Share

Universitetet mes shërbimit teorik dhe atij praktik – Dritan Balla

Në ditët e sotme kualifikimi dhe studimi i mirëfilltë janë një obligim dhe kriter për t’ iu përshtatur tregut të punës në përputhje me dijet e përfituara. Çdo teori e mësuar kërkohet për tu aplikuar, e sidomos në rastin e studimeve universitare të një niveli akademik, praktika profesionale është e domosdoshme jo vetëm për të aplikuar njohuritë akademike, por edhe për t’ u konsoliduar në profesion e në karakter e për të nxjerrë në pah aftësitë profesionale dhe intelektuale. A u ofrojnë Universitetet shqiptare publike dhe ato private studentëve të aplikojnë njohuritë akademike për praktikën profesionale, pas nivelit të studimeve Bachelor? Le të shkojmë më thellë tek burimi: MASH-i. Çfarë parashikohet në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve për praktikat profesionale pas përfundimeve të cikleve studimore?

Praktika profesionale në optikën e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve

Në një kërkesë që unë i kam drejtuar MAS-it mbi kriteret dhe proçedurat e pranimit dhe të mundësimit mbi praktikën profesionale jepet si më poshtë:

Nisur nga kërkesa dhe konkurrenca e tregut sot për më shumë profesionalizëm dhe aftësi të tjera, një ndër këto është edhe eksperienca që mund të përvetësohet vetëm pas një praktike profesionale.

Në këtë kontekst pyetja dhe kërkesa ime konsiston në:

  1. Çfarë ofron MAS- i për studentët e nivelin Bachelor për praktikat profesionale dhe,
  2. Cilat janë proçedurat e MAS-it për studentët e nivelit Bachelor për praktikat profesionale?”

 

“Për studentët e nivelit bachelor nuk është se ka ndonjë rregull për praktikën (veç nivelit të dytë, master), por nëse pranë Ministrisë së Arsimit paraqitet studenti në mënyrë individuale apo i kryesuar nga Universiteti dhe paraqet kërkesën me proçedurat e parashikura në rregulloren e MAS-it, si universiteti, dega etj., studentit mund ti miratohet kërkesa pas shqyrtimit nga komisioni përkatës”, ishte ky konfirmimi që erdhi pas një bisede telefonike me instancat e MAS-it. Pra nëse pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve dërgohet një kërkesë me shkrim, pas shqytimit nga komisioni, studenti mund të aplikojë njohuritë e tij dhe të përvetësojë njohuritë profesionale.

Praktika pranë Univesitetit publik dhe atij privat

Mësojmë se fakutete të ndryshme brenda Universitetit të Tiranës, ofrojnë mundësi të ndryshme praktikash profesionale. Njëri prej tyre është fakulteti Histori- Filologji në degën e Gazetarisë, e cila u mundëson studentëve praktikat laboratorike, në të cilat ata ushtrojnë njohuritë e marra prej tre vitesh. Situatë e ndryshme shfaqet po në të njëjtin fakultet, në degën e Histori-Gjeografi, ku praktikat marrin formën e ekspeditave.

E ndërsa, detyra e instancave arsimore shtetërore është t’u mundësojnë studentëve hapësira praktikash, në fakultetin e Shkencave Sociale ndodh krejt e kundërta. Shkolla u jep një format kontrate, të cilën ata duhet ta lidhin me një institucion të cilën duhet ta gjejnë vetë, pa ndërmjetësimin e fakultetit.

Nga ana tjetër, Universitet private, në fokus të së cilave kemi marrë Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, u mundësojnë studentëve praktika pranë Institucioneve shtetërore, e në rastin konkret ministrive të ndryshme. E pyetur mbi metodat e përdorura për të kryer praktikat profesionale, studentja Ademaj, e degës së Shkencave Politike me profil Administratë Publike, kryen praktikën e saj pranë Ministrisë së Brendshme, në sektorin e Drejtorisë së Prefekturave. Ademaj, thekson se: “…Unë e kryej praktikën e 3-4 herë në javë, dhe se kjo praktikë më ndihmon në njohjen e proçeseve të punës…”. Ajo vijon duke thënë se përmes kësaj praktike ajo ushtron aftësitë e saj dhe përvetëson kualifikimin dhe eksperiencën, të cilat janë shumë të kërkuara nga tregu i punës.

Kjo situatë shpaloset në gati të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës. Në rang rrethesh, MAS-i, nuk na ka mundësuar ende një raportim mbi mënyrën e funksionimit të praktikës profesionale.