Share

LGBT – ALMA DALIPI

“Kur familja ime mësoi se isha gay, më dhunuan, më hoqën nga shkolla, kur unë isha vetëm pesëmbëdhjetë vjeç. Më pas, më përzunë nga shtëpia.”, kështu nis historia e 17 vjeçarit A.B nga Vlora, i vetëquajtur “Lepurushja”, transvestit dhe anëtar i organizatës LGBT (Lezbike-Gay-Biseksual-Transeksual).

NOA: Shqipëria, homofobe

Shqipëria është një nga vendet më homofobe të Europës Lindore, ku çështja e homoseksualitetit ngjall reagime të ashpra, të cilat marrin formën e paragjykimeve dhe diskriminimit. Sipas studimit të publikuar nga NOA, të Këshillit Europian për të drejtat e personave homoseksualë, në 23 qershor 2011 në Strasburg, vendi ynë renditet ndër vendet me shkallë më të lartë homofobie. Ky studim evidentoi vështirësi të madhe të aksesit të personave LGTB në shërbim shëndetësor, vështirësi në punësim, mungesë informacioni në tekstet shkollore, probleme të zbatimit të ligjit kundër diskriminimit, dhunën dhe krimin e nxitur nga urrejtja në bazë të orientimit seksual, duke e bërë Shqipërinë një vend problematik për komunitetin homoseksual. Të rinjtë shqiptar kanë një nivel të lartë paragjykimi, diskriminimi dhe intolerance ndaj homoseksualëve. Ky fakt firmohet dhe nga një studim i kryer në vitin 2011 me temë “Rinia shqiptare 2011”. Reagimet më negative dhe tendencat më të forta të diskriminimit, shqiptarët i kanë ndaj personave LGTB, ku 50% e të rinjve nuk do ta mirëprisnin fqinjësinë me një çift homoseksual. Meshkujt, krahasuar me femrat, kanë një përqindje më të lartë paragjykimi dhe diskriminimi, me mbi 65% të meshkujve krahasuar me 46% të femrave.

Tutelë ligjore dejure

“Në 2010 është miratuar ligji Nr. 10221 për mbrojtjen ndaj diskriminimit, ku në nenin 1 respektohet dhe zbatohet parimi i barazisë në lidhje me orientimin seksual. Në nenet 7, 12 dhe 17 komunitetit LGTB i sigurohet mbrojtja ndaj diskrimimit në fushën e punësimit dhe të arsimimit, por këto ligje nuk zbatohen siç duhen”- thotë F.M, një djalë nga Tirana, anëtar i LGTB, i cili emrin nuk e bën publik. “Mbrojtja dhe përkrahja nga shteti janë më tepër televizive, sesa preken në realitet, pasi shumë prej nesh janë braktisur nga forcat e policisë kur kemi pasur nevojë, kur jemi abuzuar dhe dhunuar nga pjesa tjetër e shoqërisë.”- përfundon F.M. Dhe koordinatorja e qendrës, Sidita Zaja thotë se “përkrahja dhe mbështetja e institucioneve shtetërore nuk është shumë e prekshme.” Kohët e fundit, LGTB nisur dhe nga zhvillimet e reja në botë, ku në Angli, në Uells, në Zelandën e Re (shteti i parë në rajonin Azi-Paqësor) janë legalizuar martesat gay, kanë nisur nismën për ndryshimin e dy neneve të Kodit të Familjes, nenin 163 dhe 164 për të ligjëruar bashkëjetesën e dy personave të së njëjtës gjini. Propozimi i LGTB-së kërkon një trajtim të barabartë për çdo qytetar pavarësisht orientimit seksual. Sot në 16 shtete të botës, homoseksualiteti është pranuar ligjërisht, si në Hollandë, Angli, Francë, Gjermani, Norvegji, SHBA, ku “Dita e Shfuqizimit” njihet si dita e fitores për të drejtat e homoseksualëve, pasi është shfuqizuar ligji per përjashtimin e tyre nga ushtria.

