Share
Kohët po ndryshojnë

Kohët po ndryshojnë

“Asgjë nuk ka ndryshuar, por në fakt shumë gjëra kanë ndryshuar!” Kështu iu përgjigj një herë Michel Houellebecq, një autor francez, pyetjes se ç’po ndodh me shoqërinë tonë. Në fakt kështu duket, sikur çdo gjë vazhdon të jetë si më parë, ndërkohë që nuk është më ashtu; ndryshime të heshtura apo edhe të dukshme po ndodhin në botë.

Fundjava e parafundit e këtij Prilli, ishte pikërisht e tillë, sepse solli një ndryshim të madh në jetën politike të Francës, dhe për pasojë edhe në rrjedhën e zhvillimeve globale. Franca është jo vetëm një shtet me influencë globale, por gjithashtu, ka qenë shpesh-herë udhërrëfyes i modeleve politike, sociale e kulturore në hapësirën botërore. Për të mos u zgjatur shumë, në zgjedhjet Presidenciale Franceze, kandidonin 11 persona nga ekstremi në ekstrem, nga Komunisti tek Fashisti, nga Konservatori te Liberali, nga Tradicionalistët te Modernët. Franca gjendej mes ankthit, se mos rrugëtimi i këtij shteti “Madhështor” mund të bjerë në duart e ideologjisë së gabuar.

Në fakt, në këtë artikull nuk dua të analizoj ideologjinë politike të kandidatëve në zgjedhjet e Francës, por pragmatizmin e elektoratit, i cili fare mirë diti të bëjë dallim të qartë se çfarë është më e mira për ta në këtë moment. Elektorati vendos që garën ta vazhdojnë në balotazh dy personazhe, larg partive të mëdha që kanë dominuar politikën me dekada të tëra.

Duket e çuditshme, por partitë e mëdha kanë dominuar jetën politike e shoqërore në të gjithë Europën, duke qenë edhe shkaktarë edhe përgjegjës të çdo ndryshimi pozitiv e negativ të ndodhur.

Lodhja e mbingopja me këtë retorikë të vazhdueshme “hidh e prit” të dominantit të rradhës, po reflektohet tashmë çdo ditë e më tepër në të gjitha skenat globale të politikës. Partitë e mëdha po ndëshkohen me vota, po ndëshkohet sistemi i ngritur prej tyre, i cili kontrollonte masat me metodat e tij burokratike, pa i lënë hapësirë të lirë individit të gjenerojë në sistem. Diku qëndron elita politike dhe më tej vijnë vartësit deri në nivelet më të rëndomta të kësaj hierarkie.

Ishte Greqia e para, e cila, ndëshkoi shumë fuqishëm partitë e mëdha të hapësirës së saj politike. Demokracia e Re dhe Pasok morën shifrat më të ulëta në historinë e ekzistencës së tyre. Alexis Tsipras ishte një djalosh i ri në 2015, shumë energjik dhe me vullnet për të sjellë ndryshime në Greqi. Votuesit i besuan atij jo vetëm për vizionin politik, por dhe si ndëshkim ndaj partive të mëdha që dominonin në mënyrë arrogante me pushtetin. Edhe në Spanjë ndodhi e njëjta gjë; “Podemos”, një parti e sapo formuar në 2014 me një lider thuajse djaloshar, vetëm 34 vjeç, arriti të bëhej partia e 3-të në Spanjë me 21% të votave, si Partia Popullore, ashtu dhe Socialistët, megjithëse mbetën kryesues, patën rënien më drastike në elektorat, dhe tashmë me koalicionet e reja të Podemos, sondazhet tregojnë se ata mund të përmbysin gjithçka në zgjedhjet e ardhshme në Spanjë. Në Itali ndodhi pak a shumë i njëjti skenar; Lëvizja 5 Stelle e krijuar vetëm në 2009, në zgjedhjet e 2013 mori 25% të elektoratit dhe në zgjedhjet lokale të 2016, mori bashkitë më të mëdha të Italisë si Roma, Torino etj. Partia Demokratike dhe Forzza Italia, u shkundën fuqishëm prej kësaj lëvizjeje.

Në Britani, pëveç Laburistëve dhe Konservatorëve, partitë e tjera nuk kanë qenë asnjëherë faktor kryesor të jetës politike. Në referendumin e 2016-ës për dalje nga BE, UKIP i Nigel Farage arriti të drejtojë Britaninë drejt votës pro daljes nga Unioni. Një parti që nuk ishte përfillur asnjëherë, ndoshta që ekzistonte për hir të demokracisë konstitucionale, me një numër të vogël përfaqësuesish në Parlament, tashmë ishte shndërruar në faktor të rëndësishëm politik.

