Share

Rrugetimi i Strategjise se Rinise vazhdon ne Shkoder!

E martë, 13 Maj

Strategjia e Rinisë në Shkodër

 

Përgjatë muajit maj, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë me mbështetjen e rrjetit të organizatave të Olof Palme Center si dhe në partneritet me Lëvizjen Mjaft janë duke organizuar një cikël takimesh me të rinjtë (kryesisht studentët e universiteteve), organizatat rinore dhe ekspertë për çështjet rinore në të gjithë Shqipërinë, në kuadrin e prezantimit të “Strategjisë së Rinisë”.

Pas takimeve me të studentët në Durrës, Elbasan dhe Korçë, këtë të martë ishte rradha për të prezantuar Strategjinë e Rinisë në Shkodër. Sipas Këshilltarit për Politikat Rinore pranë MMSR, z. Leart Kola, “Është shumë e rëndësishme që studentët të flasin për problematikat dhe mendimet e tyre, që të dalim prej të shkuarës ku zëri rinor vetëm dëgjonte çfarë i thuhej.”

Sipas përfaqësuesit të të gjithë organizatave të cilat do të marrin pjesë në këtë aksion, z. Elton Kacidhja:

“Shoqëria civile është një valvul sigurese që këto politika që gjejnë aplikim. Është mjaft e rëndësishme për planin strategjik të rinisë që të merret pikëpamja e të rinjve në gjithë Shqipërinë. Sot kemi të rinj që nuk kanë akses në shërbime që lidhen me përditshmërinë e tyre dhe jetën akademike, ndaj po ndërmarrim këtë tur për të hartuar një prioritetet që kjo të ndryshojë.”

Pas një prezantimi të piketave kryesore që do të përfshijë Strategjia e Rinisë, diskutimi u zhvendos tek studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Sipas një prej të rinjve, problematika kryesore është nxitja e të rinjve për të lexuar, në një kohë kur ata nxiten për të shpenzuar kohën pa efiçiencë. Sipas studentes:

“Nevojitet që t’u jepet të rinjve hapsira e nevojshme që ata të kenë ‘ushqimin shpirtëror’, pra librin, leximin, sipërmarrjen. Vërehet se nuk ka tendenca që të rinjtë të shkojnë në bibliotekë, pasi ato janë hapsira të cilat nuk janë modernizuar, nuk kanë ecur me hapin e kohës.”

Shqetësimi parësor për disa të rinj të tjerë ishte pikërisht një avancim i këtij argumenti, pra hobby-ve të të rinjve, infrastrukturave “të kulturës” që duhen avancuar në kuadrin e zhvillimit të marrjes së informacionit dhe dijes.

Meqënëse në Universitetin e Shkodrës ka një heterogjenitet studentësh nga një numër i madh qytetesh dhe komunash sidomos nga veriu i Shqipërisë, u konstatua një shqetësim se të rinjtë nga qytetet dhe komunave më të thella janë më pak të buxhetuar. Aktualisht nuk ekziston një lloj fondi specifik i cili alokohet tek të rinjtë. Para se çdo politikë rinore të ketë fill, është e nevojshme që këto fonde të zhvendosen specifikisht tek një strukturë për të rinjtë.

Një problematikë tjetër e ngritur prej të rinjve prezentë ishte unifikimi i zërit të të rinjve. Si mund të unifikohet dhe përforcohet zëri i tyre në një forcë lobuese? Sipas një studenti:

“Nuk mund të zgjidhet çështja e të rinjve duke qënë autoriteti bazik mbi ta politika. Studentët, nëpërmjet katedrave universitare, mund të ndërtojnë një mendim kolektiv dhe të unifikojnë zërin rinor jo vetëm në aspektin e ndikimit në politika arsimi dhe rinore, por edhe në aktivitete dhe iniciativa kreative.”

Sipas z. Kola, “Është e rëndësishme që të krijojmë strukturat e domosdoshme që të mbledhim sa më shumë mendime, që pse jo, edhe të vendosim presionin e duhur mbi ministritë për të dëgjuar studentët.”

Sipas një studenti një problem tjetër është çështja e krijimit të identitetit të studentëve nëpërmjet punësimit në sektorin ku ata janë specializuar. Me zhvillimin e biznesit fason, ka lindur një lloj alienimi i të rinjve prej profesionit të tyre, duke i bërë ata tek fokusimi i të ardhurave më shumë se tek ndjekia e idealeve të tyre. Madje duke shkuar më tej, problemi thellohet në ekstremin tjetër kur të rinjtë duan të bëhen ose juristë, ose drejtorë. Gjithsecili duhet të gjejë vetveten në profesionin e tij.

