Share

Klimë dhune në gjimnaze – Entila Cuka

Klimë dhune në gjimnaze!

Gjimnazistët po përfshihen gjithnjë e më shumë në konflikte e ushtrim dhune mes tyre. “Është një mënyrë për të  treguar identitet dhe imazhin e të fortit te të tjerët”- thotë psikologia Almenda  Xhaferri. Arsyet pse gjimnazistët futen në konflikt me njëri-tjetrin janë të ndryshme. “Zakonisht  sherret  fillojnë  për shkak të femrave”- thotë një maturant i gjimnazit “Besnik Sykja” . “Ka raste ku debate për ngacmime ndaj të dashurës bëhen shkak për të nisur konflikte mes njeri-tjetrit” -shtoi ai. Shprehje si “pse e shikon atë se është e dashura ime” janë në fjalorin e shumicës së gjimnazistëve. Ndyshimet shoqërore si edhe ato të  origjinës janë një tjetër shkak. Shpesh gjimnazistët  duan të tregojnë se vendi nga ato vijnë është dominues në shoqëri. Gjimnazet e Tiranës kanë nxënës që vijnë nga qytete të ndryshme. “Se mohoj se ne tironsit kemi një inat të fshehur me të ardhurit, ashtu sic kanë dhe ato me ne apo mes njeri- tjetrit” -thotë një nxënës i gjimnazit “A.Z. Cajupi“. ”Ky inat shpesh shprehet në tallje apo fyerje për shkak të origjinës dhe më pas pason me sherre dhe dhunë fizike” – shton ai. Konsumimi i alkoolit është një tjetër arsye e sherreve në gjimnaze. Pranë cdo gjimnazi ka një  apo më shumë lokale të cilat mbushen nga gjimnazistët. Këto të fundit në shumë raste konsumojnë alkool dhe më pas tentojnë të hyjnë në ambjentet e shkollës. ”Për shkak të vonesës një pjesë të nxënësve nuk i lejon roja të futen në  mësim dhe ato shkojnë në lokalet afër shkollës ku pasi bashkohen sëbashku konsumojnë alkool” – tregon një maturante e gjimnazit “Besnik Sykja”. “Sherret që nisin në rrjetet sociale duket se gjejnë vend të zbatohen në ambjentet e shkollës. “Ne e kalojmë pjesën më të madhe të ditës në facebook dhe aty nisin dhe sherret” – thotë  nxënësi i gjimnazit “A.Z. Cajupi“. Gjimnazistët pohojnë se kanë njohje me nxënës të gjimnazeve të ndyshme dhe në sherret që nisin brenda ambjentit të një shkolle pasojnë në sherre jashtë shkollës ku përfshihen dhe gjimnazitë nga shkollat e tjera. “Unë kam kushëririn tek Sami Frasheri dhe ai atje ka shoqërinë e vet, por nëse unë jam në një sherr dhe i kërkoj ndihmë, ai vjen e më ndihmon bashkë me shokët e tij” – thotë një nxënës i vitit të dytë. Gjimnazistët nuk e mohojnë se një pjesë e nxënësve problematik vijnë në shkollë të pajisur me mjete të rrezikshme si thika, doreza, etj

Zakonisht në konflikte përfshihen nxënës të njohur si “problematikë” të cilët mund ta kenë thyer dhe më parë rregulloren e shkollës ose janë paralajmëruar nga drejtoria për përjashtim nga shkolla. Drejtorët e gjimnazeve ashtu si edhe psikologët e shkollave është vështirë ti kontaktosh, rojet gjithnjë të thonë se ata janë në mbledhje, sa dolën, ose kanë shumë punë. Roli i drejtorisë ashtu si edhe i mësuesve është i rëndësishëm në sjelljen e gjimnazistëve duke e ditur që ata/ato janë në fazën e adoleshencës. “Gjimnazistë të dhunshëm janë ato të cilët nuk kanë baza të forta formimit në familje”- thotë psikologia. Ka nxënës që reflektojnë sjelljet e prindërve, në rastin e keq kur në familje ushtrohet dhunë ose nxënës që kanë një mungesë vetëvlerësimi nga mungesa e prindërve në jetën e tyre”-shton psikologia Xhaferri.

Rastet ku gjimnazistët kanë përgjakur oborret e shkollës dhe kanë bërë pazar me jetën e tyre janë të shumta. Prindërit shprehen të frikësuar për jetën e fëmijëve të tyre. “Gjithcka ia lë në dorë Zotit se sot jeta e askujt nuk është e sigurt”- thotë nëna e dy të rinjve. “Në ditët e sotme njerëzit të marrin jetën kot”- përfundon ajo. Duket se klima e dhunës rritet cdo ditë në gjimnaze, por jo vetëm. Kërcënime me jetë si dhe dhuna psikologjike janë elementë që mbushin jetën e gjimnazistëve. Përvec rolit të familjarëve,  roli i shoqërisë, mësuesve, punonjësve social, por edhe psikologëve pranë shkollave duhet të ndihmojë që kjo klimë të zbutet.

 

Leave a Comment