Share

Proçesi i zbatimit të VKQ në Tiranë

Ditën e enjte në 14 nëntor 2013, u zhvillua në Ambjentet e Tirana International nga CRCA(Qëndra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri ) dhe Lëvizja MJAFT! si dhe organizata rinore një takim i të rinjve me autoritetet vendore në kuadër të proçesit të VKQ-ve, takim ky i mundësuar nga Olof Palme International Center ku e pranishme ishte dhe përfaqësuesja e këtij fondacioni, Plejada Gugashi. Të pranishëm në këtë takim ishin: Viola Sterjo, Anila Zylfi pjesëtarë të Bashkisë së Tiranës, Florian Pullazi nga Këshilli Bashkiak Tiranë, , Denis Zavalani nga Këshilli Rinor në Bashkinë e Tiranës, si dhe përfaqësues të drejtorive rajonale të formimit profesional të të rinjve në njësinë 4 dhe 10 në, Tiranë.
Hapjen e takimit midis të rinjve dhe përfaqësuesve të Këshillit Bashkiak e bëri Altin Hazizaj, drejtori i Qëndrës për Mbrojten e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri e më pas do të vijonte Blerina Metaj me prezantimin e fazës së pestë të projektit:”Proçesi i zbatimit të VKQ në Tiranë”. Diskutimi do të vijonte me debatet rreth pikave që shqetësojnë të rinjtë dhe që ishin si mëposhtë vijojnë:
1) Mosfunksionim korrekt i Portalit të Punësimit në Bashkinë e Tiranës (mosrakordim i kërkesave të punëkërkuesve me ofertat e punëmarrësve)
2) Karta Bashkiake e Studentit jo funksionale (mungesë informacioni nga të rinjtë, afate të gjata kohore dhe burokraci për marrjen e kartës, mosnjohja e kartës për marrjen e aboneve të studentit)
3) Pjesëmarrje e ulët e të rinjve në vendimmarrjen e Bashkisë Tiranë
4) Mungesa e një qendre publike multifunksionale për të rinjtë në Tiranë / përshtatshmëria e aktiviteteve të kohës së lirë për të rinjtë

5) Buxhet i vogël për të rinjtë dhe i paspecifikuar në Bashkinë e Tiranës
6) Buxhet i vogël për Drejtoritë Rajonale të Formimit Profesional (DRFP) (gjë që nuk lejon shtimin e kurseve dhe zgjerimin e metodave informuese)

7) Të rinjtë të painformuar për ekzistencën e DRFP dhe kurset profesionale që ofrohen në to
Buxhet i pa specifikuar për punësimin e të rinjve në Shërbimin Kombëtar të Punësimit (SHKP)

Disa nga këto problematika u arritën të cilësoheshin gjatë takimeve që përfaqësues të CRCA zhvilluan me përfaqësuesit e Lëvizjes MJAFT! në kuadër të projektit Multimedia Activism Platform 2. Dorela Milo koordinatore e këtij projekti prezantoi fazat e zhvillimit dhe punimet që sollën studentët për këtë projekt, ku disa nga çështjet që ishin trajtuar janë: Karta e Studentit, Portalit I Punësimit në Bashkinë e Tiranës si dhe Mungesa e Qëndrave Multifunksionale për të rinjtë e Tiranës. Menjeherë pas prezantimit fjalën e morën studentet pjesëmarrëse në projekt: Marilda Kasaj, Sonila Biba, Arjola Buzi, Xheni Lame, Sara Lleshi për të folur më shumë rreth temave të sipërpërmendura duke shfaqur më mirë problematikat që i shqetësojnë dhe se çfarë mund të bëhet më shumë nga ana e autoriteteve vendore. Përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak u treguan mjaft të hapur ndaj këtyre problematikave madje dhanë dhe opinionet e tyre se çfarë mund të bëjnë të rinjtë pjesëmarrës në debat. Sugjerimet që u dhanë në lidhje me tre problematikat që janë ngritur në projektin MAP 2 paraqiten si mëposhtë:
• Karta e studentit.
1.Listimi dhe publikimi i shërbimeve që Karta e Studentit realisht ofron në Web e Bashkisë
2.Përditësimi i memorandumeve dhe gjetja e mekanizmave bashkëpunues mes Bashkisë dhe institucioneve/bizneseve që ofrojnë shërbime me kosto të ulët për kartën e studentit
3.Lidhja e marrëveshjeve mes Bashkisë dhe kompanive të transportit publik në Tiranë për uljen e kostove të transportit për studentët me kartë
• Portali i Punësimit.
1. Ngritja e një strukture koordinuese (p.sh. Bord monitorues dhe këshillues i të rinjve) për portalin e punësimit
2. Pasurimi i vazhdueshëm i Portalit me lajmërime për vende të reja pune dhe trajnime për të rinjtë
3.Rakordim i kërkesave për vende pune me ofertat e përshtatshme
4. Rakordim i Portalit të Punësimit në Bashkinë e Tiranës me Portalin Kombëtar të Punësimit të të Rinjve
• Mungesa e Qëndrave Publike Multifunksionale për të rinjtë e Tiranës.
1.Rritja e aksesit të të rinjve në qendrat ekzistuese (Qendra Teen) të Bashkisë së Tiranës dhe bërja e tyre funksionale
2.Tavolinë konsulte e Bashkisë (Drejtoria e Rinisë) me të rinjtë për aktivitetet e kohës së lirë
3. Publikimi i planit të aktiviteteve vjetore kulturore dhe sportive për të rinjtë në web e bashkisë dhe rrjetet sociale
4. Organizimi i një takimi mes Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Arsimit dhe grupeve rinore për përdorimin e ambienteve sportive të shkollave nga të rinjtë

Në mbyllje të takimit u falenderuan pjesëmarrësit për debatin frytëdhënës si dhe për bashkëpunimin e tyre i cili do të vazhdojë me takime të tjera në Këshillin Bashkiak.