Share

Një ditë në ajër të pastër – Sonida Hala

Një ditë në ajër të pastër 

Mëngjesi  na  gjen  larg  zhurmave dhe ajrit  jo të pastër  të Tiranës,  te  Kodrat  e  Liqenit. Kjo  zonë  mbetet  padyshim  më  e  preferuara  për  të  kaluar  disa  orë  gjatë  fundjavës. Gjelbërimi  dhe  ajri  i  pastër  janë  arsyet  se  pse  qytetarët  zgjedhin  këtë  zonë  për  të  shëtitur,  për  të  vrapuar,  për  të  nxjerrë  fëmijët  shëtitje  apo  thjesht  për  të  marrë  rreze  dielli.  Gjatë  fundjavës  kjo  zonë  mbipopullohet  nga  të  gjithë  ata  qytetarë  që  duan  të  kalojnë  disa orë  çlodhëse.  “Më  pëlqen  shumë  të  shëtis  te  Kodrat  e  Liqenit.  Është  një  nga  zonat  e  pakta  të  Tiranës  që  ka  ajër  të  pastër  dhe  gjelbërim”-  shprehet  Eglantina  Merdini.  Ajo  tregon  se  është  student e masterit  në  Universitetin e Tiranës  dhe  pas  javës  së  lodhshme  në  fakultet  i  pëlqen  të  çlodhet  duke  shëtitur.

Lëmë  pas  Eglantinën dhe vazhdojmë rrugën tonë . Dëgjohen  cicërimat e zogjve nëpër  pemë,  pak  më  tutje  disa  fëmijë  që  luajnë.

Disa  prej  të  moshuarve  pas  shëtitjes  së  gjatë  janë  ulur  të  pushojnë.  I  afrohem  një  të  moshuare  dhe  përpiqem  të  njihem  me  të.  Emri  i  saj  është Lirie. Ajo  tregon  se  është  e ardhur  në  Tiranë  që  prej  disa  vitesh.  “Liqeni  më  jep  qetësi  shpirtërore” – thotë  ajo. “Është  një  nga  zonat  më  të  bukura  të  kryeqytetit. Më  pëlqen  të  shëtis  në  ajër  të  pastër.  Shpeshherë  më shoqërojnë  dhe  nipërit  e  mi. Këtu  ata  gjejnë  ambiente  për  të  luajtur.” –përfundon  e  moshuara.  E  falenderoj  për  bisedën  e  këndshme  dhe largohem  për  të  vazhduar  rrugën  time. Kudo  gjelbërim, pemë. Gjithcka  duket  se  është  perfekte.  Po menjëherë  ndryshon  mendje  kur  shikon  mbeturina  të  hedhura  përtokë  nga  qytetarë  të  papërgjegjshëm  dhe  pemë  të  prera.

Prerja e drurëve dekorativë dhe frutorë, konsiderohet vepër e dënueshme nga Kodi Penal i Shqipërisë. Sipas nenit 206 të këtij Kodi: Prerja e drurëve dekorativë dhe dëmtimi i lulishteve e parqeve nëpër qytete përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë. Prerja e drurëve në pemëtore, ullishta e vreshta, pasi është refuzuar më parë leja e prerjes nga organet kompetente, përbën kundërvajtje penale e dënohet me burgim deri në tre muaj, thuhet në Kod. Po pavarsisht kësaj ka pasur shumë raste kur këto pemë janë prerë dhe dëmtuar. Rasti më i  fundit i shpyllëzimit është ai afër rrugës së Elbasanit ku sipas Bashkisë prerja e druve është bërë me qëllim zgjerimin  e rrugës së lartpërmendur.

Për të ndaluar prerjen e pemëve u zhvillua dhe një protestë ku morën pjesë  Forumi për mbrojtjen e Trashëgimisë  Historike, Ekolëvizja dhe Qendra Shqiptare e Trashëgimisë, studentë  dhe qytetarë. Në një sondazh online të Shqiptarja.com rezulton se 82.74% nuk duan që të shpyllëzohet Parku i Liqenit, 16.07% e duan një gjë të tillë ndërsa 1.19% janë të pavendosur. Gjithsesi ky sondazh nuk ka vlerë statistikore. Siç thamë dhe më lart parku është një nga zonat e vetme me gjelbërim prandaj duhet ruajtur me kujdes. Po të mos ishte për Kodrat e Liqenit shumë nga tiranasit nuk do ti kushtoheshin sportit sepse në rrugët gjithë pluhur të Tiranës është e pamundur  të bësh vrap. Por kryesisht njerëzit  “pushtojnë” Kodrat e Liqenit pasdite, pasi sipas tyre “kjo është koha kur është më fresk dhe më shumë qetësi”.

Liqeni, gjithashtu, është oazi i dashurisë për të rinjtë. Kudo sheh çifte që shëtisin apo janë ulur dhe bisedojnë. Kodrat e Liqenit konsiderohen  “mushkëria” e kryeqytetit. Po në një publikim online  të gazetës “Republika’’-  thuhet se liqeni është drejt tharjes. Sipas kësaj gazete niveli i ujit ulet dita-ditës dhe pjesa që ka mbetur vazhdon të jetë i ndotur. Po gjithsesi qytetarët nuk e kanë humbur interesin për këtë zonë. Parku i liqenit artificial, mbetet hapësira e vetme e cila i sjell banorët e kryeqytetit, më afër natyrës.

Parku i liqenit artificial të Tiranës u realizua me goditje të përqëndruar në jug të kryeqytetit në vitet 50-të. Një nga projektuesit e tij ishte inxhinieri i njohur Nuri, i cili u përpoq që bazeni dhe pylli i sapombjellë në terma afatgjatë do të ishte mushkëria potenciale e Tiranës, por ndërkohë të kishte dhe atribute të mëdha argëtuese. Në vitet e socializmit, ai shpëtoi falë mungesës së njerëzve atje dhe kulturës së pakët për ta shfrytëzuar si duhet. Edhe fillimi i viteve ’90 e gjeti të paprekur, por ndërkohë si në të gjithë Shqipërinë u shfaqën dendur njerëzit që filluan duke prerë drurët. Deri në orët e vona të mbrëmjes, parku i liqenit artificial i Tiranës shoqërohet  nga gjallëria dhe lëvizja e njerëzve, të cilët marrin me vete edhe kënaqësinë që të fal natyra.