Share

GJURMË HISTORIE TË LËNA NË HARRESË

 

A e njohim ne sa  duhet vendin tonë, gjurmët historike të tij? A i mbrojmë, promovojmë dhe i përdorim si duhet këto vlera?

Shqipëria ka shumë gjurmë të tilla, një pjesë e të cilave nuk janë të mbrojtura dhe promovuara mjaftueshëm. Mes tyre është shpella e Trenit dhe piktura në shkëmbin e Spilesë, edhe pse gërmimet në Shpellën e Trenit kanë filluar qysh në 1966. Ajo ende vazhdon së bashku me vlerat e saj të qëndrojë në harresë. Shpella e Trenit dhe piktura në shkëmbin e Spilesë nuk qëndrojnë të vetme në këtë zonë, ato janë të  bashkëshoqëruara nga gjurmë të tjera të periudhave të ndryshme historike të gjendura në një sipërfaqe jo shumë të madhe në Bashkinë Devoll. Këto gjurmë janë të lëna në pëlhurë harrese si nga shteti, por edhe popullsia vendase që ia ‘’fshin’’ këtë pëlhurë në mënyrë jo të ligjshme, e cila i ka cënuar vlerat e këtyre monumenteve.

Për të njohur dhe kuptuar vlerat që mbartin këto dy monumentet duhet t’i shohësh dhe  t’i prekësh vetë nga afër,  e kështu mund të zbulosh të vërtetat e kësaj trashëgimie. Trashëgimi e cila mbart plot histori, me  një kombinim të rrallë të vlerave natyrore me vlerat material-shpirtërore. Ato reflektojnë e shpalosin histori, traditë dhe kulturë.

Shpella e Trenit ndodhet jo shumë larg qytetit të Bilishtit, në vendin  që njihet si gryka e ujkut, buzë Liqenit të Prespës së Vogël. Është e gjatë deri në 40 metra, poshtë vjen më e gjerë ndërsa lart vjen duke u ngushtuar me një lartësi rreth 4m, vazhdon në një korridor të gjatë prej 9m. Përbëhet nga tre dhoma njëra pas tjetrës, ajo zgjerohet duke formuar dhomën e parë, ku në skajin jugor të saj gjendet një hyrje që të çon në dhomën e dytë më e madhe në sipërfaqe, ndërsa dhoma e tretë e cila është edhe më e thellë ka prezencën e ujit kur ai është në nivele optimale.  Për t’u theksuar është fakti se në hyrje të shpellës në majë të saj ndodhet një dritare natyrore që çon dritë e ajër brenda në shpellë. E  formuar nën ndikimin e procesit të karstit, në shkëmbinj tepër të copëtuar nga shkëputjet tektonike bën që ajo të ketë një larmishmëri formash.

Shpella e Trenit është një nga gjurmët më të lashta për këtë zonë, ajo daton qysh rreth 6000 vjet më parë, por një gjurmë që nuk do të shuhet, por të vazhdojë të ekzistojë, si gërshetim i bukurisë natyrore e vlerave historiko-kulturore. Gërmimet në vendbanimin e Trenit u zhvilluan në dy sektorë: shpellë(sektori A)dhe në banimin sipër shpellës (sektori B). Ajo u zbulua për herë të parë në vitin 1952 dhe nga fshatarët ajo njihet si Shpella në Grykën e Ujkut.

Gjatë gërmimeve u zbulua një material i pasur arkeologjik si; fragmente enësh, vegla pune, pjata me buzë të trasha, tasa, çerepë, qeramikë e punuar me dorë dhe me çark. Gërmimet arkeologjike tregojnë se këtu ka pasur vazhdimësi jete që nga periudha e eneolitit të vonë, vazhdon në atë të bronxit të hershëm, e të atij të vonë, më pas në periudhën e hekurit të hershëm, periudhën e pushtimit romak dhe deri në mesjetën e hershme. Vlerat  e saj janë të shumëllojshme shkencore, gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, didaktike, kulturore dhe ekologjike ku theksojmë praninë e nëntë lloje lakuriq nate  nga këta njëri prej tyre është pjesë e Listës së Kuqe.

