. Në njërën anë “prizmi-shtëpi” është vendosur në betonin dhe hekurat që rrethojnë spitalin, në anën tjetër ndodhet dera prej leckash që është e hapur pak në krye. Prej hapësirës dallojmë fytyrat e dy endacakëve. Ndryshe nga streha e tyre që përpiqet të imitojë një figurë gjeometrike të rregullt, jeta e tyre që në lindje ka qenë e çrregullt. Na tregojnë se të dy janë rritur në Shtëpinë e Fëmijës në Berat. Pas njohjes dhe kur dolën nga jetimorja, ata u martuan së bashku. “Pasi u martuam morëm një dhomë për të jetuar siç merrnin të gjithë njerëzit në nevojë. Dhoma ndodhej në afërsi të kalasë në Berat”, – tregon Lulëzimja.“Ne me punë ndërtuam dhe një dhomë tjetër dhe aty vazhduam jetën dhe lindëm dy fëmijë.” Pas viteve ‘90 ata tregojnë që morën nga shteti edhe tapinë e tokës përreth shtëpisë. “Kemi punuar tokën dhe kujdesur për pemët për shumë vite, derisa para dy vitesh na nxorën nga shtëpia, pa mundur të marrim asgjë me vete”. Bashkëshortët tregojnë se kërkuan ndihmë në Bashkinë e Beratit po nuk gjetën zgjidhje. Nga qyteti i “një mbi një dritareve”, na konfirmojnë se dy bashkëshortët kanë qëndruar pranë bashkisë në rrugë dhe më vonë janë larguar. Nga momenti i largimit nuk dihet se çfarë ka ndodhur me fatin e tyre. “Më pas u drejtuam në Gjirokastër, por edhe aty dolëm pa shpresë”, -vazhdojnë historinë e tyre.

Çifti jetimë tregojnë se më vonë kanë jetuar në Fier dhe Kavajë, duke kërkuar ushqim nëpër kazanët e plehrave. “Më 26 dhjetor kemi ardhur në Tiranë për të kërkuar përkrahje, por veç kemi jetuar si endacakë, pa pasur një zgjidhje”, – tregon kryefamiljari. Vajza është fëmija më i madh, është martuar një vit para se të largoheshin nga shtëpia. Ndërsa djali më i vogël, ka shkuar të jetojë tek e motra. Kur e pyesim se përse nuk jetojnë me vajzën e tyre, ata na tregojnë se bashkëshorti i saj nuk ka gjendje të mirë ekonomike. Lulëzimja ka dy vite pa e parë të bijën dhe nuk di nëse është bërë gjyshe apo jo. “Fëmijët dinë vetëm që ne jemi në rrugë, po nuk dinë se ku jemi. Unë nuk mbaj mend numrin e saj të telefonit. Kur ishim në shtëpinë tonë flisnim shpesh me vajzën në telefon” – tregon Lulëzimja. Në strehën e tyre të ndërtuar me plastmasë jeton edhe një mace. Tregojnë që e kanë marr kotele që të vogël dhe ajo nuk iu është ndarë nga pas. Në strehë përveç kafshës së hirtë, kanë edhe një dyshek që i ndan nga toka dhe pak rroba. Mbi kokë kanë veç plastmasë, që herë i mbron nga shiu dhe herë i plas nga vapa.

Rrugëtimi në Tiranë

Bashkëshortët endacakë janë vendosur në Tiranë më 16 dhjetor. Fillimisht pranë muzeut dhe më vonë pranë barakave të romëve në liqenin artificial. “Aty na ngacmonin vazhdimisht dhe ishim shumë të frikësuar. Gjithashtu, kërkonin dhe qera për tokën ku kishim ngritur plasmanin, ndaj u detyruam të largoheshim”. Çifti endacak përshkroi rrugën nga liqeni artificial në kodrat e liqenit, duke qëndruar aty për disa ditë. Më vonë, të detyruar për shkak të motit të keq, shkuan nga kodrat e liqenit artificial në drejtim të spitalit. “Në spital kërkuam të rrinin në një dhomë, për të jetuar në pastërti, sepse kishim frikë nga infeksionet, por nuk na pranuan.” Në Sanatorium pak njerëz i kanë vënë re. Streha e tyre është e vogël dhe ata qëndrojnë më shumë brenda saj. Ka të tjerë që i kanë parë dhe u kanë dhëne ndihmë. Banorët na tregojnë se Agimi dhe e shoqja janë njerëz të qetë dhe rrallë dalin jashtë. Agimi tregon se, shpesh njerëz të ndryshëm i kanë ndihmuar me ushqimet bazë. Infermieret i kanë dërguar çiftit endacak ushqimet e spitaleve. Kanë pasur ditë dhe që kanë mbetur pa u ushqyer. Kur i pyesim se përse janë vendosur pranë kazanëve, sepse aty era është e rëndë dhe mbetjet kullojnë papastërti, ata na thonë se aty kërkojnë për t’u ushqyer.

