Share

Impakti i Big Brother tek të rinjtë – Endri Farka

Impakti i Big Brother tek të rinjtë

Fenomeni Big Brother ditët e sotme po arrin në termat e globalizmit. Pjesë e këtij “fshati global” është bërë edhe Shqipëria e cila pesë vjet më parë, falë kompanisë më të madhe të produksionit Endemol dhe financimeve të saj, arriti të paraqesë këtë reality-show në një prej televizioneve më të mëdha dhe prestigjoze në Shqipëri, sic është Top Channel. Si diçka e re dhe e pa parë nga syri i publikut shqiptar ky spektakël i jetëzuar në Top Channel padyshim arriti një numër rekord shikuesish të çdo moshe në edicionin e parë. Publiku ndiqte dhe vazhdon ta ndjekë me interes të vazhdueshëm këtë reality dhe kjo më ngacmon vëmendjen dhe më bën kurioz të di se cila është arsyeja e këtij interesi të madh edhe pas të paktën dy- tre edicionesh. Më vjen ndër mend hipoteza fare me vend e një prej filozofëve më të mëdhenj, Spinoza, i cili shprehet, “se është ndërgjegjia ajo që i shtyn njerëzit të kuptojnë dëshirat e tyre, por është injoranca ajo që nuk i le të kuptojnë arsyet e këtyre dëshirave”. Dhe duket se njerëzit janë të prirur ta rrisin këtë lloj injorance. Ata shkojnë drejt një drejtimi pa e ditur se kush i shtyn, pa kërkuar pse-në duke përbuzur arsyen, sepse gjithçka u duket e mrekullueshme.

Big Brother është një program i cili është i organizuar në atë mënyrë që të provokojë kënaqësi. Teleshikuesit kthehen në vëzhgues të magjepsur dhe shumica e tyre besojnë se ato që shohin janë krejt spontane. Por në vërtetë televizioni tregon një realitet gjysmë të skenuar dhe banorët marrin rolin e një aktori që duket se vepron instiktivisht në mënyrë që të shkaktojë sa më shumë ndjenja emocionale te shikuesi duke përkëdhelur kështu sedrën e tyre. Betejat e komunikimit e debatet e ashpra që herë herë kthehen në fyerje që zhvillohen në shtëpinëe Big Brother janë disi të detyrueshme, sepse vetëm në këtë mënyrë arrihet suksesi e programi bëhet më interesant. Dëshirat e publikut dhe ajo që ia tërheq më shumë vëmendjen atyre janë aktet imorale. Ky reality-show stimulon dhe ofron argëtim për një publik të mbieksituar.

Audienca e synuar për mendimin tim janë të rinjtë përderisa edhe formati kërkon energji dhe përderisa ajo shtëpi mundane është mishërim i luksit sipas modës arkitekturore më të fundit. Shtëpia e Big Brother u duket atyre si një utopi dhe futen në imagjinata ëndërrimtare të asaj “loje”, lojë nëtë cilën duhet vepruar me zgjuarsi, largpamësi dhe aftësi për të reaguar. Pra duhet vepruar me një lloj makiavelizmi ku si nëçdo lojë nuk mjafton vetëm njohja e rregullave për të fituar lojën. Duhet kohë të mendosh lëvizjen, si në një lojë shahu, në mënyrë që të arrish qëllimin kryesor. Ështëe nevojshme një farë zotësie për të qenë “dhelpër”. Kjo është mënyra që secili kërkon të jetë “njëshi absolut” , i pakapshëm në mendimet dhe ideologjinë e tij. Secili kërkon ngritjen e Uni-t të vet në absolut.Është si një lloj akuariumi ku secili peshk duhet të bëjë të pamundurën për të qëndruar gjallë mbase edhe duke ngrënë ushqimin e të tjerëve.

Kjo e shndërron teleshikuesin në një spektator pasiv, në një rol ku ai nuk mundet të shprehë ndjenjat e mendimet e tij.Duke qenë se shumë familje abonohen për të parë 24 orë në 24 seç’ndodh në shtëpinë e Big Brother harrojnë se kjo shkakton efekte negative sidomos tek fëmijët e tyre, të cilët preferojnë të ndjekin televizorin duke lënë kështu pas dore atë që është kryekëput më e domosdoshme dhe e nevojshme për ta, mësimet. Pa kuptuar se po humbin një pjesë të mirë të kohës së tyre të vyer, bëhen njësh me televizorin për orë e orë të tëra. Ata kërkojnë veten tek pjesëmarrësit dhe imagjinojnë veten e tyre duke u bërë të famshëm duke qenë në televizor e duke shprehur ideologjitë e tyre. Duke u fiksuar aty dhe duke u larguar nga librat mendoj se kjo do t’i shtynte fëmijët e adoloshentët drejt një obskurantizmi të padëshiruar, gjë kjo e cila do të kishte natyrshëm pasoja negative për të ardhmen e vendit ku nevojiten intelektualë të denjë që ta përfaqësojnë denjësisht vendin dhe në marrëdhëniet me jashtë.

Është qesharake dhe e pashpjegueshme se si mjaft njerëz nuk arrijnë t’i kuptojnë arsyet se pse ata janë kaq shumë të tërhequr nga ky reality duke prekur kështu telat e absurdit të njeriut. Por, në një farë mënyre banorët e Big Brother paraqesin një pjesë të kulturës, një pjesë të shoqërisë shqiptare absolutisht pa kërkuar të bëjnë moral, por thjesht duke pasqyruar një pjesë të realitetit.