Share

UNIVERSITET-O MANIA – Ada Shehu

UNIVERSITET-O MANIA

Shqipëria është një ndër vendet të cilat vuajnë papunësinë. 13.3% e popullsisë janë të papunë sipas INSTAT. Sidomos këto vite për shkak të krizës botërore, dhe pse Shqipërinë nuk e ka prekur thellë, vihet re ndjeshëm. Në nivelet e të papunëve hyjnë edhe shumë të rinj të cilët mbarojnë shkollën e lartë, diplomohen dhe nuk mund të gjejnë një punë për vite radhazi, edhe pse janë të kualifikuar për një profesion të caktuar. Në Shqipëri që pas demokracisë është vënë re tendenca për të pasur një shkollë të lartë nga të gjithë. Është kthyer në një tip “zakoni” që asnjë nuk quhet “i arsimuar” nëse nuk bëjnë ciklin e plotë 9 vjeçare plus gjimnaz plus universitet.

Por, nuk duhet të jetë kështu. Shqipëria është ndër vendet që ka përqindjen më të lartë të studentëve që shkojnë në universitete. Në vende të tjera të botës si përshembull: Itali ose Gjermani prioritet kanë Institute të formimit profesional, ku merr një çertifikatë për një studim kryesisht 2 vjeçar dhe për pasojë tregu i punës është më i shumëllojshëm. Arsimi i lartë shikohet si një privilegj, ku shkojnë vetëm ajka e  nxënësve të shkollave të mesme. Ose jo vetëm kjo: një përqindje e konsiderueshme e shkollave të mesme janë profesionale, përshembull me përqëndrim turizëm.

Te ne nuk ndodh kështu. Përqindja më e madhe e të rinjve duan degët Ekonomik dhe Juridik. Disa prej tyre mund të kenë vërtet prirje për këto degë, por përqindja më e madhe drejtohen aty sepse shihen si fitimprurëse. E intervistuar një maturante në pritje për studente këtë vit u shpreh: “Do doja të fitoja ekonomikun, jo sepse më pëlqen po sepse gjithmonë gjen punë dhe fiton më shumë si profesion”. Një përqindje shumë e vogël kërkojnë vetë punët profesionale. Nuk është për t’i gjykuar apo nënvlerësuar siç ndodh rëndom në këto profesione. Tregu i punës ka nevojë për të gjitha, ekonomistin, juristin, mjekun, ashtu si edhe parukieren, estetisten, kamarierin etj. Pjesa më e madhe shkojnë në shkollat “trendy” dhe shumë profesione kanë ngelur pa profesionistë të vërtetë. Nëqoftëse do të kishte dëshirë nga brezi i ri për të studiuar në këto lloj profesionesh, ata do ta kishin menjëherë atë vend pune, sepse do të ishin të kualifikuar.

Në Shqipëri kjo është një mangësi e theksuar. Duke marrë një shembull  më problematik, vendi ynë ka pasuri të shumta turistike, por ato nuk shfrytëzohen siç duhet. Nëqoftëse do të merreshin në punë menaxherë dhe specialistë të shkolluar në Universitete ose Institute, atëherë do të ishte një shtysë pozitive dhe në ekonomi. Sepse turistët kryesisht vendas dhe gjithashtu të huaj ankohen për cilësinë e shërbimit. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, pasi kamarierë në bare ose dhe restorante nga ato të lagjeve deri tek më luksozet janë individë që nuk kanë gjetur punë, ose janë të pa arsimuar. Për pasojë, shërbimi nuk ka cilësi, dhe klienti nuk është i kënaqur. Gjithashtu dhe pronarët e hoteleve ose shtëpive të ndryshme të pushimit janë njerëz të thjeshtë shpeshherë pa asnjë shkollim drejt menaxhimit të cilët kanë kapital për t’i hapur, por jo për t’i mirë menaxhuar. Për të mos mjaftuar kjo, ata nuk drejtohen rreth menaxherëve të cilët do t’u sillnin suksesin.

Por, pse ndodh kjo? Është vetëm dëshira që u mungon të rinjve të marrin pjesë në keto shkolla/kurse profesionale apo universitete pak të kerkuara? Nuk mendoj që absolutisht të jetë vetëm kjo. Fillimisht ata janë “të trembur” nga mundësia e një pagese tepër të ulët ose më e keqja e mospasjes së një pune. Por, më kryesorja në Shqipëri mungojnë zyra të drejtimit të karrierës. Në të gjithë botën e qytetëruar, në gjimnaze dhe jo vetëm, bëhen testime për të parë se çfarë drejtimi dëshiron të marrë studenti, që të mos ndodhë siç ndodh rëndom tek ne, që nga 300 studentë që hyjnë në vit të parë në një degë vetëm 30 diplomohen. Nuk është vetëm kjo arsyeja, por është një ndër kryesoret. Një provim mature nuk është ai që të drejton se për çfarë profesioni je i prirur. Sepse, përshembull, një vit më parë me provimin e degës Biologji dhe Kimi hyje në degën e ekonomikut po të arrije një kuotë të caktuar pikësh. Lëndë këto të sipërpërmendurat pa asnjë lidhje direkte me ekonomikun. Nëqoftëse do të kishim një institucion të caktuar i cili do të bënte përcaktimin nëpërmjet testimeve të prirjeve të studentëve, sa të talentuar janë në një fushë të caktuar, një institucion i cili do ti drejtonte të gjithë në tregun e punës, do të ishte më mirë. Sepse të gjithë, pavarësisht talentit dhe njohurive, kanë nevojë për një shtysë në hapat e tyre të para.