Share

Duke pritur Mesinë nga Suzana Kurtallari

Duke pritur Mesinë.
Pasi mbushëm barkun, uruam për një vit të ri sa më të mbarë, qeshëm me ndonjë program humoristik që tall e ironizon vazhdimisht shoqërinë që vetë kemi krijuar – shkurt qeshëm me veten, realiteti na u përplas fytyrës. “Vit i ri, avaz i vjetër!” – do thoshte dikush, por duket se avazi këtë vit qenka më i zi se zakonisht. Për dreq edhe dimri ka ardhur më i ashpër si për të paralajmëruar ashpërsinë e një viti që po na pret. Dimrit të ftohtë qeveria po i jep një dorë duke rritur çmimin e energjisë elektrike apo, edhe më keq, duke rrasur në burgje fatkëqijtë që edhe jashtë mezi shtynin ditën.
Ca më e rëndë paraqitet situata për studentët, ku të ftohtit, rritjes së çmimit të energjisë i shtohet këtë janar edhe pagesa e tarifës së shkollës, afërmendsh e rritur edhe ajo, madje më shumë se shoqet. Kur të vijnë të këqijat, hapu derën. Ne studentët të hapur e kishim, e qeveritë njëra pas tjetrës bëjnë ç’është e mundur që dera e papërballueshmërisë ekonomike të shqyhet edhe më. Nëse qeverisë i ka hipur ndër mend t’i rrisë tarifat me të njëjtin ritëm edhe vitet në vijim, kthimi i shkollës në privilegj nuk do të jetë vetëm gjysmëmetaforë parandaluese, por fakt shoqëror i kudohasshëm jashtë mureve të pasunarëve e pinjollëve të tyre.
Në këto kushte vetiu lind pyetja që s’kemi lënë vit pa e bërë gjatë kësaj që për mungesë imagjinate vazhdojmë ta quajmë demokraci: Po paratë tona ku shkojnë?! Nëse nuk ka hapësira të mjaftueshme universitare për të mos e bërë mësimin me turne, nëse ngrohemi me frymën e njëri-tjetrit në sallat e leksioneve, nëse nuk ka biblioteka dhe kur ka s’i hyjnë në punë kurrkujt veç bibliotekares, nëse nuk ka salla të mirëfillta, të mirëngrohura e të mirëndriçuara leximi – se interneti është luks celularësh -, nëse nuk ka laboratorë, banka e karrige të mjaftueshme, nëse nuk ka regjistra… ku dreqin shkojnë paratë tona?! Ku shkojnë këto para kur ende nëpër banja përdoren bidonë të prerë?! Si ka mundësi që paguajmë çdo vit e më shumë për të studiuar në kushte në përkeqësim e sipër?!
Kjo për kushtet e studimit. Meqenëse nuk jemi frymë, por njerëz me banalitetin e nevojave bazike mospërmbushja e të cilave e bën ëndërr studimin edhe sikur të mësipërmet të mos mungonin, kushtet e jetesës janë po aq, në mos më të rëndësishme. Kështu, situata në konvikte vazhdon të mos ndryshojë, ose më saktë të ndryshojë siç ka ndryshuar kaherë: çmimet rriten, shërbimet, për të thënë më të paktën janë në të njëjtën derexhe. Politika e kërbaçit ka filluar edhe aty. Nuk lejohet të gatuhet, nuk lejohet të futen brenda mjete ngrohëse, madje nuk lejohen edhe studentë të tjerë që s’janë banorë të konvikteve. Studentët dhe shtetrrethimi – do ta quante ndonjë regjisor hokatar! Për të tjerët, që aventurohen jashtë konvikteve në shtëpi me qira, i ftohti i janarit dhe rritja e çmimit të energjisë po i bën të riaktualizojnë batanijen, këtë shoqe të pandashme pavarësisht shekullit XXI.
Por e nesërmja nuk sjell asgjë, veçse një ditë më pak në afatin e përcaktuar për pagesën e tarifës së shkollës. Edhe pasi kemi punuar gjithë vitin, s’kemi kursyer asgjë. Ku ta çosh më parë atë dreq rroge call center-i apo kamarieri me të cilën mezi nxjerr ushqimin?! Ditët ikin e litari sa vjen dhe e përkëdhel më shumë fytin. Po ka shpresë. Familja, kamerdarja e fundit. Kamerdarja që të mban mbi ujë duke u zhytur vetë brenda. Ajo që për të të mbajtur kur s’të del rroga a kur s’gjen punë, i hyn lojës së borxheve, se tarifa duhet paguar, konvikti po ashtu. Nganjëherë edhe si Greqia fqinje: borxh për të larë borxhet.
Vitet ikin e ne vazhdojmë të shpresojmë, derisa një ditë të bukur e gjejmë veten matës të papagueshëm rrugësh. Të diplomuar, të mbytur në borxhe, pa punë ose, nëse na ndih fati, të shfrytëzuar e keqpaguar jashtë profesionit, me ëndrrat që mpaken sa më shumë ecin vitet. Thonë që të dëshpëruarit presin Mesinë për shpagim e shpëtim. Po nganjëherë thonë edhe se Mesia ka ardhur ka lënë porosi se herën tjetër do të feksë kur të lindë dashuria, solidariteti dhe organizimi midis nesh. Tutje dreq! – jo midis të gjithëve ne, të shfrytëzuarve dhe shfrytëzuesve, të mënjanuarve dhe të privilegjuarve. Midis nesh, të fundmëve që na takon të jemi të parët, për të ndryshuar njëherë e përgjithmonë rendin. Midis nesh që aq fort e presim dhe aq pak e dimë se edhe herën e parë Mesia ishim ne, shpëtimtarët e vetes, sot studentë, nesër punëtorë, pasnesër të njerëzuar njëherë e përgjithmonë.

Suzana Kurtallari