Share

Ndryshimi që sjell kreativiteti

Prej një periudhe një vjeçare, organizata Do-lo-ri ka implementuar projektin “Creativity creates change”, të mbështetur nga Komisioni Europian, projekt i cili është zhvilluar dhe në vende, si: Serbia, Maqedonia, Bullgaria, Bosnja & Hercegovina, Greqia, Irlanda dhe Belgjika. Qëllimi i këtij projekti është të përmirësojë dhe forcojë bashkëpunimin rinor europian nëpërmjet organizatave pjesëmarrëse.

Creativity creates change synon të arrijë objektivat, si më poshtë:

  • t’u ofrojë të rinjve dhe vullnetarëve njohuri, aftësi dhe kompetenca për të përdorur metodat kreative në punimet e të rinjve;
  • të rrisë aftësitë dhe kompetencat në luftën kundër gjuhës së urrejtjes (No hate speech) online dhe të përdorë metoda kreative për ta promovuar këtë çështje;
  • të edukojë të rinjtë të planifikojnë dhe organizojnë fushata për rritjen e vëmendjes përmes përdorimit të mjeteve kreative të krijuara nëpërmjet workshop-eve etj.

Ashtu sikurse edhe organizatat, pjesë e këtij rrjeti, Do-lo-ri është angazhuar prej Majit të vitit të shkuar në luftën kundër gjuhës së urrejtjes online dhe në jetën e përditshme, duke zhvilluar 20 workshop-e nëpërmjet metodave kreative (muzikë, kërcim, fotografi dhe grafikë).

Më 6 Qershor 2016, Do-lo-ri organizoi aktivitetin promovues të projektit në ambientet e Qendrës Rinore Tiranë, duke informuar më se 60 të rinj të pranishëm, të moshave të ndryshme, mbi fushatën e No Hate Speech dhe aktivitetet që do të pasonin në vijim, me synim përmbushjen e objektivave të “Creativity creates change”.

Për dy muaj me rradhë, kjo organizatë zhvilloi workshop-e me të rinjtë e angazhuar në projekt për realizimin e produkteve mediatike, përmes muzikës, kërcimit dhe produkteve vizuale. Nga ky përkushtim i të rinjve është realizuar një flash mob në sheshin Skënderbej në Tiranë, me 30 të rinj kërcimtarë, në prani të shumë shikuesve, si dhe një këngë për të zbutur gjuhën e urrejtjes në përditshmërinë tonë. Gjithashtu, janë konceptuar fotografi me tematikë action days, sipas No Hate Movement.

Në përmbyllje të këtij projekti të realizuar me sukses, Do-lo-ri ka organizuar dhe një takim prezantues pranë Qendrës Rinore Tiranë, të punime të realizuara, duke zhvilluar diskutime me të rinjtë mbi tematikat e këtij projekti.