Share

Strategjia e Rinise ne qytetin e Korces!

7 Maj 2014

Të rinjtë e Korçës diskutojnë për Strategjinë e Rinisë

 

Më 7 maj u organizua në Korçë takimi me studentët e Universitetit “Fan Noli” në lidhje me krijimin e Strategjisë së Rinisë, një nismë e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë me mbështetjen e rrjetit të organizatave të Olof Palme Center si dhe në partneritet me Lëvizjen Mjaft.

Studentët e këtij universiteti shprehën jo vetëm shqetësimin në lidhje me sistemin aktual të edukimit universitar, por edhe ide se si ky sistem mund të rregullohet duke u nisur prej eksperiencës së tyre studentore.

U vërejt se ndryshe nga qytete si Elbasani, ku mungonte totalisht eksperienca në hartim projektesh, në Korçë një pjesë studentësh po punojnë në lidhje me elaborimin e ideve të ndryshme novatore. Shqetësimi i tyre kishte të bënte me eksperiencën e hidhur të mëparshme në lidhje me paraqitjen e projekteve. Qeveria e mëparshme i ka demoralizuar disa herë, duke i shpërfillur projektet që ata ose organizata të ndryshme studentore kanë paraqitur.

Pati një diskutim konstruktiv në lidhje me qendrat rinore, arsimin profesional, dhe takimi u mbyll me zotimin e të dyja palëve (studentëve dhe organizuesve) për dialog të vazhdueshëm dhe kthimin në vepër të dëshirës së përbashkët për përmirësim të gjendjes studentore.