Share

Strategjia e Rinise vazhdon me turin e saj ne Elbasan!

E martë, 6 Maj

Strategjia e Rinisë mbërrin në Elbasan!

Përgjatë muajit maj, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë me mbështetjen e rrjetit të organizatave të Olof Palme Center si dhe në partneritet me Lëvizjen Mjaft janë duke organizuar një cikël takimesh me të rinjtë (kryesisht studentët e universiteteve), organizatat rinore dhe ekspertë për çështjet rinore në të gjithë Shqipërinë, në kuadrin e prezantimit të “Strategjisë së Rinisë”.

Pas takimeve në Durrës, të martën ishte rradha e qytetit të Elbasanit. Edhe këtu u takuan si fillim studentët e universitetit “Aleksandër Xhuvani” dhe mëpas koordinatorët e organizatave rinore të qytetit.

Diskutimi me studentët e universitetit u hap prej Zv. Rektores Imelda Sejdini. Ajo përgëzoi nismën duke shprehur entusiazmin personal dhe gatishmërinë e institucionit akademik brenda të cilit bën pjesë, për bashkëpunim të mëtejshëm me Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe gjithë palët e tjera të përfshira në projekt.

Më tej u bë një prezantim i shkurtër i Strategjisë së Rinisë prej Këshilltarit për Politikat Rinore pranë MMSR, z. Leart Kola dhe prej përfaqësuesit të të gjithë organizatave të cilat do të marrin pjesë në këtë aksion, z. Elton Kacidhja.

Më tej, ishte rradha e të rinjve për të parashtruar problematikat, vizionin dhe prioritetet që ata mendojnë se duhet të vendosen në marrëdhënien universitet-student, në kuadrin e Strategjisë së Rinisë. Duke përfshirë problematika të ngjashme të evidentuara edhe në takimin e parë në Durrës, studentët e universitetit “Aleksandër Xhuvani” theksuan si primare nevojën që Strategjia e Rinisë të enkompasojë gjithë të rinjtë, kudo ata qofshin. Sipas një studente,“Qeveritë e mëparshme janë fokusuar vetëm tek rinia e Tiranës, dhe shumë pak me rininë nëpër rrethet e tjera më të vogla. Strategjia e Rinisë duhet të ketë një mekanizëm që e shtrin më gjerë këtë proces; kur them mekanizëm, e kam fjalën për thjeshtëzime në taksim për bizneset inovatore dhe akses më të gjerë.”

Ndërkohë u theksua marrëdhënia mes të rinjve dhe arsimit, duke theksuar se arsimi profesional duhet të mbështetet tani më shumë se kurrë.

Shqetësimi më madhor i evidentuar tek ky universitet (si simptomë e një problemi të shtrirë më gjerë) ishte se asnjë nga studentët në auditor nuk dinin se si të shkruanin një projekt. Sipas tyre, mungojnë kurset dhe trajnimet për shkrim projekti, në një kohë kur sa herë e më shumë bëhet e nevojshme përthithja e fondeve të huaja në të mirë të inovacionit dhe nismave të reja.

Në takim ishin pjesëmarrëse edhe një sërë mediash në rang lokal dhe kombëtar: TV Elbasani, TV Skampa, Best TV, ABC News dhe TV Klan.

Takimi i dytë në qytetin e Elbasanit pati në fokus organizatat rinore. Një sërë koordinatorësh të këtyre organizatave morën pjesë në debat dhe parashtruan problemet dhe mendimet e tyre. Disa prej organizatave ishin: Ndihmë për Fëmijët Elbasan, Shoqata në Dobi të Gruas dhe Zëri 16+.

Problemi më parësor i adresuar ishte marrëdhënia mes rektoratit/universitetit dhe studentëve. Sipas një prej përfaqësuesve:
“Universiteti ka një zyrë për shkrimin e projekteve, por statistikisht dihet se askush nuk ka paraqitur projekte. Rektorati nuk ka fokus dhe interes te këto projekte. Në strategji të përfshihet një fond për rritjen e kapaciteteve të të rinjve për shkrimin e projekteve dhe buxheteve.”

Në këtë kuadër u theksua një problem tjetër shumë i madh në këtë marrëdhënie. Sipas një tjetër përfaqësuesi:

“Studenti i shkollës së mesme dhe universitetit nuk ka forcë vendimmarrëse. Të rinjtë nuk dinë t’i thonë stop çdo lloj abuzimi akademik të pedagogëve. Nuk ka një lloj këshilli studentor. Formalisht ekziston si strukturë, por nuk funksionon.”

Një ide inovatore e cila u propozua përgjatë takimit ishte formimi i një database të dhënash në lidhje me alokimin e fondeve për të rinjtë nëpër organizata nëpërmjet projekteve/aplikimeve. Kategorizime të tilla si grupmoshat do të ndihmonin në studime, punë kërkimore dhe në nxjerrjen e dokumenteve shumë cilësore.

Takimi u mbyll duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e pjesëmarrjes dhe bashkëpunimit të organizatave rinore dhe vetë studentëve në Strategjinë e Rinisë.