-
Transporti Publik në Vlorë - July 3, 2018
-
Fabrika e Ndotjes - June 18, 2018
-
Zvërneci turistik - June 18, 2018
-
Të presësh turistë mes llaçit e pluhurit. Vlora, kantier ndërtimi në sezon - June 14, 2018
-
Ambulantët në shkolla, nxënësit në Elbasan rrezikojnë çdo ditë shëndetin - June 14, 2018
-
Tregjet e braktisur në Shkodër, aty ku qumështi dhe ushqimet e tjera shiten në rrugë - June 14, 2018
-
Projektet për të rinjtë, Bashkia e Korcës me pikatore, pikëpyetje për zbatimin - June 14, 2018
-
Inceneratorët i hapin rrugën importit të mbetjeve - June 14, 2018
-
GJURMË HISTORIE TË LËNA NË HARRESË - June 14, 2018
-
Mensat Social nё Shkodёr - June 14, 2018
Ambulantët në shkolla, nxënësit në Elbasan rrezikojnë çdo ditë shëndetin
Bukë me vete apo ushqime te ambulantët? Nxënësit e Elbasanit përballen çdo ditë me këtë dilemë. Fakti që pothuajse në çdo shkollë, ka nga një tregtar ose pikë shitje produktesh të tilla ngjitur me shkollën, tregon se një pjesë e mirë e nxënësve blejnë pikërisht këtu.
Në mes të diellit, siç po ndodh këto ditë, shiut në dimër apo pluhurit të makinave, sigurisht ata nuk janë të mbrojtur. Çdo gjë ndikon te siguria e produkteve ushqimore dhe mbajtja e tyre në kushte jo të përshtatshme. Madje, mjafton të shohësh edhe mënyrën sesi furnizohen këto pika shitje me produkte. Ushqime që transportohen nga bagazhet e makinave të vogla, pa garantuar asnjë kusht sigurie apo pastërtie.
“Blej çdo ditë molto, patatina ose edhe sanduiçët që janë të gatshëm. Pushimi mbaron shpejt dhe nuk më del koha të shkoj në një vend tjetër”, tregon një nga nxënësit në shkollën “Dhaskal Todri”.
“Jam mësuar të marr këtu, nuk marr nga shtëpia”, shprehet një tjetër 8-vjeçar që mëson në këtë shkollë. “Ne i hamë direkt, nuk i shohim datën e skadençës”, thotë një tjetër nxënës, që është i vetëdijshëm për rrezikun që i kanoset nga konsumimi i këtyre ushqimeve të pakontrolluara.
Edhe prindërit kanë shqetësim për sigurinë e produkteve ushqimore që shiten nga këta ambulantë, që rëndom qëndrojnë prapë kangjellave të shkollave. Ata shpjegojnë se preferojnë që fëmijëve t’ua japin bukën më vete, por këta të fundit refuzojnë. “Unë përpiqem t’ia jap bukën me vete djalit. Ia bëj madje sanduiç, si ata që shiten. Edhe ujin përpiqem t’ia vë me vete. Por nuk pranon t’i marrë. Pëlqen t’i blejë atje.”, tregon e ëma e një nxënësi në këtë shkollë.
Mësuesit janë në dijeni të kësaj situate. Ata shpjegojnë se orët e gjata të mësimit i detyrojnë nxënësit të blejnë tek këto pika që janë në shumë raste, ngjitur me shkollën. “Koha nga ora 7.30 deri në 14 që janë këtu, herë pas herë, i detyron që nxënësit të kërkojnë diçka qoftë për të pirë, qoftë për të ngrënë.”, shprehet Valentina Leka, mësuese në shkollën “Dhaskal Todri”.
Subjektet që shesin pranë shkollave në qytetin e Elbasanit kanë arritur deri aty sa kanë çarë muret rrethuese të institucioneve ose kanë krijuar në objekt dritare që lidhen me oborret e brendshme, për të komunikuar me nxënësit. Kjo dukuri është e njohur edhe nga Inspektoriatit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në Elbasan, që paralajmëron ndërmarrjen e një aksioni për t’i dhënë fund këtij abuzimi.
“Janë konstatuar mbi 30 raste, ku janë hapur objekte brenda shkollave. Domethënë, muret e shkollave që janë ngjitur me banesat ekzistuese janë prishur, në disa raste dhe kryhet aktivitet i paligjshëm.”, shprehet për median Aurel Kalaja, kryeinspektori. Kjo situatë vazhdon, edhe pse vlerësohet shqetësuese nga institucionet shtetërore. Por ende nuk ka pasur reagim nga Bashkia e Elbasanit apo strukturat e tjera për të normalizuar situatën.
Ekspertët këshillojnë kujdes me konsumimin e këtyre produkteve, pasi janë të rrezikshme. “Ekspozimi i produkteve ushqimore të paketuara ndaj agjentëve natyrorë, temperatura, ndotja e ndryshme është shumë e rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve”, shprehet Hysni Gura, ekspert për sigurinë ushqimore. Ai shpjegon se përse ky rrezik është më i lartë tek fëmijët. “Ambalazhet e shumë produkteve në përbërjen e tyre kanë me dhjetëra lloje kimikatesh të ndryshme, të cilat janë parashikuar të kenë efekte minimale dëmi, në rastet kur ruhen në standardet e duhura. Në rastet kur nuk ruhen, por shiten nga ambulantët jashtë çdo lloj standardi, këto kimikate në reaksione të ndryshme, për shkak të temperaturave p.sh, bëhen shumë të rrezikshme për shëndetin e konsumatorit, sidomos fëmijëve”, shprehet eksperti Gura.
Elbasani është përzgjedhur si qytet për zbatimin e projektit, që parashikon bërjen e detyrave në klasë, ku përfshihet edhe ushqimi i kontrolluar. Por zbatimi nuk ka nisur. Në këto kushte, nxënësit duhet të zgjedhin: Bukë me vete ose të blejnë tek ambulantëve që qëndrojë pranë kangjellave.
Punuan: Studentët e Multimedia Activism Platform (map.mjaft.org)