Share

Vullnetarizmi, ndjeshmëri për të ndryshuar Botën nga Andi Bregu

“Pyetja më e rëndësishme e jetës është: Çfarë jeni duke bërë për të tjerët?” Martin Luther King Jr

Aktiv dhe i përgjegjshëm për shoqërinë, kështu e nënkuptonte Martin Luther King Jr, njeriun e brezit të tij, ndaj dhe një prej shprehjeve të tij e vë theksin në çfarë ne bëjmë për të tjerët. Modelin që Martin Luther King Jr promovon, e kanë ndjekur shumë njerëz të cilët, janë aktiv dhe mbështesin të tjerët, për të garantuar një shoqëri më të përparuar dhe më të mirqenë. Në Shtetet e Bashkuara dhe në Europën e Bashkuar ka programe specifike që i mbështesin këta njerëz që me vullnetin dhe dëshirën e tyre vet ofrohen të japin kontribut për shoqërinë, konkretisht në SHBA është Peace Corps dhe në Europë është Komisioni Europian përmes European Volunter Service që financojnë të gjitha programet vullnetare për ata individë të cilët angazhohen anë e mbanë botës.

Edhe në Shqipëri vullnetarizmi ka marrë një formë më gjithëpërfshirëse në dekadën e fundit, shkëputja nga koncepti i vjetër mbi punën vullnetare më tepër si punë e detyruar në periudhën Komuniste, drejt punës së bazuar në vullnetin e njeriut. ka ecur paralelisht me tranzicionin e vlerave dhe botëkuptimeve për shoqërinë Shqiptare.

Pranvera Shameti ka qenë një aksionere në vitet 70’ në ndërtimin e hekurudhës Shqiptare në zonën e Librazhdit. “Ne nuk na pyeste njeri, vinte fletë lajmërimi që duhet të shkoje diku dhe shkoje, sepse po mos shkoje sigurisht që në atë kohë të fusnin në burg”- thotë ajo.

Ky koncept tashmë nuk ekziston, puna vullnetare mbetet një zgjedhje dhe dëshirë e individit që mesa duket po gjen dhe mbështetjen e institucioneve. Është Ministria e Mirqënies dhe Rinisë e cila ndër të tjera po pergatit një ligj enkas për Vullnetarizmin, gjithashtu Qendra Kombëtare e Rinisë që ka filluar planifikimin e vullnetarizmit dhe politikave rinore që merr përsipër organizimin e të rinjve me anë të projektit të Korpusit të Vullnetarëve Shqiptare, shembull i ngjashëm me Korpusin e Paqes të SHBA-ve. “Ky projekt do të sigurojë që zona të ndryshme të Shqipërisë të mbulohen me shërbime nga ana e vullnetarëve tanë, për të organizuar kampe në ndihmë të komunitetit.”-Jonida Beqo drejtuese e qendrës rinore Tiranë.

Juan Carlos Kudaka Okuma ose i njohur thjesht me norkën e tij Mito, është një Peruano-Amerikan që tashmë është në vitin e tij të tretë në Shqipëri si vullnetar i Korpusit të Paqes në vendin tonë. Fillimisht ai ka qenë si vullnetar në Durrës ku ka pasur një atashim të dukshëm me këtë qytet saqë u quajt Mito Durrsaku e tashmë ai ndodhet në Tiranë si drejtuesi i programit American Corner. “Nuk dija shumë gjëra për Shqipërinë, ne në shkollat Amerikane kryesisht mësojme pak gjëra për shtetet e tjera dhe të vetmin informacion që dija e kisha mbledhur nga interneti. Isha kurioz për Shqipërinë megjithëse nuk kisha pritshmëri, nuk doja të ndërtoja pritshmëri për këtë vend në mënyrë që mos të zhgenjehesha më pas.” – kështu i përshkruan ai momentet e para për Shqipërinë.

Sigurisht që Shqipëria nuk është realiteti i ëndrave, por një realitet i vështirë që tenton të integrohet në modelet perëndimore. Nga diskutimi i mëtejshëm me Miton ai thotë: “Ka një shkallë më të lartë ndërgjegjsimi të të rinjve Shqiptar, nga eksperiencat ime në bashkëpunim me të rinjtë, fillimisht kërkohet pak motivim e këmbëngulje që ata të fillojnë të jenë aktiv deri në momentin që e kapin ritmin dhe më pas vazhdojnë të japin kontribut, ndoshta nuk e kuptojnë por që kontributi i tyre është shumë i vlefshëm.”

