Share

Përballë një sfide – Sonida Hala

Përballë një sfide

Çdo vit maturantët përballen me një zgjedhje shumë të vështirë. Ata duhet të vendosin për të ardhmen e tyre. Të vendosin se cfarë do të bëhen në të ardhmen. Kjo s’është aspak e lehtë. Po sa ndihmë marrin ata për të ndërrmarë një hap vendimtar në jetën e tyre? Sa mbështetje marrin prindërit? Sa orientohen nga mësuesit e tyre?

“Nuk mora asnjë ndihmë nga mësuesit e mi”-shprehet një prej studenteve të vitit të parë, dega gjeografi, në Universitetin e Tiranës. Ajo tregon se ka mbaruar në gjimnazin “Shefqet Guzi”, në qytetin e Gramshit. Vajza thekson se nuk e donte këtë degë por e ka zgjedhur vetëm sepse ishte në Tiranë. “Ndoshta nuk ishte zgjedhja ime më e mirë po tani nuk kthehem dot më prapa”- përfundon ajo.

Ndryshe shprehet një vajzë tjetër nga qyteti i Gramshit. Ajo quhet Servete Kullolli dhe është studente në degën gjuhë-letërsi në Universitetin  e Tiranës.“Gjuhë-letërsia ka qenë preferenca ime e parë. E kam pasur ëndërr që në fëmijëri”- thotë ajo. Ajo tregon se e ka ndihmuar mësuesja kujdestare për të plotësuar formularin dhe për të mbledhur pikët.

Edukimi dhe orientimi për karrierën është i rëndësishëm për të ndihmuar të rinjtë që të kuptojnë veten, të përdorin mjetet e nevojshme për të kuptuar mundësitë e disponueshme të punësimit dhe të zhvillojnë ato aftësi të cilat janë të nevojshme për këto mundësi. Është e rëndësishme që shkollat të ofrojnë një program të kuptueshëm për edukimin dhe orientimin për karrierën me qëllim që nxënësit të mund të marrin vendime realiste për karrierën e tyre.Nxënësit duhet të kuptojnë qartë botën e punës në mënyrë që të marrin një vendim realist për karrierën e tyre. Sipas MASH-it ata që i ndihmojnë këta nxënës të njohin botën e punës duhet të jenë mësuesit dhe psikologët.

Por sa e realizueshme është kjo?

Jolanda Haxhiu nga qyteti i Librazhdit, studente e degës gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës thotë se nuk ka pasur ndihmë nga psikologia e shkollës por vetëm nga mësuesja e saj kujdestare.“Nuk e kam dashur këtë degë, ma kanë imponuar prindërit. Ishte ëndrra e tyre që unë të studioja për gjuhë-letërsi”- shprehet ajo.

Në një artikull të Luljeta Ndokës në“Koha Jonë Online” thuhet se pika më e vështirë e aplikimit për në shkollat e larta është përzgjedhja e degës së duhur. Sipas këtij shkrimi kjo gjë nuk mund të bëhet duke marrë parasysh vetëm preferencën por dhe duke analizuar me laps e letër se ku është mundësia më e madhe për të fituar. Zgjedhja e një dege të gabuar mund të lëvizë rezultatin me qindra pikë. Të gjithë komponentët e maturës janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe një gabim sado i vogël mund të kushtojë një vit arsim të lartë. Për të zgjedhur preferencat e tyre maturantët duhet të njihen me profesionet. Është me rëndësi që zgjedhja e tyre të bëhet në bazë të dëshirave që kanë, në aftësitë dhe talentin. Gjithashtu ata duhet të kenë mbështetjen e prindërve.

Sipas nenit 14 të Rregullores së Maturës Shtetërore është Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore ai që ndihmon dhe sqaron çdo maturant për provimet e Maturës dhe për plotësimin e formularëve përkatës në përputhje me zgjedhjet e tij.Maturantët duhet të marrin të gjithë ndihmën e duhur për të zgjedhur preferencat e tyre pasi bëhet fjalë për jetën e tyre dhe për atë që do të bëhen nesër.