Share

Proteste e studenteve te Fakultetit te Histori-Filologji, dega Gjeografi

 

Tiranë, 28.05.2013

Deklaratë për shtyp

Ne, një grup prej rreth 100 studentësh të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, dega Gjeografi, të Universitetit të Tiranës, jemi mbledhur këtu sot për mbajtur këtë qendrim publik i cili lidhet me zbatimin e Vendimit nr. 997 dt. 10.12.2010 të Këshillit të Ministrave për Trajtimin Financiar të Punonjësve që Dërgohen me Shërbim Jashtë Qendrës së Punës, Brenda Vendit”

Sipas programit të studimit ne duhet të kryejmë disa ekspedita për praktikë mësimore, të cilat prekin zona të ndryshme të Shqipërisë, dhe disa prej tyre janë në largësi mbi 100 km larg, ku sipas VKM të sipërpërmendur studentëve u mbulohen shpenzimet e udhëtimit dhe fjetjes. Vendimi, në pikën V të tij, përcakton se autorizimi i këtyre shpenzimeve bëhet me vendim të titullarit të institucionit qendror, pra Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në rastin tonë dhe në pikën VII të po këtij vendimi thihet se “…shpenzimet e udhëtimit dhe fjetjes përballohen nga institucioni përkatës i arsimit, sipas dokumenteve përkatese tatimore, të përcaktuara në pikën IV, të këtij vendimi”.

Prej pak ditësh, pas daljes së një Urdhëri të Brendshëm të Dekanit të Fakultetit tonë, Prof. Dr. Shezai Rrokaj, me nr. 636 dt. 13.05.2013, ndryshe nga praktika e ndjekur në vitet e kaluara, na është komunikuar se Universiteti i Tiranës nuk merr përsipër të mbulojë shpenzime dhe të organizojë ekspedita në largësi mbi 100 km nga Tirana, me motivacionin se nuk është kompetencë e tyre, sipas VKM të sipërpërmendur. Kjo na është bërë e qartë në një përgjigje me shkrim nr. Prot 68 dt. 20.05.2013 të Dekanit. Universiteti nuk merr përsipër as të nisë praktikën përkatëse për të marrë autorizimin e Ministrit, duke hequr dorë praktikisht nga ekspeditat në distancat në fjalë. Deri tani nuk jemi në dijeni të ndonjë problemi që lidhet me mangësitë financiare, pasi vetë Dekani është shprehur në një takim se,  institucioni që ai drejton i ka mjetet financiare të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet e ekspeditave, por që autorizimi i tyre është kompetencë e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Sipas nesh, por edhe sipas shumë pedagogëve tanë, ekspeditat janë shumë të rëndësishme për të plotësuar programin mësimor dhe formimin tonë profesional. Vlen të theksojmë se deri tani i kemi ezauruar ekspeditat në qytetet e afërt dhe nuk ka asnjë arsye pse këto ekspedita të përsëriten në të njëjtat zona, ndërkohë që mbeten pa u studiuar shumë zona të tjera të domosdoshme.

Pjesë e përpjekjeve tona për zgjidhjen e këtij problemi ka qenë dhe kërkesa drejtuar Rektorit të Universitetit të Tiranës z. Dhori Kule. Në pergjigjen e kthyer nga Rektorati, me nr.prot 1441/1, i dates 23.05.2013, Rektorati nëpërmjet Kancelarit z.Robert Skenderi, i ka kërkuar Fakultetit të Histori Filologjisë, që të zbatohet Vendimi i Këshillit te Ministrave nr.997, datë 10.12.2010, pika VII.

Në kushtet kur ekspeditat janë të domosdoshme, kur ato janë kryer cdo vit duke formuar tashmë një praktikë të konsoliduar, kur nuk mungojnë as mjetet financiare për mbulimin e shpenzimeve, mbetet për t’u sqaruar mënyra sesi do të realizohet institucionalisht autorizimi i tyre. Ne keto kushte, ne i drejtohemi Dekanit te Fakultetit te Histori-Filologjise z. Shezai Rrokaj, njëkohësisht dhe Ministrit të Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj, që të gjejnë një zgjidhje përfundimtare dhe të menjëhershme për problemin tonë.