Share

Multimedia Activism Platform – Edison Xhakoni

Multimedia Activism Platform

 MAP quhet nisma më e fundit e Lëvizjes MJAFT!, e cila synon përgatitjen e të rinjve dhe nxitjen e tyre të kërkojnë mënyra të reja për të ushtruar presion mbi institucionet, duke mundësuar kurse të specializuara për ta në multimedia dhe vënë në shërbim infrastrukturën e nevojshme për të shprehur opinionet e shqetësimet shoqërore.

Është në thelb një garë për gazetarë aspirantë, pa përvojë  por me dëshirë, me çmime për fituesit dhe i ndarë në kategori, që janë tre: Audio (radio), video dhe shkrim. Ofron një trajnim paraprak, për socializimin dhe përgatitjen e pjesëmarrësve, i cili është edhe kushti për garën, trajnim që përfshin takimet e të shtunave në ambjentet e Tirana Ekspres  (që në vetvete është tjetër  histori), me Blendi Salaj, Endri Xhafo e Ervin Qafmollën, për të ndarë me të rinjtë përvojat e tyre dhe për t’u treguar gjëra që ndoshta në shkollën e gazetarisë nuk mësohen. Trajnimi vazhdon edhe gjatë javës, sa i përket anës teknike të punëve audio e video, me Eris Bushatin dhe Altin Sulaj, në zyrat e Mjaft!-it, por edhe me vizitat në redaksitë e ClubFM e Top Channel. Pjesëmarrësit duhet të dorëzojnë deri në fund të qershorit punët e tyre dhe fituesit shpallen brenda dy javëve të para të Korrikut. Për fituesin e fushës së shkrimit do të jepet një laptop notebook, në audio një ipod e në video një videokamera. Gjithashtu, tre fituesit do t’i bashkangjiten një tjetër aktiviteti të Mjaft!-it, një udhëtim në Europë, që Mjaft! e organizon çdo vit tashmë.  Por kjo është vetëm ana materiale.

Quhet MAP si Multimedia Activism Platform dhe ka ardhur si nevojë. Edicionet e lajmeve në Shqipëri nisin me politikë ose me kronikë të zezë, kultura dhe sporti vendosen në fund, kurse për të rinjtë pothuajse asgjë, nëse nuk janë pjesë e kronikës së zezë. Edhe nëse kjo gjendje, si çdo mungesë tjetër,  nuk bie në sy mënjëherë, krijohet gjithsesi një vetëdije, e cila mblidhet e çon në lindjen e nevojës për ndryshim. Dhe ndryshimi ka nevojë për projekt, nuk mund të jetë rastësor, e projektet nistohen nga aktivistët. Siç thoshte Ross Perot, “Aktivist nuk është ai që thotë se lumi është pis. Aktivist është ai që e pastron lumin.”, e organizata Mjaft! nuk ka mungesë aktivizmi, se shumë herë ka përveshur mëngët për ta pastruar lumin, duke mos u mjaftuar me kritikimin e institucioneve.  Projektet si MAP nuk lindin, ato ndërtohen. Madje nuk lind as nevoja për to, ajo ndjehet gjithnjë e më shumë me rritjen e ndërgjegjësimit. Prandaj nuk mund të flitet me siguri se kur apo prej kujt lindi ky projekt. Është një projekt i kolektivit, një dalje në sipërfaqe e nevojës së të rinjve për hapësirë shprehjeje, që mediat konvencionale nuk ia japin, jo pa i bërë të mbajnë anë e pa u ndjerë të paragjykuar. MAP kërkon jo të krijojë opinione tek të rinjtë, por të aftësojë ata që kanë të tilla për t’i thënë, edhe duke u krijuar mundësitë, qoftë teknike, qoftë mundësitë e publikimit. Nëse nuk ka lajme për të rinjtë, nëse nuk u kushtohet vëmendje të rinjve, të cilët janë shtresa më në nevojë sot në Shqipëri, dhe nuk flitet për nevoja ekonomike por sociale, atëherë të rinjtë duhet ta marrin vetë situatën në dorë, duhet të raportojnë vetë për çështjet që i shqetësojnë, qoftë nëpër gazeta, nëpër blogje të njohura si Peshku pa Ujë, hapësirën e të cilit Blendi Salaj e ofron pa kursim, por qoftë edhe nëpër blogje personale. Pikërisht për këtë vjen MAP, për t’u mësuar të rinjve si të kërkojnë e, nëse nuk gjejnë, të krijojnë hapësirat e tyre. Interneti është plot me hapësira, rinia plot me ide; MAP i bën bashkë dhe rezultati mbetet për t’u parë, por e sigurtë është që disa do të përfitojnë. Dhe nëse projekti vazhdon edhe në vitet e ardhshme atëherë përfituesit do të jenë më shumë, e ndoshta ndryshimin që s’e bën dallga, e bën rrëkeja. Ndoshta, (dhe me shumë mundësi), atë që revolucion nuk ka guxim ta marrë përsipër, mund ta arrijë një nismë e tillë, që paqësisht dhe miqësisht fton njerëz të bëhen sytë dhe veshët e shtresës së tyre.

