Share

Studentët e diplomuar midis tregut dhe qeverisë – Megi Mulita

Studentët e diplomuar midis tregut dhe qeverisë

Dyert e universiteteve dhe shkollave të larta presin e përcjellin dhjetra e qindra mijë të rinj e të reja çdo vit. Midis studentëve që hyjnë në portat e universiteteve dhe atyre që dalin prej tyre ka një ndryshim shumë të madh në realitetin shqiptar. Studentët që hyjnë në auditore dinë se çfarë do të studiojnë, çfarë njohurish dhe aftësish do të përfitojnë, pasi kanë përzgjedhur degën që do të studiojnë. Krejt e kundërta ndodh me studentët që përfundojnë  studimet universitare apo pasuniversitare. Në zbatim të ligjeve të ekonomisë së tregut dhe kërkesë- ofertës në tregun e punës, ata do të gjejnë edhe vendin se ku do të punësohen.

Tirana, kryeqyteti ynë bëhet vendbanimi i pothuajse të gjithë studentëve të diplomuar. Sa dhe si qeveritë e shteti duhet të punësojnë të rinjtë universitarë?

Nëse do të pretendonim se shteti dhe qeveria duhet t’ i gjejë punë çdo personi do të ishte e gabuar, por edhe të qëndrosh indiferentë nuk është normale. Unë kam bindjen se ndonëse qeveritë nuk punësojnë studentët që mbarojnë studimet,  ato duhet të ndërtojnë politika dhe rregulla që i hapin rrugë dhe krijojnë mundësi punësimi të kësaj kategorie.

Po e nis me studentët të cilët mund të punësohen në sektorët e administratës publike. Nga sa vërejmë drejtëpërdrejtë, dëgjojmë nëpër biseda në rrethe të ngushta shoqërore, familjare dhe në ambiente në komunitet, një gjë është e sigurt: nëse nuk i përket apo nuk ke mbështetjen e një partie politike, të një grupi njerëzish që zotërojnë pushtet, apo shpesh edhe nëse nuk shpërblen materialisht apo me forma të tjera, nuk mundet të bëhesh pjesë e administratës publike edhe pse mund të jesh shumë i aftë apo mund të kesh përfunduar studimet me rezultate të shkëlqyera. Ndonëse mund të ketë ndonjë rast, e përgjithshmja është sikundër më lart pohova. Nuk besoj se dikush mund të marrë guximin dhe t’më kundershtojë, sepse ky është një realitet. Është pikërisht ky realitet që mund dhe duhet ta ndryshojë qeveria.

Në panairet e punës që kam vizituar, ndërmarrjet apo bizneset kërkojnë të punësojnë persona me eksperiencë, përveç kualifikimit. Por si mundet një student të ketë eksperiencë kur ai kërkon të hedhë themelet për ta ndërtuar atë nëpërmje studimeve?

Ku është përgjegjësia e qeverisjes? A mund ta detyrojë qeveria apo shteti bizneset dhe ndërmarrjet se cilin person do të punësojë në ekonominë e tij? Si mund unë të pretendoj që nesër të punësohem nga një kompani që ofron shërbime lidhur me degën që unë aktualisht studioj nëse nuk kam eksperiencë dhe aftësi praktike? Në logjikën e parë qeveria nuk ka asnjë detyrim dhe mundësi ta kryejë këtë mision. Por unë nga ana tjetër pyes çfarë e pengon Ministrinë e Arsimit të ndërtojë politika që ti detyrojnë Universitetet të hartojnë programe mësimore të cilat kombinojnë pervetesimin dhe shkallën e njohurive dhe dijeve teorike me ato praktike? Qeveria mund të financojë dhe të ndërtojë qendra të praktikes  profesionale të studentëve si edhe mund të financojë intershipet e studentëve ne ndërmarrje apo institucionve të ndryshme per ti pajisur ata me aftësi praktike dhe eksperience.

Ne dëgjojmë shpesh, nga institucionet ndërkombëtare se qeverisja në Shqipëri është jo transparente, se fondet publike keqpërdoren dhe se ka shkallë të lartë informaliteti. Madje këto të dhëna janë caktuar si rekomandime për të përfituar statusin e vendit kandidat. A mund të ketë konkurrencë të lirë për të punësuarit edhe ne sektorin privat kur bizneset zhvillohen jo nëpërmjet konkurrenceës së lirë, po nëpërmjet miqësivë, rryshfeteve dhe korrupsionit? Sigurisht që jo! Edhe në këtë rast i takon qeverisë të ndërtojë politika dhe rrugë të vërteta për të ndërtuar një treg të lirë të punësimit.

