Share

Vullnetarizmi, reflektim shoqëror ndaj punës së pa paguar nga Andi Bregu

Individi i sotëm e ka gjithmonë e më të kufizuar kohën e tij, por kjo nuk e pengon aspak për të qënë një qytetar aktiv dhe jo vetëm në dobi të vetes, por dhe të komunitetit të tij, madje ajo që duhet theksuar mbi të gjitha, duke pranuar edhe një punë të pa paguar, si Vullnetar.

Do ishte shumë e vështirë të percaktohej një rrjedhë historike e Vullnetarizmit, nuk dihet se kur mund ta ketë fillesën kjo formë pune por me siguri mund të pranojmë faktin se Vullnetarizmi në ditët e sotme është shumë më tepër se një punë, është formë aktivizmi, është solidaritet, është pjesëmarrje në komunitet. Pikërisht për këtë rëndësi të veçantë që kjo temë ka, Lëvizja Mjaft i kushtoi vëmendje duke organizuar një workshop në datën 15 prill, me mbështetje nga Ambasada Amerikane, me temë Vullnetarizmi në Shqipëri, ku të ftuar ishin organizatat dhe aktorët kryesorë të përfshirë në fushën e Vullnetarizmit.

E ftuar speciale në këtë takim ishte Znj. Susan Stroud, Drejtoresha Ekzekutive e Inovacionit për Pjesëmarrjen Civile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një Organizatë prestigjoze dhe më eksperiencë në çeshtjet e aktivizmit dhe vetë Znj. Susan me një karrierë të gjatë e të suksesshme duke arritur deri në ambjentet e Shtëpisë së Bardhë.

Ajo që e bëri më të veçantë këtë workshop, ishte krahasimi i përqasjeve Amerikane me atë Shqiptare mbi Vullnetarizmin. Në shoqërinë Amerikane tashmë Vullnetarizmi ka zënë vendin e tij si aktivitet, që individët e kryejnë në mënyrë të vazhdueshme, çka dëshmon për një shoqëri tepër aktive.

Por si ecën në vendin tonë kjo formë pune?

Është interesant fakti se pothuajse të gjitha Organizatat e ftuara e përmendin se ka një rritje dhe ndjeshmëri më të lartë ndaj kësaj teme, kryesisht tek brezi i ri. Ajo që theksohet është se periudha e tranzicionit nuk e preku shoqërinë tonë vetëm në aspektin ekonomik, tranzicioni ka prekur në mënyrë të ndjeshme edhe vlerat e paradigmat bazë të shoqërisë shqiptare, e si e tillë nuk mund të bëjë përjashtim as qasja jonë ndaj konceptit Vullnetar. Deri para viteve 90’ Vullnetarizmi ishte një farë forme e detyruar pune, e propaganduar dhe e mbështetur fuqishëm nga makineria shtetërore, e ndërsa sot ajo vjen si një formë solidariteti, si vullnet i lirë individual për të kontribuar nga koha jonë e vlefshme për të mirën e shoqërisë, e cila pavarsisht nëse na ndikon drejtpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë, është pjesë e mirëqenies sonë të përbashkët.

Në këtë frymë pozitiviteti ku shoqëria shqiptare ndodhet tashmë, organizatat pjesëmarrëse identifikojnë dhe disa ndërhyrje të nevojshme për të përmirsuar jo vetëm klimën e bashkëpunimit por dhe për të rritur standartin dhe cilësinë e këtij shërbimi që vetë individët ofrojnë. Një prej pikave më kryesore ku ndalen të gjithë është Ligji mbi Vullnetarizmin, ky ligj tashmë është bërë thuajse i domosdoshëm për të rregulluar marrdhënien e individit si vullnetar por mbi të gjitha për të ofruar mbrojtje dhe garanci ndaj punës që individët pajtohen ta kryejnë në mënyrë vullnetare. Ligji do të përmirësonte klimën e bashkëpunimit sikurse do të mbështeste organizatat në zgjerimin e aktiviteteve të tyre, e mbi të gjitha do të mbronte kofidencialitetin e do të garantonte kooperime bazuar në standarte dhe në etikë profesionale.

Për tu përmenduar janë dhe modelet pozitive që ofron rajoni ynë, ku ndër diskutimet kryesore u përmend modeli Rumun dhe ai Italian si shëmbuj të vlefshëm për tu ndjekur. Mbështetja më e madhe institucionale nga organet e qeverisjes vendore dhe qëndrore në aspektin strukturor ngrihet si një prej prioriteteve që duhet reflektuar dhe në Ligj.

Lëvizja Mjaft ka ndërmarrë nisma konkrete në aspektin e hartimit të Ligjit mbi Vullnetarizmin duke organizuar disa takime konsultative me grupet e interesit dhe organizatat rinore në Shqipëri, nisma këto të cilat do të vazhdojnë më tej me propozime konkrete ndaj Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Atmosfera e përgjithshme është pozitive, kemi individë dhe organizata të cilat po marrin përsipër aksione dhe lëvizje të vlefshme.Me pak mbështetje mund të arrijmë të bëjmë gjënë e duhur për të gjithë ata persona që kontribuojnë për shoqërinë nga koha e tyre e çmuar.

Andi Bregu- student pjesëmarrës në Map 215

Leave a Comment