Share

Profili i një antikonformisti….Erion Kristo

Profili i një antikonformisti
Të shkosh kundër rrymës nuk është e lehtë. Mjedisi social që të rrethon mund të të konsiderojë të cuditshëm, e madje të krijojë mendim të gabuar duke të të përkufizuar si pesimist, mendjemadh apo antisocial. Por kur rryma është gabim, cfarë je?
Të kesh një sjellje që i thotë cdo fenomeni negativ “NDAL!” duke e parë dhe lexuar realitetin, është shembulli i të paturit Inteligjencë, e cila nga ana e saj, sipas përkufizimeve të enciklopedive sociologjike, është treguese e një shpirti Intelektual. Shpirti intelektual dhe inteligjenca ndërthuren në marredhënie të ndryshme duke u karakterizuar nga shpirti kritik, që nuk është dakord me realitetin ekzistues.
Një karakter i tillë është Erion Kristo, njeriu që është përkufizuar me protestën politike, shoqërore dhe morale. Njeriu që nuk ngurron të thotë “JO!” kur e gjithë “bota” thotë po,e në fakt duhet thënë si ai. Shembulli tipik i njeriut me karakter revolucionar, që nuk nguron të lexojë realitetin duke mos i thënë e bardhë, asaj që në thelb është e zezë. Një personazh që nxiton gjithmonë, sepse nuk ka kohë, por gjen kohë për gjithcka, e si rrjedhojë axhenda e ngarkuar e tij vërtitet rreth gazetarit, opinionistit, aktivisit e pedagogut. Të gjithë profesionet e misionet e tij janë antikonformiste, janë ndryshe, nuk janë si masa.
Ai nuk është rasti i gazetarit që fsheh realitetin për arsye te ndryshme, por shembulli tipik i gazetarit që me sy kritik e lexon këtë realitet. Gjithashtu masa shoqërore bëhet aktiviste për arsye që nuk janë në të mirë të problemit, ndërsa për të, të jesh aktivist do të thotë të ngresh zërin kundër padrejtësive, problemeve dhe nevojave të vendit. Nuk arrihet ndryshimi nga një, dy apo një grup i vogël individësh. Ndryshimi arrihet nëse zëri është në kor; kori është masiv, dhe pikërisht këtë kor thekson ai. Nuk mund të lihet pa përmendur edhe misionin e tij si pedagog. Edhe këtu vërehet se ai nuk është si masa, nuk është pedagogu klasik me një pamje të egër sic ndodh rëndom në institucionet arsimore shqiptare, por është shembulli i një pedagogu që nuk shpjegon,as ilustron,por…frymëzon.
Gjatë intervistës me Erion Kriston u munduam të hynim pak në mbretërinë e mendimeve të tij. Një mbretëri e madhe realisht! Një mbretëri që të mban pezull, të shtyn të mendosh: Ku po jetojmë ne? A është Shqipëria ajo që na serviret? A po jetojmë në një demokraci të kriminalizuar? Po të rinjtë ku janë fshehur vallë? Me pak fjalë, ai paraqet një Shqipëri të kriminalizuar, një vend të padrejtë të parë nga syri realist. Për të, shoqeria jonë nuk duhet të luftojë kundër padrejtësisë, dhunës, shtypjes për respeskt të dikujt, por për respekt të vetes, për respektin e të qenurit qytetar. Mendime ndryshe, mendime që godasin atë që masa e përkedhel në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë. Mendime që krijojnë kornizën e një intelektuali dhe në fakt, gjithmonë është vërtetuar se intelektualët janë antikonformist.
Si përfundim, Erion Kristo është ndoshta ndër të vetmit që jep një profil të një Shqipërie ndryshe, të një Shqipërie reale. Jep tablonë pa ngjyra, pa dritë, pa figura, të cilën të tjerët e servirin si një vepër madhështore. Jep korpusin e ndodhive të shoqërisë të lexuar me syrin vigjilent dhe realist. E në fakt,njerëz të tillë në shoqërinë tonë fatkeqësisht mungojnë, prandaj edhe Kristo mund të cilësohet si një antikonformist, i cili në fakt në thelb është idealist…është thjesht, Erion Kristo kundër rrymës.

Grupi 2: Sindorela Salaj, Rexhina Biba, Klodian Taramani, Teuta Taramani, Kesilda Gjoka

Leave a Comment