Share

Punësimi Rinor – Enxhi Likaj

Shqipëria sot po prodhon mijëra të papunë me diplomë. Papunësia rinore është dhe pjesa më problematike e punësimit në tërësi. Shkalla e punësimit të grupmoshave të reja është 20 % më e ulët se ajo kombëtare. Sipas të dhënave, të rinjtë në forcë punëtore përfaqësojnë rreth 41.6% të popullsisë në moshë nga 15-29 vjeç, ndër të cilët një përqindje shumë e vogël është e punësuar . Papunësia paraqitet si një ndër plagët më të hapura e më të thella të shoqërisë tonë. Rreth një milion të papunë janë të rinj e të reja që dalin nga auditorët e universiteteve.

Në anketën e fundit, INSTAT raportoi për herë të parë se gati 1 në 3 të rinj kanë kryer arsimin e lartë. Pas vitit 2004 Shqipëria ndërmori një politikë shkatërruese për arsimin e lartë duke e liberalizuar atë. U rritën regjistrimet, por ekonomia nuk prodhoi me të njëjtin ritëm vende pune. Këta të rinj u drejtuan në dyert e universiteteve për mos t’u përballur me papunësinë. Universitetet u kthyen në perla që” ndritën “ mjerimin politiko-social në vendin tonë. Kur këta të rinj mbarojnë formalisht universitetin ballafaqohen me papunësinë duke humbur çdo shpresë (që me punë ky vend mund të eci para), çdo besim (tek puna si vlerë morale e shoqërore ) e çdo dëshirë për punë.

Qeveria Rama kishte si pjesë të programit të saj edhe hapjen e vendeve të reja të punës , përmes zyrave të punësimit. Pas ardhjes në pushtet ata vunë në funksion këto zyra, të cilat ndodheshin diku nëpër Tiranë, por askush nuk e dinte se ku . Zyra e parë u hap në Tiranë , ku në ceremoninë e inagurimit , në fjalën e tij, Rama tha: ”Kjo është dallëndyshja e parë e një stine tjetër në marrëdhëniet shtet – qytetar përsa i përket punësimit. Ndërsa ministri Erjon Veliaj në fjalën e tij vuri theksin në punësimin rinor dhe në domosdoshmërinë e kësaj zyre punësimi. Këto zyra u bënë ekzistente në gjithë Shqipërinë. Fondi i cili i vjen në ndihmë punësimit kap vlerën e 2.7 milion dollarëve.

Por të gjithëve na lind pyetja: A janë vërtetë funksionale?

Nëqoftëse i drejtohemi faqes www.puna.gov.al dhe shohim publikimet e postuara aty, na rezultojnë mbi 2180 vende të lira pune, ku falë këtyre zyrave janë punësuar mbi 1055 punë-kërkues në sipërmarrjen private.

“Quhem Enkelejda Abazi, 29 vjece, kam mbaruar Fakultetin e Ekonomisë dhe për shumë kohë kam kërkuar punë, por pa sukses. Me ndërmjetesimin e zyrës së punës në Durrës punoj pranë subjektit ‘Beni shpk’ ”.

Si Enkelejda ishte një numër i lartë të rinjsh që pas interesimit dhe kontaktimit me zyrat e punësimit , kanë arritur të punësohen. Një studim i bërë nga Instituti EUNACA1 tregon se shumë të rinj të papunë në Shqipëri i kanë humbur shpresat për gjetjen e një vendi pune.

“Quhem Bora Skëndi ,28 vjece ,kam mbaruar Fakultetin e Juridikut dhe pas përpjekjeve kam humbur besimin se mund të gjej punë në profesionin tim.”

Kjo tregon se pavarësisht publikimeve në këto faqe dhe punësimit të disa të rinjve, ata qëndrojnë skeptik e indiferent duke mos besuar funksionalitetin e këtyre zyrave. Madje, tek ata po vihet re një lloj pasiviteti, ku ata preferojnë të parazitojnë, duke u mbajtur nga prindërit në vend të kërkimit të një vendi pune. Kjo shpjegon dhe indiferentizmin e tyre në aktivitetet e ndryshme të zhvilluara së fundmi. Në 1 Maj, në Tiranë u çel Panairi i Punësimit 2014 , që vijoi për pesë ditë me rradhë, por interesi ishte mjaft i vakët nga rinia shqiptare .Gjatë pesë ditëve , Panairi i Punësimit 2014 u vizitua nga mbi 34.000 vizitorë ndër të cilët vetëm 13.840 dorëzuan një CV . Ka ardhur koha që ne të zgjohemi dhe të shërojmë plagët e trashëguara gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Të ndërgjegjësohemi se e ardhmja jonë fillon pikërisht aty .Të krijojmë një vijë paralele me bashkëmoshatarët tanë kudo në botë dhe me vullnetin e mirë të çrrenjosim mentalitet e kohës .Por me shpresën se këto zyra janë veç fillimi i një programi të gjerë për punësimin rinor .