Share

Tezat e provimeve në universitet nga Sindorela Salaj

Universiteti përgjithësisht përfshihet në probleme të ndryshme, të cilat e cenojnë imazhin e tij. Një ndër problemet që në dukje cilësohet si i parëndësishëm, por në thelb është primar, është problemi lidhur me mënyrën sesi ndërtohen tezat e provimeve. A ka përsëritje të tezave ndër vite? A ndërtohen ato sipas disa kritereve kryesore që lidhen me nivelin e dobët, mesatar dhe atë të lartë? Këto pyetje të lartëpërmendura janë disa nga çështjet thelbësore lidhur me tezat e provimeve nëpër universitete (kryesisht publike).
Në fakt “lufta” pedagog-studentë është e hershme dhe askujt nuk i duket si dicka e re, por pavarësisht kësaj, duket se në këtë rast kemi të bëjmë me diçka tjetër. Ja se cfarë faktesh sjellin disa të rinj studentë në fakultete të ndryshme të Shqipërisë:
I.V- Në universitetin e Elbasanit shumica e tezave riprodhohen nga njëri vit në tjetrin.
Unë studioj në këtë universitet dhe disa teza provimesh janë thjesht përsëritje e tezave të mëparshme. Shumica e studentëve që nuk frekuentojnë leksionet mësojnë mekanikisht përgjigjet e tezave të mëparshme. Zakonisht bien tezat e 2 apo 3 viteve më parë,por që renditen ndryshe.
O.C-Une jam interesuar dhe kam përfituar nga vitet e mëparshme.
Kisha dëgjuar që disa pedagogë përsërisnin pyetjet dhe kështu edhe unë fillova të konsultohesha me studentët më të mëdhenj. Konsultimi rezultoi i suksesshëm, sepse disa pyetje ishin pothuajse të njëjta.
A.D- Në Fakultetin e Mjekësisë tezat janë skandaloze.
Në fakultetin ku unë studioj tezat janë të ndërtuara kryesisht një nivel më lartë se niveli i seminareve dhe leksioneve. Duket sikur tezat nuk testojnë njohuritë, por kujtesën dhe sigurisht priren të ngelin studentët.
Xh.D- Në fakultetin Gjeologjik përsëriten provimet e Bachelor-it në Master.
Unë aktualisht jam në vit të parë, por motrës sime i ka ndodhur që në master t’i binte një provim i mëparshëm i ciklit bachelor dhe kjo gjë është mjaft e përhapur në këtë fakultet. Mua personalisht më ka ndodhur që teza e provimit të përmbajë koncepte të patrajtuara në leksione ose koncepte të ndryshme, të cilat janë hequr më parë nga program i provimit.
S.H- Provimet e departamentit të gjuhës dhe letërsisë në Fakultetin Filologjik përmbajnë vetëm dy apo tre pyetje.
Skandal ! Kjo është fjala e duhur për këtë fenomen kaq të përhapur në fakultetin ku unë studioj. Pothuajse të gjitha tezat përmbajnë dy apo tre pyetje të ndërtuara pa asnjë nivel. Nuk ka nivel për nxënësin mesatar e atë të dobët. Këtu provimet janë bingo.
S.M- Në Fakultetin Ekonomik provimet ndërtohet në mënyrë që të ketë sa më shumë studentë jokalues.
Duket e cuditshmë , por kështu ndodh. Nga biseda me një asistent pedagog rezultoi se pedagogu përfshinte pyetje , për të cilat ishte i bindur që do e penalizonin studentin. Pyetje që askush nuk i kushtonte rëndësi apo cështje të patrajtuara. Është bërë si trend tani të ngelurit studentët kot.

Xh.Xh- Në Fakultetin e Farmacisë tezat me 200 pyetje,rreth të cilave edhe pyetje skandaloze.
Përmend këtu tezën e provimit të histologjisë, e cila përbëhej nga 200 pyetje, ku disa prej tyre kërkonin data të caktuara të parëndësishme duke lënë jashtë vëmëndjes konceptet bazë të lëndës. Mesa duket pedagogu e ka ditur se studentët nuk do iu kushtonin rëndësi datave.
Nga ana tjetër profesor Bardhyl Matraxhiu, pedagog i Letërsisë antike dhe mesjetare në Fakultetin Filologjik, në profilin e tij zyrtar në facebook shkruan se problemi më i madh qëndron te tezat e provimit, por te monotonia dhe përsëritja e vazhdueshme e leksioneve dhe seminareve njëlloj nga ana e pedagogëve. Sipas profesorit pedagogët e ndërtojnë lëndët në mënyrë monotone. Pra, nga viti në vit gjithçka mbetet e njëjtë.
Pavarësisht shumë të dhënave ishte e domosdoshme kontakti me dikë që është tashmë në rolin e pedagogut, por e ka ende të afërt kontaktin me shkollën- ajo quhet Borana Lushaj, kërkuese e gjuhësisë, e cila po bën një PhD në Universitetin e Leidenit. Sipas saj problemi qëndron te zbatimi. Janë të përcaktuara mirë objektivat dhe si duhet ndërtuar një tezë, por për arsye të ndryshme ato nuk zbatohen.
Në një pasqyrë përmbledhëse, universiteti është i përfshirë nga probleme ku bën pjesë edhe çështja e tezave të provimeve. Ky problem është pranuar gjerësisht nga studentët, por edhe nga njerëzit që punojnë me ta në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë. Shfaqet në Shqipëri një universitet që nuk i kushton rëndësi provimit, rëndësisë së tij dhe mënyrës sesi ndërtohet duke u bazuar në nivelet bazë.

Sindorela Salaj
MAP 2015