Është artikuluar si nismë rreth dy vjet më parë dhe fillimisht ishte menduar të ndërtohej në formën e një qendre multifunksionale, që do të quhej Multimedia Activism Center, por Bashkia e Tiranës në atë periudhë hapi qendrën Ten, që është diçka e ngjashme dhe normalisht nuk mund të ofrohej diçka që tashmë ishte. Kështu ideja u ndryshua dhe mori formën e një kompeticioni, bashkë me trajnimet e gjithë të tjerat. Pjesëmarrësit në këtë nuk janë vetëm studentë të gazetarisë dhe asnjë kusht i tillë nuk është vënë nga organizatorët. Të gjithë pa përjashtim janë të papërvojë në gazetari dhe janë përzgjedhur  pas aplikimit online. Kushtet kryesore të përzgjedhjes janë mungesa e përvojës dhe dëshira. Në emailin e aplikuesit, përveç të dhënave të përgjithshme (gjeneralitetet, shkolla dhe dega ku studion, viti, etj.) kërkohej edhe një paragraf i shkurtër me arsyet e aplikimit, pse dëshiron të marrë pjesë dhe kjo ishte shumë e rëndësishme gjatë përzgjedhjes, aq sa ata që e kanë lënë bosh nuk janë bërë pjesë e projektit. Pra kryesore ishte dëshira për angazhim. Ka pasur pastaj që e kanë lënë rrugës, por kjo ishte paraparë sepse ndodh kudo, ndaj edhe fazën e përzgjedhjes e kaluan 56 aplikantë, numër ky i konsiderueshëm për Tiranën, që tregon se ka patur interes. Kurioz është fakti që, mes aplikantëve ka patur edhe gazetarë që punojnë në redaksi, ku ndoshta nuk e gjejnë veten, por edhe një lektor universiteti, që ishte i interesuar veçanërisht për konkurimin.

Qëllimi është të mos mbyllet me kaq. Nga njëra anë synohet që të krijohet një traditë e përvitshme e nga ana tjetër, të rinjve që marrin pjesë do t’u jepen mundësi aktivizimi në fushën e gazetarisë, duke u ofruar periudha stazhi pranë ambjenteve të Mjaft! e redaksive të ndryshme, apo edhe në shoqërinë civile, me projektet e tjera të organizatës. Për ata që do të tregojnë aftësi do të ketë mundësi punësimi nëpër redaksi dhe ndoshta nga kjo nismë, e cila është jo pa pretendime, do të dalin emra të rinj të medias shqiptare. Dhe, pse jo, do të sjellin atë për të cilën media ndoshta ka më shumë nevojë: Guximin për të thënë e mbrojtur të vërtetën!