Konferenca Kombëtare për të Drejtën e Informimit, Koordinatori dhe Shoqëria Civile

×

Error message

Deprecated function: The each() function is deprecated. This message will be suppressed on further calls in menu_set_active_trail() (line 2405 of /home/mjaft/public_html/includes/menu.inc).
14/04/2017

Më datë 12 Prill 2017, zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Zyrën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE), organizoi “Konferencën e tretë Kombëtare për të Drejtën e Informimit, Koordinatori dhe Shoqëria Civile”. Të ftuar ishin z. Bernd Borhardt, Ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj. Valentina Leskaj dhe Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, znj. Milena Harito, me pjesëmarrjen e koordinatorëve për të drejtën e informimit të institucioneve qendrore, njësive vetëqeverisëse vendore, të pushtetit gjyqësor, organizatave joqeveritare dhe medias.

Në këtë takim u prezantuan video promovuese në lidhje me veprimtarinë e këtij institucioni dhe evidentimin e të drejtave që kanë qytetarët sipas ligjit Nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, gjatë fjalës së tij, theksoi se Shqipëria sot renditet në vendin e 6-të për ligjin më të mirë të të drejtës së informimit, nga vendi i 85-të që renditej me ligjin e mëparshëm në fuqi.

Drejtoresha e Drejtorisë për të Drejtën e Informimit, znj. Ardita Shehaj, prezantoi “Instumentin e Vetëvlerësimit të Autoritetit Publik”. Ky instrument do t’i mundësojë autoriteteve publike të provojnë se në çfarë mase kanë respektuar standardet e transparencës dhe të Drejtën e Informimit të përcaktuar në Ligj, duke shërbyer në përcaktimin e masës së zbatimit të Ligjit, si dhe identifikimin e pengesave në implementimin e ligjit dhe fushave për përmirësim. Më tej, u prezantua edhe “Udhëzuesi për Koordinatorët për të Drejtën e Informimit” duke dhënë rekomandime se kush do të ishte i përshtatshëm për të qenë koordinator, cila janë detyrat e tij kryesore dhe si duhet të bashkëpunojë me zyrën e komisionerit.

Lëvizja MJAFT!, pjesë e këtij takimi, ka qenë implementuese e dy projekteve monitoruese të funksionimit të Ligjit NR.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” nga autoritetet publike shqiptare, Freedom of Information (FOI) përgjatë vitit 2016, dhe Action SEE (në partneritet me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian) prej 2016 e për 3 vite me rradhë, veprimtaria e të cilave ka qenë vazhdimisht e lidhur me zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.