Më tej ishte rradha e diskutimeve me organizatat rinore të qytetit të Shkodrës. Si problem kyç u shtrua fakti se buxheti për rininë momentalisht është zero. Buxheti nuk është i alokuar specifikisht për të rinjtë, duke ngelur në nivel të pakënaqshëm dhe josubstancial. Dëshira për të punuar është e pakët, dhe nevojitet motivim dhe lehtësime fiskale për nismat e reja prej të rinjve. Gjendja është aq e pabashkërenduar sa edhe kompanitë fasone nuk ndihmojnë në mënyrë efiçiente në përthithjen në punë të atyre që kanë mbaruar shkollën profesionale.

U theksua se rikthimi i profesionalizmit të arsimit profesional është vendimtar në avancimin e sistemit arsimor. Nevojitet një transparencë shumë e madhe në lidhje me çfarë duhet ofruar, duke krijuar edhe ato që quhen “hapësira pa taksa”. Kjo është një nismë që do të duhej për të dalë edhe prej “rrethit vicioz” të fenomenit të call center, jo duke e parë këtë si një fenomen negativ, por duke e ridimensionuar atë në raport me fushat e tjera që u përshtaten të rinjve sipas profesionit të fituar. Organizatat dhe shoqëria civile duhet ta rrokin këtë dimension, duke u kthyer në orientimin e të rinjve.

U evidentua se një problematikë që kërkon zgjidhje immediate është hapsira e madhe boshe midis dy lloje rinish: asaj që jeton në qendra urbane, dhe asaj në qendra rurale. Nevojitet që mos të presim duke shpresuar te bizneset fasone dhe sipërmarrësit, por duke u bërë vetë sipërmarrësit, në kushtet e mbështetjes dhe inkubimit fiskal prej shtetit.

Një prej përfaqësuesve të organizatave rinore argumentoi se problemi me arsimin dhe për pasojë edhe orientimin drejt tregut fillon që në arsimin e mesëm. Duhen ngritur zyra serioze orientimi dhe sistemi arsimor parauniversitar të orientojë më shumë nëpërmjet profilizimit. Pjesa e stafit arsimor, sipas një përfaqësuesi të organizatave rinore, është për të ardhur keq. Kësisoj një nga hallkat e sistemit arsimor është e vjetëruar, duke u kthyer në pengesë për gjithë të rinjtë.

Si në të gjitha diskutimet e mëparshme, një nga problemet e nënvijëzuara ishte mosangazhimi i të rinjve nëpër aktivitete konstruktive pas mbarimit të orarit mësimor. Eksperimentimi dhe iniciativat e reja të të rinjve mungojnë në qytetin e Shkodrës, pikërisht për këto arsye. Në këtë kuadër qendrat rinore multidimensionale janë të nevojshme, për të minimizuar fenomenin e “kafeneve” dhe shumë mënyrave të tjera jokonstruktive të kalimit të kohës së lirë.

Një studente propozoi krijimin e një kampi studentor afër lumit të Bunës, bashkuar me një qendër sportive, udhëtime turistike në barkë, e kështu me rradhë. Sipas saj,“Pozita gjeografike e favorshme e qytetit bën të tillë që edhe udhëtimet turistike malore të jenë të mundshme. Këto do të ndihmojnë drejtpërsëdrejti në promovimin e kulturës turistike në Shqipëri, mbajtjen pastër të ambientit, mbushjen e kohës së lirë me diçka të mirë, dhe krijimin e frymës vullnetare. Kjo nismë të menaxhohet prej të rinjve, në mbështetje prej Parliamentit Rinor dhe universitetit. Zhvillimi i aktiviteteve të jetë fitimprurëse dhe jofitimprurëse.”

U evidentua se në këtë moment ekzistojnë shumë trajnime për leadership. Këto shpesh asociohen me politikanët, politikën, duke shmangur strategjitë për shoqëritë civile. U sugjerua se filozofia e trajnimeve masive duhet të ndryshojë dhe të zhvendoset prej leadership-it, tek menaxhimi.

U theksua edhe njëherë problemi i bibliotekave të cilat kanë pësuar njëfarë vjetërimi. Poashtu biblioteka kryesore e qytetit mbyllet që në orën 15:00 të drekës, që do të thotë se studentët që ndjekin shkollën e kanë të vështirë të lexojnë për një orar të zgjatur atje. Bibliotekat duhet të kthehen në hapsira multidimensionale dhe të tërheqin më shumë studentin.

Në fund të takimit, u theksua rëndësia e mbajtjes së kontaktit të vazhdueshëm me organizatat rinore si nismëtare dhe orientuese të politikave rinore.