Share

ABONEJA E STUDENTIT – ENXHI MUCA

Radhët e gjata të studentëve, që shtyhen për të marrë abonenë e përmuajshme, janë pamja shoqëruese e çdo fundmuaji në pikat e pakta të shpërndarjes së aboneve në kryeqytet. Ankesat e studentëve vijojnë të mos marrin asnjë zgjidhje prej shumë kohësh, nga organet kompetente. Tetëmbëdhjetë ishte numri i denoncimeve vetëm gjatë një mëngjesi në emisionin ‘Koha e zgjimit’, në televizionin News 24,e ndërkohë mjaft raste të tjera vazhdojnë të denoncohen në media e emisione të ndryshme investigative.

Domosdoshmëria e marrjes së një aboneje për qindra studentë, si formë lehtësimi financiarisht e të udhëtuarit, i detyron ata të presin me orë të tëra pranë dispenserive të autorizuara për shitjen e tyre. Studentët shprehen të indinjuar se çdo muaj shënon të njëjtin avaz dhe se askush nuk ndërhyn në zgjidhjen e këtij problemi. ″Zakonisht janë vetëm dy pika shitjeje, që tregtojnë për shumë pak kohë, maksimalisht dy ditë. Ne detyrohemi të presim në radhë për orë të tëra e në fund, na thonë se abonetë kanë mbaruar, ndërkohëqë kanë vetëm një ditë që shitën″,-shprehet Alba Mino, studente e Fakultetit të Infermierisë. Shoqata e Transportit Urban ndërkohë shprehet se ka hapur sportele të reja ku mund të merren biletat e pajtimit mujor (abonetë) dhe se këto të fundit dalin në shitje në bazë të një numri të përcaktuar, i cili në fakt nuk është i mjaftueshëm për shkak se nuk zotërojnë një numër të saktë të studentëve. Megjithatë as këto abone që hidhen në treg, nuk arrihen të merren në këto sportele me çmimin e përcaktuar sipas ligjit, 600 lekë, sepse shiten menjëherë tek tregtarët e gazetave dhe fatorinot e linjave të ndryshme. ″Shpesh-herë ne nuk i marrim abonetë nëpër dispenseri, sepse pjesa më e madhe shiten në tregun e zi dhe i blejmë 1000 lekë në pikat e shitjes së gazetave dhe revistave, me një kosto më të lartë se çmimi i vendosur,″-tregon Eljona Hoxha, një tjetër studente, nga Fakulteti i Ekonomisë. Për shkak të abuzimit të dhjetëra personave në tregun e zi, numri i këtyre studentëve që bëhen blerës të detyruar të tregtarëve të tillë, duke mbuluar kosto që nuk u takojnë, është me mijëra.

″A nuk do të ishte shumë here më e lehtë dhe e përshtatshme nëse këto abone do të shpërndaheshin pranë fakulteteve përkatëse?″- pyet i irrituar një tjetër student në dispenserinë krysore në Rrugën e Kavajës. Por burime nga sektori përgjegjës i transportit në Bashkinë e Tiranës bëjnë me dije se kjo alternative është kundërshtuar fort nga operatorët e shpërndarjes, sepse në këto kushte falsifikimi i aboneve do të ishte i vështirë dhe në këtë mënyrë ata do të humbisnin përfitimet e tyre.

Ndërkohë organet kompetente për këtë çështje, në qëndrimin e tyre, premtojnë pak për zgjidhjen e situates, duke e kaluar fajin tek institucione të larta, si gjykatat. ″Menaxhimi i situates së shpërndarjes së aboneve nuk është nën kontrollin tonë″,-shprehen përfaqësues të Sektorit të Lëvizjes dhe Transportit Urban, degë e varur nga Bashkia e Tiranës. ″Autoriteti i Mbikëqyrjes së Konkurrencës ka kryer vazhdimisht hetime për këtë çështje, e ka kaluar deri në vendosjen e gjobave, të cilat gjithsesi nuk i kanë ndalur operatorët private të vazhdojnë abuzimet duke përmbushur interest e tyre″,- vijojnë ata më tej. Ndër të tjera, përfaqësuesit e këtij sektori shprehen se këto çështje kanë përfunduar në gjykatë, ku proceset zvarriten vazhdimisht e operatorët e kompanive private shtyjnë afatet për të punuar deri në të zezë. Në këtë mënyrë operatorët vazhdojnë të nxjerrin përfitime të lira, duke përfituar nga studentët, të cilët detyrohen të blejnë në tregun e zi.

Po nga të njëjtat burime mësohet se është propozuar një draft reformë, e quajtur sistemi i pikëzimit, e konceptuar si unifikim i kontrollit të shërbimit të transportit publik. Kjo reformë ka në parim kontrollin e operatorëve të transportit publik përmes sistemit të heqjes së pikëve, i ideuar njëlloj me sistemin e pikëve për patentat, që parashikohet të përmirësojë mjaftueshëm edhe funksionimin e tregut të aboneve. ″Por ende nuk dihet nëse do të nisë zbatimi i saj,-theksohet më tej nga këto burime, -duke qenë se operatorët private të transportit kanë dale menjëherë kundër, pasi e shohin kërcënuese për mbarëvajtjen e interesave të tyre″.

Zgjidhja e kësaj situate rezulton të jetë ende larg për sa kohë që strukturave përkatëse nuk iu leverdis të vënë në kontroll situatën, organet politike janë të painteresuara në zgjidhjen e problemit dhe studentët nuk gjejnë mbështetje se ku të drejtohen .

 

 

2 Comments on this Post

  1. Nje skrim i mire, qe i adreson problemet atje ku duhet dhe ashtu si duhet. I qarte ne fakte, me zerat e duhur, i rrjedhshem ne te lexuar. Autori mban qendrim per ceshtjen, nuk distancohet, por ndoshta kjo vjen si pasoje e perfshirjes ne ceshtje dhe eshte e justifikueshme.

  2. Nje skrim i mire, qe i adreson problemet atje ku duhet dhe ashtu si duhet. I qarte ne fakte, me zerat e duhur, i rrjedhshem ne te lexuar. Autori mban qendrim per ceshtjen, nuk distancohet, por ndoshta kjo vjen si pasoje e perfshirjes ne ceshtje dhe eshte e justifikueshme.

Comments are closed.