Share

Lojrat e fatit -Një e vërtetë e hidhur – Esmeralda Gjini

Lojrat e fatit -Një e vërtetë e hidhur

Të endesh nëpër rrugët e Tiranës është e pamundur të mos të kapë syri kazinotë ose qendrat e basteve sportive. Duket sikur Shqipëria është kthyer në një “mini” Las Vegas. Në vitin 2010 në Shqipëri kryenin aktivitetin e tyre më shumë se 1500 kazino, shifër kjo që është rritur me ritme të larta këto dy vitet e fundit. Në krahasim me numrin e popullsisë kjo është një shifër alarmante.

Industria e lojrave të fatit vepron në bazë të parimit kërkesë-ofertë, e cila tregon se numri i madh i kazinove dhe basteve i përgjigjet numrit të madh të kërkesave të tregut për këtë lloj biznesi në vendin tonë. Papunësia dhe mungesa e hapësirave për aktivitete të reja i shtyjnë qytetarët shqiptarë, dhe sidomos të rinjtë dhe adoleshentët, në dyert e këtyre lojrave.

Kazinotë, ruletat dhe llotosportet kanë mbirë ngado njësoj si kërpudhat pas shiut. “Të rinjtë që frekuentojë Lojrat e Fatit, duke u shkëputur në shumë raste  dhe nga proçesi mësimor, janë në predispozita për t’u përfshirë më shumë në krime të ndryshmë”- shprehet shefi i Komisariatit të Korçës teksa fliste për këtë fenomen.

Kush e ka fajin për gjithë këtë? Prindërit, vetë të rinjtë, shoqëria apo shteti që s’i ndalon dot?

Ligji e ndalon pjesëmarrjen e të miturve në këto aktivitete, por fare lehtë mund të zbulojmë se ky ligj nuk zbatohet dhe nëpër sallat e lojërave të fatit rastis shpesh, për të mos thënë gjithmonë, të shohësh fëmijë nën 18 vjeç. Madje këtë e pranon dhe pronari i një prej këtyre kazinove, i cili në mënyrë konfidenciale shprehet se nëse nuk do lejonim adoleshentët të luajnë,  kompanitë tona do kishin një humbje të madhe, sepse ato janë burimi i madh fitimi.

Shpërndarja e tyre në çdo vend dhe hapësirë është një tjetër problem i madh që i karakterizon këto aktivitete. Ndonëse ligjet flasin për hapësira të kufizuara për këto aktivitete, ne ato i gjejmë kudo: poshtë pallatit, pranë dyqaneve të bukës në afërsi të shkollave, kudo ku ne kalojmë pjesën më të madhe të kohës. Problemi qëndron për distancën shumë të afërt që ato kanë me shkollën, duke tërhequr kështu një numër nxënësish, kryesisht gjimnazistë, por nuk mungojnë as nxënësit e shkollave 9-vjeçare. “Isha në kazino të provoja fatin”- thotë një gjimnazist që sapo del nga dera e një prej kazinove në afërsi të shkollës së tij. Fati duket se ka qënë me të kësaj rradhe pasi shkon të takojë gjithë krenari shokët e tij. Por për ku ishte nisur në mëngjes ky fëmijë?Ku e dinin prindëri se ndodhej ai? Një nënë thotë: “Një ditë mbarova punë më shpejt se zakonisht dhe vendosa të shkoj të shoh sesi ecte djali me shkollën, por ç’të shihja ai kishte marrë dy herë paralajmërim për përjashtim dhe tani po jepej urdhri për përjashtimin e tij”. Gruaja ishte e tronditur nga gjithë kjo dhe mendonte se ku e kalonte ditën djali i saj i cili nisej çdo ditë për në shkollë. Si ky rast gjejmë plot nëpër shkollat tona në të gjithë vendin, ku nxënësit, kryesisht djemtë, lënë orët e mësimit për të kaluar kohën nëpër kazino ose duke vënë skedina  nëpër lokale.

“Kazinotë dhe llotosportet janë vorbulla thithëse të pasurisë dhe të lumturisë së shqiptarëve”- shprehet një 25 vjeçar i cili pranon se këto lojra i ka filluar që në gjimnaz dhe akoma nuk ka mundur të heqë dorë prej tyre, ndonëse e pranon që janë lojra ku i fituar është ai që nuk luan fare. Psikologët thonë se njerëzit që frekuentojnë këto lojra kalojnë depresione në shkallë të ndryshme: depresion të thellë, frikë për të ardhmen si dhe mbeten persona të padëshirueshëm në shoqëri.Përdoruesit e këtyre lojrave krijojnë një varësi nga e cila e kanë të pamundur të shpëtojnë. Lojrat e tilla janë lojra të rastësisë dhe jo lojra të vërteta që të falin kënaqësi, por të shkaktojnë ankth dhe depresion.

Të flasësh për lojrat e fatit është si të bësh një reklamë me dy pole të kundërta: nga njëra anë të tregosh anën pozitive e cila ka të bëjë me fitimet që ajo i sjell kompanive dhe shtetit me mbledhjen e taksave, dhe nga ana  negative është reklama që bën ajo tek njerëzit. Duket se çdo herë e më shumë po rritet numri dhe kërkesa për këtë lloj biznesi i cili duket si një minierë ari në mes të Shqipërisë. Por pasojat janë të rënda dhe alarmuese. Familje të shkatërruara, gra dhe fëmijë të dhunuar, rritje të numrit të divorceve, fëmijë që braktisin shkollën, shtimi i kriminalitetit, krijimin e varësive ndaj tyre e mbi të gjitha humbje të shumave të mëdha të parave. “Po të kisha investuar të gjitha ato para që kam lënë në baste tani familja ime dhe unë do të jetonim si mbretër”- thotë një lojtar i përhershëm, i cili shton se sa më shumë që fitonte aq më shumë luante.

Mania për të fituar shpejt dhe pa u lodhur po i nxit gjithnjë e më shumë qytetarët shqiptarë të drejtohen tek sallat e ftohta të lojrave të fatit.

Cilët janë në të vërtetë ata që fitojnë?

Natyrisht që pronarët e këtyre bizneseve, të cilët po fitojnë pa fund nga kjo kërkesë në rritje e shqiptarëve për këto lojra. Ndërsa humbësit e mëdhenj janë lojtarët të cilët pas një rastësie të parë dëmtojnë veten dhe familjen duke luajtur sërish.

 

1 Comment on this Post

  1. Fillimishte me duhet te pergezoj per kete teme kaq problematike per vendin ton, ke bere nje pune shume te mire dhe mendoj se ke gjetur pikerishte temen qe duhet trajtuar nga specialistet e fushave. Na duhet ta pranojm se vendi yne eshte nje vend me probleme te medha nga te gjitha fushat si punsimi mbi te gjitha qe per mua eshte i pari, dhe kjo eshte arsyja qe frekuentimi i “lojrave te fatit” eshte bere pjese negative e jetes ton, qfare ndodhe le te shohim nje rast qe nuk eshte i vetmi….. para nje viti vajta per te vendos nje skedin dhe ne te njejten tavolin me beri pershtypje nje zotri i cili po vendoste loto do thoni ju normal, ai zotria kishte me vete dhe dy femijet e ti te cilet ishin te moshes 10-12vjeç konkluzioni nxirreni vete, me falni se ndoshta u zgjata shume por eshte nje teme e cila nuk i mbarojn fjalet.Pergezime Autores!

Comments are closed.