Share

Maks, mos u jep zë velove! nga Bekim Shehu

Maks, mos u jep zë velove!

Së fundmi, publiku shqiptar është njohur me një intervistë të arkitektit, të artistit, të publicistit, të shkrimtarit, të kontroversit, të përndjekurit Maks Velo. Në këtë intervistë ai, si shpesh herë, shprehet për shumë tema njëkohësisht, por ato që ngacmuan më shumë opinionin publik ishin qëndrimet e tij antimuslimane dhe antigegnore. Unë do të doja të fokusohesha te kjo e fundit.
Në intervistë zotni Velo shprehet se jam antiverior, jo antigeg, e pikërisht ky është argumenti që unë do të doja t’i hiqja pasi fjalët e tij e bëjnë këtë ndasi, por mënyra si ai shprehet flet për të kundërtën.

Dua të qartësoj se “Maks” është individi. Ai me historinë e tij personale, të pakundërshtueshme, me qëndrimet e tij subjektive dhe gjithçka deri këtu është natyrale. Sidoqoftë, qëndrimet subjektive kur bëhen publike nuk mund të konsiderohen apriori personale dhe të drejta për t’u marrë të mirqëna. Që në fillim të përgjigjes së tij për pyetjen “A jeni ju antigeg?” zotnia përpiqet të bëjë dallimin se gegët e veriorët janë dy komunitete të ndryshme. Gegët na qënkërkan idealja e veriorëve, 3 B-të e famshme dhe jo këta që banojnë sot tokat shqiptare të veriut. Por rrugës, gjatë përgjigjes, mund të dallojmë tjetër qëndrim. Duket sikur, në këndvështrimin e tij, gegët kanë vdekur. Dhe vëndin e tyre sot e ka zënë një popullsi kriminelësh, hajdutash, barbarësh, nomadësh që ku ta dijë Maksi se nga kanë ardhur. Gegët ishin dikur, thotë praktikisht Maksi, sot kemi veriorë dhe hajde të mendojmë si t’i heqim qafe se po na bëjnë pis Shqipërinë tonë të bukur me lule, siç është jugu. Jo Maks, gegë janë ata që jetojnë në veri e toskë janë ata që janë në jug, prandaj mos lër sensin tënd orientues me pole gjeografike prej inxhinieri a arkitekti, të marrë përsipër të bëjë përcaktime në një fushë kulturore e historike siç janë gegët dhe gegnija.
Kështu, do të doja të analizoja disa nga argumentat e zotnisë.

“Fushë-Kruja, a e pe si stafi sigurues i presidentit Bush i hoqi orën nga dora, nga frika se mos ia vidhnin fushëkrujasit?”
Edhe sikur ky të ish’ një argument, Maksi është vetë dëshmitar sesi e kundërta ndodhi. Presidenti i vendit të huaj u prit nga pleq e të rinj, nga gra e burra, nga “cuna lagjesh” e nxënës shkollash sikur të kish’ lindur në atë vend. Dhe kjo panoramë bëri xhiron e botës dhe vetëm në një javë në kushedi sa gazeta botërore e kanale televizive e ka parë Maksi.
“Vumë një verior, Berishën dhe na shkatërroi me themel.”
Një frazë e tillë mbledh 1001 argumenta se pse emri i ish Kryeministrit nuk duhet të përzihet me kuptime krahinore në gjykimet për veprat e tij politike, por mua më vjen habi sesi kjo fjali del nga goja e një ish të përndjekuri politik nga një sistem ku për 45 vjet pati në krye një jugor. Ky jugor bëri që të tronditej qënia e vetë Maksit me themel në burgun famëkeq të Spaçit.
“Shkodra kish 10 vrasje në 6-mujorin e parë, asnjë në Korçë.”
Përtej faktit që është qesharake që një personalitet si Maks Velo të bëjë rolin e raportuesit të të dhënave të Ministrisë së Brendshme për filan muaj apo filan vit, më duket hipokrite dhe cinike që të përmendë pikërisht një qytet jugor për krahasim. A thua Maksi nuk dëgjon lajme makabre për pleq që presin koka grash apo bizmenë me background të dyshimtë, që dërgohen në botën tjetër fluturimthi në mes të qyteteve më të mëdha të jugut.

Nuk dua të vazhdoj më tej me analizimin e argumentave të zotnisë sepse do jetë e turpshme që në këtë arktikull të jepet pamja, tashmë e njohur, e një shqiptari që kundërshton një shqiptar tjetër se sa keq është Shqipëria, dhe jo një krahinë e caktuar. Por kjo ndodh për shkak të “velove”. Velot janë soji i Maksit, jo ai biologjik, por ai filozofik. Velot janë veriorë e jugorë, të krishterë e muslimanë, popull i thjeshtë e pseudointelektualë, të rinj e të moshuar. Velot janë ata që s’e shohin Shqipërinë homogjene, por si Shqipëria e fisit tim dhe të tjerët. Velot hanë, pinë e riprodhohen në të njëjtën vatër, në atë të dështimeve personale kundrejt fajësimeve kolektive.
Velot nuk dëgjojnë, nuk kuptojnë. Ata pështyjnë argumentat e kalbura të një kohe të shkuar në më të parën shportë të shëndetshme që shohin. Ata dikur bërtisnin “dum babën”, shpallnin republika brënda atdheut e tradhtonin rilindasit nëpër sarajet konsullore të fqinjëve. Ndanë Shqipërinë në mbretëri në 1997 e shtetit i vunë flakën. Ndërsa sot shkruajnë artikuaj, dalin publikisht madje hedhin dhe deklarata politike nëpër podiume partish apo pseudopartish.  Ata nuk duan, madje as nuk kërkojnë ta duan tjetrin. Velot  janë të vështirë t’i identifikosh në pamje të parë, pasi i sheh me rrecka e me kollare, në zyra e në rrugë. Por pasi i ke njohur të lënë një shije të hidhur. Të duket sikur të thithin të gjithë shpresën për mirëqënien, përparimin dhe emancipimin që ke për këtë vend.

Problemi i parë me njerëz si Maksi i velove është se janë publikë dhe fjala ende ju ka peshë edhe kur ne fakt vlejnë sa ç’vlejnë argumentat e një pijedashësi në mejhanet e humbura rrugicash.
I dyti, mendimet e velove të artikuluar nga Maksi janë ato që na bëjnë të mos gjejmë zgjidhje për një Shqipëri që vuan fund e krye nga kriza e identitetit, qytetarisë, demokracisë, zhdukja e vlerave të vjetra të mira. Mendime që kërkojnë fajtorë, rrugë të reja për t’u ndarë.

Gegët thonë “T’hypt vetja n’qejf” o zotni, po tani eshte vonë per të ta thënë se ti ke 20 vjet që jeton me këtë mallkim.
Jam i sigurtë që ti do të vazhdosh të urresh veriorët ashtu siç bëre në atë intervistë.
Por, herës tjetër që do të duash të dalësh publikisht, të lutem për një gjë.
Në emër të të gjithë të rinjve, pa dallim krahine dhe feje, që ende besojnë se në këtë vend ekziston një shtresë e shëndetshme intelektualësh:
Maks, mos u jep më zë velove!

Bekim Shehu