Share

JAM STUDENT, NUK JAM KLIENT – MITEA GEGUSHI

“Jam Student, nuk jam Klient!”

Me këto thirrje, studentët dhe pedagogët e universiteteve publike më 2 qershor kanë protestuar kundër Draft-Reformës së Arsimit të Lartë, duke parakaluar nga Korpusi Qendror Universitar dhe duke u ndalur përpara Kryeministrisë. Me pankarta në duar ku dallohet më së shumti ajo me shkrimin “Universitetin universitarëve, Jo tregtarëve“, studentët kërkonin që Kryeministri të refuzojë Draft-Reformën e paraqitur nga Komisioni për Reformimin e Arsimit të Lartë (KALKSH) dhe të shpërbEjë Komisionin e krijuar prej tij. Studentët shprehen se Drafti nuk përmbush interesat e universiteteve publike, por favorizon ato private.

Kundër Draft-Reformës

A është kjo Draft-Reformë ajo çka i nevojitet arsimit të lartë në Shqipëri? Ligji aktual i Arsimit të Lartë, i miratuar në 2007 dhe i amenduar më pas në 2010, ka patur gjithashtu kontestime të forta. Argumentat kundër të përmendur më shpesh në media, rrjete sociale dhe kudo tjetër ku diskutohet rreth reformës janë se kjo draft-reformë nuk është formësuar nga student dhe pedagogë të universiteteve publike, por vjen si draft nga komisioni. Aktorët themelues të universitetit janë studentët dhe pedagogët, prandaj reformimi i arsimit të lartë duhet të vijë prej tyre. Rrjedhimisht ky proces është ilegjitim. Reforma e arsmit të lartë duhet të përshtatet me kushtet e jetesës dhe kushtet e studimit të studentëve në Shqipëri, pjesë kjo që nuk është marrë parasysh në hartimin e draftit. Gjithashtu kundërshtohet ky raport i parë, sepse synon të rrisë tarifat studentore, duke dhenë si zgjidhje kreditë dhe ndan buxhetin e universitetit publik me atë privat. Ky raport planifikon një strukturë të caktuar të degëve që universitetet publike do të ofrojnë, duke mos çuar kështu në konkurrencë. Nuk lejon transferimin e studimeve nga shteti në privat duke krijuar një sektor të mbyllur.

Suzana Kurtallari, një nga studentet që protestoi me 2 qershor, krahas arsyeve të përmendura më lart, tha se është kundër kredisë studentore të parashikuar në draft, se sipas saj ajo i mbyt studentët në borxhe duke i kthyer në kreditorët më të mëdhenj të shtetit. Po ashtu kundërshton dhe rritjen e tarifave.”Nëse studentët shqiptarë janë të paaftë të paguajnë tarifat e sotme, do e kenë të pamundur të paguajnë tarifa të disafishuara.Askush nuk duhet të marrë një sistem të gatshëm nga një vend tjetër, në këtë rast sistemi anglosakson, pa marrë parasysh konteksin ku jetojmë. Unë jam dakord që sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri duhet reformuar, por ky reformim duhet marrë nga baza, pikërisht nga studentët. Të dinë fillimisht për çfarë kemi nevojë ne si studentë dhe më pas, të nisë reformimi, por jo ky reformim të nisë nga elita ekonomike me përfitim vetjak dhe jo për të mirën e përgjithshme”, përfundoi Suzana.

