Share

Rastësisht vullnetar!

                        24251d59-df24-47c8-8edb-9d1179cb23a5Vullnetarizmi është konsideruar, në shumicën e rasteve, si një aktivitet i ushtruar prej personave plotësisht të shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht ndaj komunitetit. Por mjaft interesant është rasti i P.B, ish-nxënës i Institutit “Ramazan Kabashi”, i cili aktualisht punon si koordinator  i vullnetarëve në një organizatë joqeveritare. I pyetur rreth viteve kur ishte pjesë e institutit, ai kujton kohën e krevateve prej hekuri, sfungjerëve të hollë dhe ku përveç pjesëtarëve të një fondacioni gjerman, askush  tjetër nuk vinte të qëndronte me ta.  Por si lindi tek ai dëshira për të qenë pjesë e akteve vullnetare?

       Keni kaluar plot nëntë vite në institutin e fëmijëve me probleme në shikim. Si ka ndikuar kjo në formimin tuaj?
“Kur unë isha në institut, nuk vinte njeri, prandaj ndiheshim të përjashtuar. Dilnim pak dhe më së shumti pa leje, ndaj u mbylla në guaskën time, gjë që ndikoi edhe në formimin tim të mëvonshëm.”

Kur thoni formim i mëvonshëm, i referoheni periudhës së gjimnazit apo dhe më tutje?
“Jo, vetëm viteve të gjimnazit. Më pas, kur isha student gjërat ndryshuan.”

Ndryshuan?
“Po. Në fakt unë regjistrohem në shkollë për punë sociale krejt rastësisht.Ishte vëllai ai që më regjistroi.U gjenda mes shumë njerëzve dhe më duhej të afrohesha me ta, por isha i tërhequr.Ndrojtjen time e kishte vënë re një nga zyshat,që vendosi të fliste me mua,të me jepte mundësinë të tregoja historinë time në orët mësimore.Kështu arrita në një pikë,që e pranova veten dhe nuk kisha  më turp të tregoja se isha arsimuar në institut.”

Kuptuam që arsimimi universitar ishte krejt rastësor. A mund të themi të njëtjën gjë për përfshirjen tuaj në punët vullnetare?
“Deri diku po, për aq kohë sa gjithçka nisi pa dëshirën time. Megjithëse, kur u njoha me faktin se për punën vullnetare na duhej të shkonim në institut, atëherë thashë: Unë jam i pari!”

A ju ndihmon përvoja juaj? Ia tregoni ju faktin që edhe ju dikur keni qenë si ata?
“Unë flas shumë me fëmijët dhe ndaj përvojat e mia me ta. Kjo gjë ndihmon në vetëvlerësimin e tyre.”

Kanë ata vetvlerësim të ulët?
“Kanë,fatkeqësisht po.”

Përsa i përket punës vullnetare, një vullnetar, që nuk ka përvojën tuaj, si familjarizohet me fëmijët?
“Edhe ata mundohen të ndajnë disa nga përvojat e tyre deri në një kufi të caktuar. Pjesa më e madhe përpiqet  të hyjë në  botën e fëmijëve,por ka raste kur vullnetart familjarizohen më shumë seç duhet. Duket e çuditshme,ama kjo ndikon negativisht te fëmijët.”

Si arrini ju të hyni në botën e fëmijëve?
“Më kujtohet tani rasti i një djali, që nuk mund të shikonte fare. Prej dy ditësh qëndronte në të njëjtin vend.  Iu afrova, por nuk më priti mirë.  Atëherë u mundova të hyj te ajo pjesa e errët ,që e rrethonte duke i ofruar një xhiro rrotull,por nuk pranoi. Aty më tregoi se kishte mbetur mbrapa me mësimet. Bëra vetëm një gjë, i premtova se do të flisja me mësuesin. Pas kësaj, e vetmja gjë që tha ishte: Do bëjmë xhiro tani?”

Si bëhet përzgjedhja e vullnetarëve në organizatën tuaj? A ka një sistem filtrimi?
“Personi i interesuar për vullnetar shpreh  fillimisht  fushat e tij të interesit dhe më pas trajnohet. Sigurisht që ndikon edhe përkushtimi, dëshirat dhe personaliteti i çdokujt. Trajnimet janë në mënyrë të rregullt, duke qenë se vullnetarët vijnë vazhdimisht. Ne i informojmë në lidhje me institucionin, me aktivitetet që bëhen dhe çfarë pune  kryejmë konkretisht çdo dite.Gjithashtu ofrojmë dhe mundësinë për ta provuar si vëzhgues i thjeshtë, në mënyrë që të shohë gjithçka nga afër.”

Keni tentuar të bëni punë vullnetare ndaj njerëzve me problematika të tjera?
“Përpara disa kohësh kam shkuar te instituti i fëmijëve që kanë probleme me dëgjimin dhe nuk mundesha për shkak të vështirësisë në të kuptuar gjuhën e tyre. Ndaj vendosa të mos shkoj më. E mira është, që gjithsecili të provojë veten dhe të kuptojë nëse e bën dot ose jo.”

Duket se, edhe pse krejt rastësisht,jeni mjaft i përkushtuar ndaj institucionit ku zhvilloni aktivitetin vullnetar.
“Është e vërtetë. Që në momentin kur hyj në derë kam të paktën 6 fëmijë pranë meje: një e kam në qafë, tjetrin në krahë, dikush do të më takojë, disa pyesin pse nuk kam ardhur. Pra, ata më kërkojnë. Ndjesia që  më japin, më bën të shkoj cdo ditë.”

Gjatë bisedimit me P.B kuptuam  se  mungesa  e pranisë  së të tjerëve  në vitet  e  shkollimit  në  institut, padiskutim ka ndikuar shumë tek ai. Madje, mund të themi se afrimiteti i munguar  i njerëzve është shkaktari  themelor  i  formimit  të kompleksit, ku ish-mbartësi i  të cilit, të paktën  kështu  shprehet  ai, sot përpiqet të ndërtojë nje jetesë  më të  integruar  për fëmijët brenda  mureve  të  institutit.

Punoi: Sindi Salaj dhe Denisa Skodi

Leave a Comment