Jeta

Lulëzimja është një grua me sy të kaltër, që i mbushen me lot kur nxënësja Alba Muça me dëshirën për t’i ndihmuar ju jep atyre një shumë parash. Ajo tregon se, ndihma e të tjerëve e prek dhe vajza i kujton fëmijët e saj. Të dy janë duhanpirës dhe ndërkohë që flasin e ndajnë cigaren së bashku. Herë thith njëri dhe herë tjetri. Kur gruaja përfundon fjalitë, burri i afron cigaren pranë gojës. “Ky është helm por nga halli e kam filluar, u bënë dy vjet që e pi”, – tregon Lulëzimja. Koha duket se ecën mbrapsht për dy jetimët. Gjendja psikologjike e dy bashkëshortëve është e rënduar. Ata na pyesin për emra politikanësh që tani nuk janë më aktiv, ose për të tjerë që kanë ndërruar jetë. Gjithashtu janë të frikësuar dhe të tronditur nga çfarë kanë kaluar.

“Ndoshta do qeshim një ditë me këto foto dhe portrete”

Gruaja shkruan në një fletore me pak fletë fragmente që kalojnë nga dita në ditë

Kur e pyesim sesi ka mundësi që ajo mban mend datën dhe ditën e javës ku ndodhemi, na përgjigjet se ajo mban shënime. Nga pak gjëra të ruajtura me kujdes janë: një palë syze të gjetura rastësisht, një kalendar të falur dhe disa fletë; ajo veçon një fletore. Në të Lulëzimja ka shënuar ditët e saj në kryeqytet. Aty emrat e dy bashkëshortëve janë të shënuara me inicialet P.XH dhe H.XH. “Ne përdorim pseudonime për njëri-tjetrin, sepse kemi frikë për fëmijët”,- thonë ata. Duket se ata nuk dinë vendndodhjen e institucioneve në Tiranë dhe janë drejtuar në godinat më të mëdha që shohin, me shpresën se aty do i ndihmojnë. Ja se çfarë shkruan zonja për një nga ditët e janarit: “E.9.1.2014. P.XH dhe H.XH, të mërkurën ne vajtëm te presidenca dhe bëmë letrën rekomande drejtuar z. Ilir Meta. Ditën tjetër vajtëm te Kuvendi i Shqipërisë për të marrë përgjigjen, por ditën e enjte na thanë se për 45 ditë merret përgjigjja.

Këtu te Kuvendi filluan të na fotografonin gjoja për macen dhe na morën me kamerë, derisa qëndruam te lulishtja, por neve nuk i pranuam se nuk na sqaruan se kush ishin këta gazetarë dhe kur qëndruam përballë me kullën na morën përsëri me kamerë dhe na shoqëruan gjithë rrugën derisa erdhëm mbrapa te lulishtja e muzeut.” Në faqet e tjera të ditarit, gruaja ka shënuar vendin se ku ndodhet, ditën e javës dhe muajin. Kur ditët ishin me shi, ajo shënon kështu në ditarin e saj: “P.25.4.2014. P.XH dhe H.XH, jemi në Tiranë po në rrugët te Spitali i Sanatoriumit, jashtë te koshi, ra shi”. Marrjen e ujit të pijshëm nga disa banorë të zonës, gjithashtu Lulëzimja e ka përmendur në ditar. Nuk mungon në ditar dhe vajtja e një gazetari. Kur ne marrim disa foto nga jeta e përditshme e tyre, ata nuk ngurojnë të tregojnë gjithçka çfarë i rrethon. Më pas Agimi kërkon të shoh fotot dhe emocionohet kur shikon portretin e tij. Ka kohë pa u qethur. E shoqja e ngushëllon duke i thënë: “Ndoshta do qeshim një ditë me këto foto dhe portrete”.