Pro Draft-Reformës

Ndërkohë që argumentat që mbështesin këtë Draft-Reformë janë: Vendosja e stadardeve rigoroze për çdo institucion që operon në Shqipëri. Deri më sot ka patur mangësi në zbatimin e standardeve, pra moszbatim të ligjit. Raporti propozon vendosjen e mesatares 6 për pranimin në universitete. Pedagogët do lejohen të punojnë vetëm në një sektor, publik ose privat. Ky draft parashikon që universiteti të ketë autonomi më të theksuar si nga fuksionimi i brendshëm dhe nga ana financiare, ndërkohë që sot mungon. Gjithashtu vë theksin në konkurrencën akademike nga performance që institucionet duhet të kenë. Ervin Demo, profesor në Universitetin e Tiranës dhe njëkohësisht një nga hartuesit e Raportit të Parë, në një nga daljet mediatike për të diskutuar rreth draftit, ndër të tjera sqaroi se nuk bëhet fjalë për konkurrencë se kush prej tyre do financohet nga shteti.” Paratë e buxhetit të shtetit janë për universitetin publik. Konkurrenca midis publikut dhe privatit është standardi, cilësia dhe prodhimi akademik që ata kanë. Ne duhet të garantojmë që rregullat e lojës për të arritur këtë duhet të jenë të njëjta, nuk duhet të ketë diferencim.”-thotë Demo.Përveç ndryshimeve të përmendura më lart drafti propozon dhe vendosjen e stardardeve të kapaciteteve akademike 4m2 për student, minimumi i standardeve që mund të arrihet aktualisht.Gjithashtu doktoratura do të zhvillohet vetëm me kohë të plotë pranë departamentit, jo më part-time. Departamentit do t’i duhet të marrë financim për kërkim shkencor që të mbulojë shpenzimin e doktoraturës dhe kështu numri i personave me titullin akademik “Doktor” do të ulet.

Alban Avdullai, student i vitit të parë në Drejtësi nga Universiteti I Tiranës , e mbështet Draft-Reformën e propozuar nga KALKSH. Ai shprehet se për të arritur në një standard të arsimit të lartë është e nevojshme një tarifë më e lartë pagese.“Rritja e tarifës për vitin akademik nuk është për të sulmuar studentët,por mendohet të vendoset pikërisht për të ardhmen e atyre tëcilëve u nevojiten kushte të caktuara në universitet për tu rritur profesionalisht, kushteqë momentalisht mungojnë.Në të njëjtën kohë tarifa i vendos përpara përgjegjësive dhe vetë studentët, duke i bërë më të ndërgjegjshëm mbi drejtimin që duan të marrin në jetë.Tani studiojnë të gjithë për ekonomik, drejtësi apo gazetari dhe pse mund të mos e pëlqejnë si drejtim. Shumica e konsiderojnë thjesht si një mundësi për të patur një diplomë në xhep.Tarifa e lartë nuk do të vendoset përarsimin profesional,gjë që i nxit të rinjtë ta marin në konsideratë si mundësi mjaft të mirëduke nxjerrë në pah dhe vlerat e tij.“-thotë Avdullai, duke shtuar se kjo krijon një të ardhme më të sigurt për këdo,krijon mundësi më të mëdha shtrirje të fushave ku ka vërtet nevojë për profesionist dhe garanton një të ardhme për personat që nuk kanë studiuar në degët më të kërkuara sot nga të rinjtë.

Problemet e Evidentuara dhe Ndryshimet e Propozuara

Sipas Komisionit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor (KALKSH),problematikat e nxjerra në draft janë bazuar në raportet e bëra nga insitucione si UNDP,Banka Botërore,raporte të vetë insitucionve të arsimit të lartë,e më pas në bazë të tyre, janë propozuar skema dhe mjete për të rritur cilësinë. Një nga problemet e sistemit të arsimit të lartë që evidenton Raporti është numri i Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) përkundrejt cilësisë së tyre.“Në Shqipëri ka rreth 20 IAL për 1000 banorë, 8 herë më shumë se në vendet e zhvilluara.Në kushtet e një vendi me 2.8 milionë banorë dhe një ekonomie që investon jo më shumë se 40 mln Euro ose 0.5% të GDP-së së saj në arsimin e lartë,kjo shifër është e paprecedent.“ –thuhet në Draft. Por ndërkohë nuk jep zgjidhje të këtij problemi apo arsye se pse jemi në këtë gjendje dhe pse shteti investon kaq pak në arsim.

