Share

EURO 2012 në sytë e të rinjve – Endri Farka

EURO 2012 në sytë e të rinjve

Shqipëria nuk është as këtë vit pjesë e kampionatit europian të futbollit. Si cdo kompeticion emocionet dhe përkrahja e tifozëve për kombëtaren shqiptare për një kualifikim të mundshëm nga faza e grupeve nuk ka munguar, por edhe këtë herë skuadrat europiane kanë qenë superiore. Por kjo nuk ndikon aspak në zhdukjen e emocioneve që futbolli u dhuron tifozëve. Eliminimi i kombëtares bën që tifozët shqiptarë të mbështesin skuadrat e tyre të ashtuquajtara “rezerve”. Energjia e këtij kompeticioni përjetohet njëlloj si katër, tetë apo shumë vite më parë. Shqipëtarët janë tifozë të mëdhenj të futbollit. Bile disa prej tyre janë parë nëpër stadiumet më prestigjoze të Europës duke ngritur flamurin shqiptar. Nuk kanë qenë të paktë rastet kur flamuri jonë është filmuar në stadiume ku luheshin finale të mëdha, por fatkeqësisht ky flamur nuk valvitej për kombëtaren, por thjesht për të treguar se edhe ne jemi atje, por në një formë tjetër, formën e tifozit.

Kampionati europian në rrugët tona.

Sipas të dhënave të Instatit raporti gjinor në Shqipëri është 100.8 meshkuj për 100 femra. Edhe pse ky raport pothuajse është i barabartë nuk ndodh të jetë i barabartë edhe raporti në gjini i tifozëve. Në Shqipëri ashtu si në shumicën e vendeve të tjera numëri i tifozëve meshkuj është më i lartë se ai i tifozeve femra. “Unë bëj tifo me Italinë se ashtu bëjnë dhe babai e vëllai im, por nuk e kam idenë kush janë lojtarët e kësaj skuadre”- thotë duke qeshur nje tifoze shqiptare. Gjatë muajit qershor lokalet në Tiranë kanë qenë të mbushura plot netët që luheshin ndeshjet e kampionatit. Pak makina në levizje, pak njerez që shetisnin dhe rrugët e qytetit dukej sikur binin në qetësi pas orëve të nxehta gjatë ditës. Interesante këtë vit ndryshe nga më parë është pedonalja në qendër të qytetit ose ” Rruga e europianit” e cila nën praninë e një ekrani të madh, e shoqëruar me ushqim e pije tërhiqte shumë njerëz, shqiptare e të huaj. Ky kompeticion shoqërohet në Shqipëri me një qarkullim të madh bisedash, debatesh, komentesh pse jo dhe parash. “Të rinjte vënë baste, disa për të fituar para ose disa të tjerë për t’i parë ndeshjet me më shumë emocione. “Ka plot raste kur shumë të rritur meshkuj lenë shuma të mëdha parash për ndeshjet”- thotë një i punësuar në një qendër basti sportiv. Ky kampionat nuk ka gjallëruar veç lokalet e rrugët por edhe llotot njëkohësisht.

Tifozë dhe simpatizantë

Kampionati europianë i futbollit ka një efekt të madh socializimi dhe ndërveprimi te të rinjtë në Shqipëri. Numri më i madh i tyre bëjnë tifo për Gjermaninë, Italinë, apo Hollandën. Spanja, pavarësisht se kampione ne fuqi e botes dhe e Europes dhe me spektaklin qe ka dhuruar nuk ka arritur të ketë tifozë në maseë të madhe në vendin tonë. Më pak në numër, gjithashtu janë tifozët e skudres angleze, franceze dhe portugeze. Në datën 27 qershor, dita kur luhej gjysëmfinalja Itali-Gjermani, lokalet e qytetit gumezhinin nga të rinjtë. Jo të pakta ishin rastet kur fanellat e këtyre skuadrave i mbanin veshur vajza. E çuditshme sesi kemi ushqyer ndër vite respekt dhe dashuri për skuadra të dy kombeve që shumë vite më parë na kanë pushtuar trojet. Në orën 22:35 dëgjohet fërshellima e fundit e gjysëmfinales edhe tifozët gjermanë i sheh të mërzitur disa dhe të përlotur. Nërsa ato italian ju drejtohen bareve dhe rrugëve të Tiranës për të festuar. Vështirë të gjesh shtet tjetër jopjesmarrës që feston kështu si ne.

Futbolli në median shqipëtare

Gjatë këtij muaj si një “sëmundje ngjitëse” kampionati europianë j’ua zuri vendin dhe debateve politike dhe emisioneve me karakter jo sportiv. Në këtë kohë shikuesi shqiptar shumë pak merr vesh se c’ndodh në vend. Njerëzit në shtëpi ndjekin ndeshjet, pas tyre lajmet për ndeshjet, dhe pas lajme emisionet sportive me debate e analiza të ndryshme në televizione të ndryshme. Këto diskutime e grindje për diçka që ka të bëjë me futbollin jua largon disi vëmendjen shikuesve nga problemet e përditshme. Paksa problem për studentët në universitete dhe maturantët të cilët mbase nuk e kanë shijuar sic duhet këtë kampionat europian për shkak të provimeve. Kjo është një mënyrë e mire për t’i larguar njerëzit nga streset e ditës dhe që sjell në një farë mënyrë entuziazëm në cdo familje .