Share

Mos i vrisni vajzat! – Enxhi Likaj

Lajmet tronditëse të ditëve të fundit kanë tronditur mbarë opinonin publik.

“Më 25.5.2014 Nëna vret vajzën e saj pesëmbëdhjetë vjeçe e më pas veten ,me motivin se vajza donte të shkonte në eskursion “.

“Më 30.5.2014 Babai vret vajzën tre muajshe shtatëzane nga turpi i fshatit.”

Në shoqërinë tonë patriarkale mentaliteti i hidhur, i ngujosur ndër vite thellë brenda përditshmërisë tonë ka të drejtë ti marri edhe jetën femrave shqiptare .Rrënjët e këtij mentaliteti janë të ngulitura që në ngjizjen e foshnjeve me gjini femërore. Prindërit shqiptar preferojnë trashëgimtarët meshkuj duke abortuar femrat .Femrat shqiptare zgjedhin abortin selektiv.Vendimi për të pasur abort nuk është i lehtë . Arsyet mund të jenë të ndryshme , por justifikimi është pamundësia ekonomike vetëm në rastet kur foshnja është e gjinisë femërore.

Pse duhet ta vrasim një vajzë dhe të lindim një djalë?

Studimet tregojnë se numri i aborteve selektiv është në rritje. Madje vendi ynë renditet i pari në Ballkan. Kjo tregon se ciftet shqiptare vendosin të ndërpresin shtatëzaninë apo të bëjnë abort vetëm se fëmija s’është i gjinisë që ata duan .Nga ana ligjore aborti përvec arsyeve shëndetësore konsiderohet krim dhe një lloj diskriminimi. “Ministria e Shëndetësisë”, muajin janar të 2013 vendosi një taks-forcë për monitorimin e aborteve në klinikat private pas prezantimit të studimit “Raporti i paekuilibruar midis sekseve në shoqëri” . Por kjo taksë nuk i parandaloi aspak abortet selektive. Besa ,34 vjece ,nënë e tre vajzave është përsëri shtatëzane .Me padurim për ta ditur gjininë e foshnjës së saj ,ajo pret në rradhë në korridorin e maternitetit në spitalin “Koco Glozheni” në Tiranë.” Burri im dhe unë jemi duke shpresuar shumë për një djalë “ -thotë Besa. Nëse del vajzë ajo e ka ndarë mendjen për të abortuar . Justifikohet duke thënë se s’ ka mundësi ekonomike për ta mbajtur . Në studimin e prezantuar nga oraganizata “World Vision” thuhet se në Shqipëri po lindin më shumë meshkuj se femra .Aborti selektiv është shkaku kryesor .Raporti është 100 femra kundrejt 111 meshkujve . Nëqoftëse vazhdohet me këto ritme sipas demografit Artan Gjoncaj pritet që për njëzet vitet e ardhshme të kemi 11% më shumë meshkuj se femra . Që kur Shqipëria legalizoi abortin para dy dekadash ,aborti i fetuseve femërore u bë një dukuri e rëndomtë në rritje pjesë e shoqërisë tonë . Dorina Bedhia ,psikologe klinike tregoi se një nuse në gjëndje të rënduar psikologjike donte të abortone vajzën ,pasi “nuk më pranojnë më në shtëpi ,më quajnë të paaftë për të bërë djalë .Vjehrri i thoshte nuk je e aftë ,ne kemi vetëm djem”…

Sipas raportit kombëtar mbi zhvillimin njerëzor të UNDP’-së të 2005 ,disa klinika gjinekologjike në Shqipëri vlerësojnë se deri në 60% të aborteve bëhen për zgjedhje të gjinisë. Me anë të rezolutës së miratuar bazuar në një raport të deputetes zviceriane ,Doris Stump ,KE i bën thirrje Shqipërisë t’i mbështesë trajtimet për stafin mjekësor për përzgjedhjen prenatale të gjinisë ,për pasojat e dëmshme te saj dhe të intesifikojë veprimet për ngritjen e statusit të gruas në shoqëri. Sipas Suddeutsche Zeitung : Shqiptarët nuk duan të lindin vajza si kinezet dhe indianët . Zhvillimet në Ballkan janë alarmante mendon edhe Christophe Guilmoto. Pasojat e mungesës së ekuilibrit gjinor janë dramatike :Burrat nuk gjejnë gra ,mbizotëron dhuna ,prostitucioni dhe tregëtia e mishit të bardhë .Aborti selektiv ndaj seksit femër përbën provën më të mirë se diskriminimi e femrës në një shoqëri patriarkale si e jona ,fillon që në barkun e nënës.Unë mendoj se politikat mbi emancipimin e femrës shqiptare duhet të trajtojnë edhe abortet selektive dhe jo vetëm dhunën në familje. Në rrugën tonë drejt integrimit Europian,shoqëria shqiptare duhet të plotësojë përvec kritereve ekonomikë,politikë,ushtarakë e shumë kritere të tjerë ,edhe ato kritere morale, etike,dhe humane. Jemi në kohë për ta ndryshuar këtë realitet para se të jetë shumë vonë.