Share

Periferik, edhe pse ne qender – Megi Mulita

Periferikë, edhe pse në Qendër

Nëpërmjet medias së shkruar dhe vizive informohemi se në periferi të Tiranës do të ndërtohet një qendër e riciklimit të mbetjeve urbane dhe se mbetjet mund të vijnë edhe nga jashtë, si lëndë e parë për këtë industri. Po nga mediat, mësojmë dhe shikojmë se si pjesë të parkut natyror të Tiranës “kafshohen” për të zgjeruar rrugën për në Sauk.

Ndërsa në kujtesë më vijnë premtimet e mitingjeve elektorale në prag zgjedhjesh, se zëri ynë do të dëgjohet për mënyrën sesi qyteti ku banojmë do të ndërtohet, se si do të përdoren buxhetet dhe taksat e qytetarëve.

Në çdo hap që hedhim kur ecim nëpër Tiranë, madje edhe në mes të kafeneve të bllokut, ne përballemi me një ralitet urban të ngjashmëm me atë të periferive të qyteteve industriale të shekullit të XX. Rrjete të infrastrukturës dhe komunikimit jo funksionale, të demtuara dhe keq organizuara, apartamente të banimit në blloqe pallatesh pa dritë, hapësirë dhe gjelbërim, hapësirat publike të uzurpuara nga sjelljet dhe interesat e individëve e grupeve rastësore që kanë gëzuar pushtet informal dhe përballë fitimit nuk kursejnë asnjë pëllembe toke.

Të gjitha ndodhin në një vend pranë qendrës se Europës natyrore, në një kohë ku ne, qytetarë të shekullit të XXI duhet ta ndërtojmë vetë të ardhmen dhe hapësirën ku jetojmë.

Mpleksjen e telave të telefonit, internetit, energjisë elektrike, dhe gjithëfarllojë kabllove të ndryshëm në çdo rrugë dhe qoshe të ndërtesave të Tiranës do ta kishte zili çdo lloj merimange që thurjen e rrjeteve e zotëron në perfeksion.

Bashkëjetesën e kanaleve e tok me to edhe të ujërave të bardha e të zeza, gojët  e zeza të pusetave në çdo rrugë qendrore, si këtu në Tiranë, vështirë se mund ta gjesh në ndonjë vend tjetër, sado i prapambetur qoftë ai.

Blloqe pallatesh dhe apartamente banimi pa asnjë dalje të emergjencës, elementë të sigurisë sociale, mungesë të gjelbërimit, apo mungesën e rrugëve që të sjellin zjarrfikset në rast zjarresh, janë realitete shumë të prekshme në jetën tonë të përditshme, njëherazi shumë të papranueshme për shoqërinë evropiane. Treguesit e sipërpërmendur më së miri tregojnë se ne jemi periferik në raport me vlerat dhe standartet e jetesës së vendeve të BE-së ku duam të integrohemi.

Sa herë që flasim për vlerat, ne Shqiptarët vendosim si referencë apo si model krahasimi standartet e shoqërisë së BE-së.  Kështu bëjmë çdo herë që flitet për demokracinë, shoqërinë, natyrën e mjedisin, për mënyrën sesi shoqëria ndihet “e lumtur”.

Në raport me këta tregues apo, duke vendosur në qendër Brukselin dhe Strasburgun, synoj të mas pozicionin e brezit tim në raport me qendrën e vlerave Evropiane të demokracisë, humanizmit dhe sjelljeve shoqerore në komunitetin ku jetojmë.

Gjeografikisht ne ndodhemi pothuajse ne qender të Evropës: nga ishujt Britanikë në Urale e deri te deti i Veriut në brigjet e Magrebit, as më shumë e as më pak në qendër të hapësirës Evropiane. E megjithatë e ndiejmë qe jemi larg Evropës.