Mito është një njeri aktiv që mbështet këdo dhe që përpiqet të japë gjithmonë maksimumin sepse në këtë mënyrë ai e di që do të marrë maksimumin. “Ndoshta jam egoist”-shprehet ai, “por e di që është një egoizëm pozitiv, sepse falë tij kam arritur të marr më shumë seç kam dhënë, tani njoh shumë gjëra në Shqipëri, kam shumë miq, kam mësuar shqip e shumë të tjera, gjëra që nuk do i kisha bërë po të mos e kisha këtë sens egoizmi dhe mbi të gjitha po të mos kisha ndjekur këtë program vullnetarizmi.”

Këtë model pozitiv e kanë përqasur edhe shumë të rinj shqiptarë që ofrojnë kohën e tyre të çmuar për të dhënë kontribut për komunitetet ku ata jetojnë. Marsida Karaj është një prej këtyre shembujve, e mirëformuar akademikisht si ekonomiste dhe avokate në të njëjtën kohë, megjithëse koha për të është shumë e cmuar arrin që ta menaxhojë shumë mirë dhe të mbështesi aktivitetet e qëndrës Rinore të Tiranës. “Unë kam qenë pjesë e punës vullnetare prej një kohe të gjatë. E kam parë punën vullnetare në të dyja anët, si një person që përfiton nga puna vullnetare dhe tani e shikoj në pozicionin e personit që bën punë vullnetare. Në punën time vullnetare gjatë viteve dhe kontributit në organizata si AIESEC Albania, Glow, Multi-Language Café etj kam mësuar shumë se si xheste të vogla mund të ndikojnë në jetën e dikujt tjetër në një mënyrë pozitive. Një buzëqeshje e fëmijëve jetim, një vizatim, një projekt i realizuar, falë punës tënde vullnetare është kënaqësia më e madhe që merret. Në verën e vitit 2009 kam qenë pjesë e një EUROCAMP në Gjermani ku për 3 javë ishim pjesë e punës vullnetare për të ndihmuar komunitetin atje, këtu ndryshoi shumëçka në jetën time, përqasja e një koncepti të ri dhe modeli që në Shqipëri na kishte munguar, ky inspirim i marrë nga modeli Gjerman më ka ndjekur gjithmon për të qenë qytetare aktive.”-Marsida Karaj

Dorjan Alla ka një shembull po aq pozitiv por dhe domethënës në të njëjtën kohë, ai jeton në Marqinet, një fshat në afërsi të Gërdecit ku ndodhi tragjedia e 2008-ës. Në atë kohë ai ishte një prej fëmijeve që u bë pjesë e aktiviteteve që organizonte Shoqata Tamam për zonën aty, tashmë pasi kanë kaluar disa vite, Dorjani është në pozita leadership-i të kësaj organizate si pjesë e atij grupi që arrin ta menaxojë këtë organizatën. “Në fillim kam qënë një prej fëmijëve të kampeve dhe aktiviteteve të Tamam-it tashmë jam një vullnetar që përpiqet të japë një kontribut modest për fëmijët e zonës së Marqinetit. Ne, bashkë me cunat e gocat e tjerë po përpiqemi ta zgjerojmë aktivitetin tonë, në menyrë që të përbëjmë një shembull pozitiv për fëmijët dhe ata të ndjekin një model të mirë qytetar.”- Dorjan Alla

 

Kjo lloj pune ende ka paragjykim në vetvete, Dorjani thotë se ende bashkëmoshatarë të tij apo komuniteti në tërësi e ka parë me skepticizëm punën e tij dhe shpesh herë në kontekstin e humorit. “Ka shumë njerëz që na kanë përgëzuar dhe na vlersojnë, por ende një pjesë goxha e madhe në njëfarë mënyrë na kanë përqeshur apo injoruar për punën tonë.”-Dorjan Alla

Vullnetarizmi është një formë e aktivizmit që në vetvete po ndryshon botën, “ne marrim dhe japim në të njëjtën kohë, ky bashkëveprim na bën të shkëmbejmë modele e mënyra të ndryshme jetese, kultura, miqësi e shumë gjëra të tjera. Pra në këtë koncept ne jemi gjithmon aktivë dhe sigurisht që bota ndryshon më shpejt. Aktivizimi në American Corner më ka bërë të njihem me fëmijë që kanë aftësi të mrekullueshme dhe që unë mësoj prej tyre sikurse ata njihen më tepër me kulturën Amerikane nga ana ime”- thotë Mito, “kështu ne jemi aktivë duke njohur njëri-tjetrin, kur ne njihemi bota ndryshon dhe ndryshon për mire, jam i sigurt qe një punë e paguar nuk ta ofron dot tërë këtë liri dhe komoditet.”

Andi Bregu

MAP 2015