Bizneset dhe ndërmarrjet në vendin tonë nuk i paguajnë në mënyrë të plotë e të vazhdueshme detyrimet financiare ndaj shtetit dhe ndaj të punësuarve, si përshembull sigurimet shoqërore e shendetesore e  tatimet. Midis dy personave që kërkojnë punë besoj se pronarët do të marrin në punë atë person që e paguan më pak dhe punon në të zezë sic dëgjojmë shpesh. Në këtë rast nxitet i paafti dhe konkurenca jo e ndershme për tu punësuar. Edhe në këtë rast është shteti i cili duhet t’i rregullojë këto marrëdhënie. Nëpërmjet institucioneve të kontrollit mbi pagesat e sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore, ministritë mund të krijojnë konkurrencë të barabartë për ata që kërkojnë punë duke detyruar ata që japin punë të marrin më të aftët.

Nga një studim i kryer nga Universiteti Vitrina,  nga  200 studentë të anketuar, vetëm 52 prej tyre ishin të punësuar, 117 në kërkim të një pune dhe 27 prej tyre u shprehën si jo të interesuar për një vend pune, ndërsa 4 nuk u shprehën në lidhje me këtë pyetje. Ndër të punësuarit vetëm 6 prej tyre punojnë në sektorë që lidhen drejtpërdrejt me studimet që ata vazhdojnë. Pjesa tjetër, 46 studentë, u shpreh se kishin gjetur vende pune rastësore: kamarier, lloto, call center, shitës/ e. 38 prej tyre u shprehën se nuk ishin të siguruar nga punëdhënësi dhe as nuk kishin një kontratë pune.

Pyetjes “prej sa kohësh kërkoni punë”, 14 prej tyre u përgjigjën prej më shumë se një muaji, 64 prej më shumë se tre muajsh, 27 prej më shumë se gjashtë muajsh dhe 12 prej tyre u shprehën se janë në kërkim të një vendi pune për më shumë se një vit. Ndër arsyet më të shpeshta pse nuk kishin arritur ende të punësoheshin u përmend kërkesa për punonjës me eksperiencë, pamundësia për të gjetur një vend pune ku të praktikojnë studimet e zgjedhura si edhe rroga e papërfillshme.

Ndër studentët të cilët nuk ishin në kërkim të një vendi pune, 7 prej tyre u shprehën se nuk kishin nevojë, 9 studentë u shprehën se vendin e punës e kishin të siguruar në përfundim të studimeve pranë një familjari apo miku ndërsa 11 të tjerët nuk u prononcuan.

Treguesit më sipër të shprehur në shifra tregojnë qartë sesi funksionon tregu i punës në vendin tonëm përsa i përket studentëve universitarë.

 

Unë vazhdoj akoma të jem kokëfortë në bindjen se qeveria dhe politikat shtetërore mund dhe duhet të punësojnë të rinjtë universitarë të sapodiplomuar. Nuk kam njohuri se sa janë të punësuar në investimin qindra milion Euro  për rrugën Tiranë-Elbasan, por kam bindjen se në qoftë se këto qindra milionë do të investoheshin për të mbështetur bizneset dhe iniciativen e lirë nëpër qytetet e vendit do të punësoheshin shumë më tepër të rinj e të reja sesa aktualisht te ndërtimi i kësaj rruge janë te punësuar. Nëse dikush më akuzon se jam jomiqësore me rrugët e reja sepse ato sjellin zhvillim, do të vërtetoj të kundërtën më vetëm një argument të thjeshtë: duke i kujtuar autostradat e Kroacisë nëpër të cilat kam udhëtuar ku mësova se ishin ndërtuar me konçesion dhe jo me buxhetin e shtetit si edhe në rastet kur ishin ndërtuar me kredi, kreditorë nuk ishin qytetarët por sipërmarrës së iniciativës së lirë.

Kështu, në përfundim, mbetem me idenë se qeveria dhe shteti nuk më gjejnë punë, por mund dhe duhet të krijojë mundësi për punësim duke hartuar dhe zbatuar politika që krijojnë vende pune e mbushin xhepat bosh te qytetarëve , i largojnë ata nga krimi i rrugës, garantojnë siguri shoqërore e shëndet.