Familja, diskriminimi i parë

Diskriminimi ndaj këtij grupi shoqëror krijon probleme të shumta, duke ia bërë të vështirë pranimin e orientimit të tyre seksual dhe për ta bërë të ditur te pjesa tjetër e shoqërisë, qoftë familja apo grupet shoqërore. ” Momenti më i vështirë për mua nuk ka qenë thjesht pranimi se jam gay”,thotë Aureli 17 vjeç nga Shkodra, “por momenti kur familja ime e mori vesh”. Impakti i parë ishte problematik, refuzues pasi mentaliteti shqiptar dhe ai shkodran në veçanti nuk e pranonin këtë gjë. Babai më dhunoi duke u përpjekur që të ndryshoja preferencat e mia dhe familja nuk më përkrahu duke më larguar nga shtëpia, në moshën 16 vjeçare. “Momenti i ‘Daljes nga sirtari’ apo ‘coming out’ ishte momenti më i vështirë.” -thotë një vajzë lezbike nga Tirana, E.A . Personat homoseksualë, sidomos adoleshentët ndihen shumë të dobët ndaj stereotipizimit. Ata frikësohen nga mospranimi i familjes, miqve apo dhe kolegëve të punës. “Momenti i daljes para familjes është një sfidë e madhe emocionale.”- thotë psikologia e qendrës LGTB. “Shumica e prindërve fillimisht reagojnë shumë ashpër duke u përpjekur ta mohojnë këtë gjë, i tremben refuzimit nga pjesa tjetër e fisit apo pjesa tjetër e shoqërisë, por më pas janë të shqetësuar për vështirësitë që kanë fëmijët e tyre në integrimin brenda shoqërisë.”

Studimet tregojnë se personat homoseksualë, janë shumë të ekspozuar ndaj dhunës fizike si dhe asaj psikologjike. Studimet e kryera në vitet ‘90 tregojnë se 1/5 e femrave lezbike dhe më shumë se 1/4 e meshkujve gay janë viktima të dhunës dhe krimeve kundrejt orientimit të tyre seksual. Në 5 nëntor 2011, 20 dhjetor 2012 dhe 24 tetor 2013, A.M dhe J.C janë paraqitur pranë LGTB-së për të kërkuar përkrahje dhe për të denoncuar situatat e dhunës së ushtruar ndaj tyre, duke e dërguar çështjen në Komisiariatin Nr.1 të policisë , por pa marrë përkrahjen e duhur.

14 korrik 2013, rreth orës 23:00, afër zonës së njohur si “stacionit i trenit”, dy djem të LGTB-së, njëri nën 18 vjeç dhe tjetri 22 vjeç, i janë nënshtruar dhunës verbale dhe fizike nga dy të rinj të tjerë. Në 4 mars 2013, rreth orës 23:00, F.M i komunitetit transgjinor ka qenë duke kaluar pranë Hotel Tirana International, kur është sulmuar me disa objekte të forta, nga 4 persona, duke i shkaktuar lëndime në trup dhe në kokë. “Nuk ka statistika për diskriminimin dhe dhunën ndaj këtij komuniteti”, -shprehet koordinatorja e qendrës, Sidita Zaja,-“por rastet e shumta të dhunës të përditshme që vijnë në këtë qendër tregojnë për një rritje të dhunës dhe veprimeve agresive dhe mospërkrahje të këtij komuniteti nga institucionet shtetërore. Tirana, metropol në tranzicion e ka të merituar pozicionimin ndër vendet më homofobe dhe kundër homoseksualitetit”, përfundon Sidita.

Diskriminimi ndaj personave homoseksualë është shumë i prekshëm dhe fillon që në bankat e shkollave dhe vazhdon më tej në vendet e punës, ku këta persona nëse identifikohen si homoseksualë pushohen apo nuk merren në punë. Aureli, transgjinor i komunitetit LGTB, tregon sesi ëdhtë ndierë në një gjimnaz publik. “Mësuesit dyshonin se isha homoseksual dhe në çdo moment më ngacmonin, nuk më jepnin notën që meritoja, isha në shenjestrën e vazhdueshme të provokimeve të tyre. Sheri, 30 vjeç, lezbike e këtij komuniteti tregon sesi nuk pranohet në punë për shkak të aparencës së saj të etiketuar ‘mashkullore’. Raste të tilla janë të shumta, ashtu sikurse është rasti i transgjinorit, të vetëquajtur “Lepurushe”, i cili pasi ka filluar punë si kamarier, është pushuar nga puna, pasi pronari kuptoi që është homoseksual. Në të njëjtën situatë është gjendur dhe në punën nga e cila është pushuar për të njëjtën arsye si herën e parë. “Për t’u ardhur në ndihmë, ne si qendër, do të zhvillojmë kurse profesionale për këtë komunitet për t’i ndihmuar të integrohen në shoqëri dhe në tregun e punës.”- sqaron Sidita.

Rekomandimet kryesore që vijnë nga qendra LGTB, apo dhe nga studime të ndryshme për këtë komunitet, lidhen me punën e vazhdueshme që duhet bërë për të luftuar diskriminimin. Në ambjentet e shkollave dhe vendeve të punës, duhet të jëtë përparësi lufta ndaj diskriminimit në përgjithësi dhe homofobisë në veçanti. Media gjithashtu duhet të tregojë një kujdes të veçantë dhe përgjegjshmëri, duke u lejuar hapësirë të mjaftueshme elementëve edukativë dhe ndërgjegjësues, duke kapërcyer kështu prirjen e trajtimit të homoseksualitetit si një temë me nota skandaloze.