Share

Qellimi i projektit MAP


 

MAP (Multimedia Activism Platform) është nisma më e fundit e Lëvizjes MJAFT!, e mbështetur nga Olof Palme Center, dhe e financuar nga Swedish International Development Agency (SIDA). Kjo nismë do t’u mundësojë të rinjve kurse të specializuara në multimedia si dhe infrastrukturën e nevojshme për të shprehur opinionet dhe shqetësimet shoqërore. Kjo platformë inovative synon ndërgjegjësimin e të rinjve dhe i nxit ata të eksplorojnë mënyra të reja për të ushtruar presion mbi institucionet.

Ky program pilot ka për qëllim ta rehabilitojë rolin e të rinjve në jetën qytetare, në mënyrë që kjo pjesë e rëndësishme e shoqërisë t’i shpëtojë indiferentizmit dhe skepticizmit. Me anë të aktiviteteve të ndryshme dhe mjeteve të komunikimit masiv, MAP synon të krijojë një model të ri përfaqësimi që do të ndihmojë në forcimin e demokracisë në vend me anë të investimit tek të rinjtë.

MAP nxit krijimtarinë dhe mendimin kritik të të rinjve në fusha të ndryshme të komunikimit masiv – video, audio (radio),  fotografi, shkrim, etj. Me anë të një studimi të thelluar, të rinjtë do të njihen me çështjet kryesore që do të shërbejnë si pikënisje për punën e tyre. Akademikë dhe profesionistë të shquar në fushën e gazetarisë dhe komunikimit masiv do të ofrojnë trajnime të specializuara për të rinjtë.

MAP është një mundësi e mirë për të gjithë ata që kanë opinione të pavarura, por nuk gjejnë hapësirën e duhur për t’i shprehur ato në mediat konvencionale, pa u paragjykuar.