E të njëjtit model ishte dhe zgjedhja e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një person që vjen jashtë jetës politike, që për të shmangur peripecitë dhe burokracitë kandidon brenda partisë Republikane, në një garë thuajse të humbur plotësisht sipas sondazheve dhe mediave, të cilat e kishin proklamuar si të vulosur fitoren e Hillary Clinton. Donald Trump arriti të fitojë garën presidenciale dhe sikurse dihet tashmë, ai dominoi nga vota anti-sistem.

Kjo gjë ndodhi dhe në zgjedhjet e Francës, e cila tashmë në balotazh do të zgjedhë një kandidat jashtë partive të mëdha, për të qenë President.

Është shumë e vërtetë që kjo situatë vjen si pasojë e shumë faktorëve, ku faktori më kryesor janë rrymat populiste, kjo është e pamohueshme. Ajo që më shtyn të pyes retorikisht është se kush e nxiti zhvillimin politik e shoqëror deri në këtë pikë, sa populistët të shikohen si alternativë?! Askush tjetër, veçse vetë partitë që kanë qenë dominante në politikën globale; tashmë është rradha e tyre të përballen me pasojat. Nuk përbën më asnjë dallim fakti se cilit kah mund t’i përkasësh; lodhja me partitë e vjetra është aq e madhe, sa njerëzit janë të gatshëm të mbështesin edhe rrymat më ekstreme të kaheve politike, si ekstemi i djathtë ashtu dhe ekstremin e majtë, vetëm e vetëm për të ndëshkuar partitë e mëdha tradicionale.

Nxitem të shikoj se ç’po ndodh në realitetin shqiptar. Është e çuditshme të thuash se, asgjë nuk ka ndryshuar, por në fakt shumë gjëra kanë ndryshuar. Nga sondazhet e Eduard Zaloshnjës, kërkues shkencor në Pacific Institutite for Research and Evaluation (PIRE), përcaktohet se tendenca e të rinjve shqiptarë nuk është më e njëjtë si vazhdimësi e gjeneratave, e as si votues militantesk. Të rinjtë kanë një trend më logjik në votim sesa prindërit e tyre dhe gjithashtu kanë ndikueshmëri të lartë nga trendet globale.

Sot jetojmë në epokën e informacionit. Si pasojë, shoqëria shqiptare është në të njëjtat hapa me shoqëritë bashkohore dhe nuk mund t’i shmanget zhvillimeve ndërkombëtare. Epoka e globalizmit prodhon modele, të cilat shpërndahen e adaptohen shumë shpejt edhe në vende të vogla si Shqipëria.

Politika shqiptare nuk po prodhon më alternativa. Dominimi rrotacional i partive të mëdha, nuk prodhon më përthithje elektorale. Partia Socialiste në 2013-ën nuk ka ndonjë rritje mandatesh nga zgjedhjet e 2009-ës, edhe pse është mazhorancë qeverisëse, Partia Demokratike ka rënie drastike në 2013-ën, nga madatet që kishte ne 2009-ën. Lëvizja Socialiste për Integrim, pavarësisht rritjes domethënëse, nuk ka treguar se është alternativë, më shumë sesa një parti oportuniste.

Më tej akoma, mund të analizojmë nismat politike të këtyre partive. Socialistët, si mazhorancë, nuk kanë provuar një fushë dialogu politik, Ata janë përballur me një opozitë të dobët dhe sjellja arrogante e dominantit që ka pushtetin ka qenë kjo e dukshme në media, në institucione, në raport me audiencën, në deklarata, madje edhe ndaj ndërkombëtarëve. Demokratët, nga ana tjetër, në nismat e veta, nuk kanë qenë në gjendje të krijojnë impakt shoqëror, as në protestat, as në nismat parlamentare, si dhe nuk japin bindjen e të qënurit alternativa e rigjeneruar pas kunsumit 8-vjeçar me pushtetin. E thënë shkurt, përballemi me dy parti të konsumuara politikisht.

Sinjalet dhe zhvillimet janë të qarta, sikurse trendet globale të politikës, edhe te ne, ato nuk mund të shmangen. Ndoshta ndryshimi është më gradual, sepse shoqëria shqiptare nuk është akoma kulturalisht në pozitat e shoqërive, si të Greqisë, Spanjës, Francës, ShBA-ve e Britanisë, por është e pamundur që të ngelemi jashtë këtij zhvillimi global të politikës. Prova e parë është së shpejti: në qershor.

Leave a Comment