Nga dijet e marra nëpër auditore, kam mësuar se nëse më mungojnë shërbimet, rrjetet e komunikimit dhe infrastrukturës dhe nëse këto nuk janë jetësore, unë jam periferik edhe pse jetoj në qendër të Tiranës dhe kafen e përditshme e pi në “Bllok”, simbolin e hapsirës ku jetonin politikanet dhe shtetarët e periudhës së komunizmit. Nëse unë nuk pyetëm dhe bëhem pjesë e vendimmarrjes për mënyrën sesi duhet të zhvillohet hapësira ku unë jetoj, a nuk jam unë periferike në raport me demokracinë që mua qytetarin më vendos në qendër të vendimmarrjes?  Ne jemi periferikë edhe pse ndonëse bëjmë jetë partiake e politike, apo jemi pjesë e grupeve apo organizimeve shoqërore, ne nuk e marrim mundimin t’i trajtojmë dhe zgjidhim këto probleme brenda vetë këtyre institucioneve. Pavarësisht numrit të të rinjve në Tiranë sot, i cili shkon rreth 200 mijë, vetëm një pjesë e vogël e tyre bëhen pjesë e këtyre grupimeve apo lëvizjeve. Po zëri i pjesës tjetër, i asaj dërrmuese? Si ka mundësi që ne të rinjtë nuk e ngrejmë zërin për asnjë nga problemet e shumta që kemi? Ky është ndoshta problemi ynë më i madh. Thua se probleme nuk ka e gjithçka shkon mirë. Reagimi ndaj këtyre çështjeve mbetet në nivelin e ndonjë ankese me grupin e ngushtë shoqëror e nuk shkon më tej. Kështu ne i largohemi vetë qendrës së vendimarrjes dhe transformohemi në periferikë.

Ndonëse personalisht ende nuk kam votuar, prej më shumë se një dekade dëgjoj, shikoj, përjetoj dhe përfshihem në gjithçka, por që të përbashkët me demokracinë nuk ka asgjë. Fjalori politik është i mbushur me grindje, konfliktualitet, mosbesim, mungesë transparence dhe akuza të ndërsjellta për vjedhje të lirisë, për të zgjedhur. Sa larg demokracisë evropiane e sa periferikë kundrejt institucioneve dhe portave të Evropës ku të gjithë duam të shkojmë.

E ndodhur larg vendimmarrjes, mendimit dhe vullnetit tim, në mungesë të komunikimit dhe informimit e ndjej veten periferike, edhe pse jetoj në qendër të Tiranës. Ndotja e atmosferës, e ambjentit, e përzier me ndotjen akustike dhe atë pamore, të zaptuara nga ndotja politike e injektuar në trupin e shoqërisë na ka imunizuar me këtë gjendje dhe na kanë ulur ndjenjën e reagimit qytetar.

E megjithatë e pranojmë ketë realitet, në kohën kur fatet dhe vullnetin tonë duhet ta zgjedhim vetë. Qetësinë e përkohshme e gjejmë në kafenenë e rradhës e jo në kërkim të një jete më të mirë. Ndonëse përjetojmë një realitet të tillë, në këtë areal indiferentizmi dhe rehatie të kënetës ka vatra shprese dhe optimizmi. Grupe të rinjsh universitarë, përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile tregohen tepër aktivë dhe reagues për tu bërë pjesë e ndryshimit dhe vendimarrjes për një shoqëri më të mirë. Dëshiroj nëpërmjet këtij artikulli të shpreh mbështetjen për këto grupime të shoqërisë, t’i bëj thirrje gjithë brezit tim, si edhe unë për tu bërë pjesë e ndryshimit nëpërmjet pjesëmarrjes konkrete në çdo fazë të vendimmarrjes dhe politikbërjes për të ardhmen e qytetit ku ne jetojmë. Në këtë mënyrë nuk do të jemi do të jemi periferikë por do të kontribojmë që qeverisësit tanë ta vendosin qytetarin në qendër të vëmendjes. Njëherazi, duke u sjellë kështu do të ndihemi afër qendrës së Europës, e cila i vendos qytetarët në zemër të politikbërjes dhe qeverisjes.

Ndryshimin e madh duhet ta fillojmë me hapat tanë të vegjël.

 

 

4 Comments on this Post

  1. Keti Gjipali

    Te lumte Megi! Moza, e sidomos Liliana Guga do te ishin krenare per ty , ashtu si dhe une!

  2. Keti Gjipali

    Te Lumte Megi !
    Moza, e sidomos Liliana Guga do te ishin krenare per ty, ashtu sikurse edhe une!

Comments are closed.