Në Raportin e Parë, “Green Paper”,shteti sot paguan 400-500 € për student kur vendet e rajonit si Rumania apo Bullgaria paguajnë 2800-2900 € dhe Portugalia 3500 €. Pra, Shqipëria paguan 7-8 herë më pak se vendet e rajonit dhe deri në 20 herë më pak se vendet e tjera.“Minimumi, Shqipëria duhet të synojë të paktën shifrat 1500-2000 € për student dhe një buxhet prej 250-350 milionë € për 161500 studentët e saj dhe kjo për buxhetin e shtetit është e papërballueshme edhe në 10 vitet e ardhshme“- theksohet në Raport. Në këtë pikë pohohet se shteti nuk ka gjasa të rrisë financimet për universitetet,por atëherë lind pyetja:Si do të rriten këto financime dhe sa? Raporti nuk jep aspak përgjigje për këtë pjesë.

Një nga pikat më të përfolura rreth draftit ka qenë financimi dhe ndarja e fondeve të buxhetit të shtetit mes privatit dhe shtetërorit. Ky raport rekomandon ndarjen e fondeve publike për financimin e kërkimit shkencor të universiteteve private, si dhe për financimin e mësimdhënies në universitetet private, në rast se këto të fundit e transformojnë veten në fondacione jofitimprurëse,ndërkohë që thuhet se financimi do të behet në bazë të performancës,mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.Aktualisht, universitetet private mund të përfitojnë nga fondet e buxhetit të shtetit për kërkimin shkencor. Ligji i sotëm, kërkimin shkencor e ka nëpërmjet agjencisë të kërkimit, tekonologjisë dhe inovacionit (AKTI) dhe është propozuar për të qenë AKKSH.Të gjitha këto fonde që buxheti i shtetit financon shkojnë nëpërmjet kësaj agjencie, ku mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit që vijnë nga jeta akademike për t’u financuar për një projekt kërkimi shkencor.

Një nga mangësitë e raportit është mosverifikimi i situatës reale,renditjes së universiteteve publike dhe private, për të ditur sesi është gjendja aktualisht,si dhe nuk trajton një nga problemet kryesore të universiteteve, që është akreditimi. Ervin Demo është shprehur se panorama e sotme e IAL-ve është e deformuar duke filluar nga numri i institucioneve,degëve që ofrohen,kapaciteve akademike etj.Ai vazhdoi më tej duke thënë që ka institucione, të cilat nuk janë publike dhe nuk përmbushin minimumin e standardeve ligjore.“Kjo është kërkuar të bëhet pavarësisht reformës. Ështëdetyrim ligjor. Është duke ndodhur dhe brenda muajit korrik do të bëhet verifikimi i të gjithë institucioneve të arsimit të lartë, që duhet të ndodhë detyrimisht për sa i përket minimumit ligjor të standarteve të institucionit të arsimit të lartë. Akreditimi i institucioneve do bëhet nga agjenci ndërkombëtare të certifikuara dhe të akredituara.Diskutohet që ky proces të përfundojë brenda këtij viti,në muajin dhjetor,i cili është një hap që shkon krahas kësaj reforme”-përfundoi Demo.

Shqyrtimi i Draftit, proces ky që parashikohej të mbaronte në muajin korrik,është shtyrë. Kryeministri i ka dhënë kohë këtij procesi, në mënyrë që komisioni të punojë në lidhje me sugjerimet e dërguara. Vetë anëtarët e KALKSH janë shprehur se sugjeruan që të shtyhej afati, pasi mendojnë se ka më tepër rëndësi procesi në vetvete dhe përfshirja e të gjithë aktorëve.Ata thanë se janë duke lexuar opinionet e të gjithë IAL-ve, po diskutojnë çdo sugjerim dhe pikat që kanë qënë të paqarta do të qartësohen më shumë në mënyrë që nëraportin e dytë të mos ketë problematika apo keqkuptime.Shtyrja në kohë e afatit të shqyrtimit tregon se protestat dhe kundërshtitë ndaj Raportit të Parë e kanë thënë fjalën e tyre në formën e duhur.Mbetet për t’u parë sesa do të merret në konsideratë gjatë Raportit të Dytë (White Paper). E gjithë kjo valë diskutimesh duhet vlerësuar si një hap pozitiv,pasi është hera e parë që në Shqipëri diskutohet për një çështje shumë të rëndësishme, si Arsimi i Lartë.