Jo shumë larg shpellës së Trenit ndodhet pikërisht piktura e Spilesë në një terren të thyer e të vështirë mes shkëmbinjsh që lartësohen, me vlera të jashtëzakonshme historike e kulturore: ajo është unikale në llojin e saj, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan e më gjerë. Gati si një obelisk natyror, ky shkëmb e sidomos pikturat e gdhendura mbi faqen e rrudhur të tij, janë të mbushura plot e përplot me mistere të shumta që askush nuk ka mundur t`i shpjegojë në mënyrë të plotë, bindëse e shteruese.

Nuk dihet ende me siguri(debatet në nivele arkeologësh e historianësh të shquar vazhdojnë) se kur dhe nga kush janë gdhendur pikturat emblematike mbi shkëmb. Cili është piktori a piktorët anonimë, me çfarë teknikë pikturore janë punuar dhe mbi të gjitha, cila është përmbajtja e tyre, simbolika e tyre, mesazhi i tyre? Pse pikërisht atje, në faqen shkëmbore të atij shkëmbi  madhështor  piktori anonim ka shkuar ,është ndalur  për të pasqyruar copëza nga historia e tij,nga jeta e tij?

Piktura e Spilesë paraqet një skenë gjuetie që formohet nga tri pjesë. Në pjesën qendrore janë vendosur tre kalorës të armatosur me heshta dhe tre qenë që ndjekin një dre. Sipër tyre,në një largësi 60 cm,është figura e një kalorësi tjetër dhe e një qeni. Në krah të djathtë të grupit qëndror, rreth 4-5 m larg dhe poshtë tyre, ruhen në gjendje jo të mirë,figurat e dy kafshëve ,ndoshta e një dreri dhe një qeni. Figurat janë paraqitur në siluetë, janë dhënë në një plan dhe në përgjithësi janë vendosur në raport të drejtë me njëra tjetrën. Ato lëvizin në një drejtim diagonal, nga e majta në të djathtë. Arsyeja është e qartë: gjahtarët me kuaj dhe qentë e tyre ndjekin gjahun. Kështu kalorësi që ndodhet më afër drerit është i hipur në kalë i cili ecën me revan; në njërën dorë mban një heshtë të gjatë të drejtuar nga dreri, kurse në dorën tjetër mban kapistallin.

Vendosja e figurave në tre grupe, që janë në fakt tri skena gjuetie, është e kushtëzuar, me sa duket, nga sipërfaqja e shkëmbit. Ato janë vizatuar me bojë të bardhë, me përbërje kryesore gëlqere që mbush gjithë figurat dhe formon një farë relieve të hollë mbi sipërfaqen e shkëmbit. Artisti anonim në këtë rast ka gërvishtur më parë mbi shkëmb për të formuar secilën figurinë, pastaj i ka mbushur vijat e gërvishtura me gëlqere. Me kalimin e kohës gëlqerja ka marë ngjyrë krem dhe nën influencën e faktorëve atmosferikë është forcuar shumë dhe është bërë një me faqen e shkëmbit. Nga pikpamja ideore piktura e Spilesë paraqet një skenë nga jeta, një fakt konkret për gjuetinë kolektive .

Jo shumë vite më parë, rreth 80% e zonës së mbrojtur arkeologjike i ishte dhënë për shfrytëzim subjekteve private, të cilët  jo vetëm që pengonin zhvillimin e ekspeditave, por ishin dhe një rrezik për dëmtimin e vlerave të kësaj gjurme historike, por këtu i shtohet edhe dhunimi dhe keqpërdorimi i saj nga vetë banorët, dikur në hyrje të shpellës ishte e vendosur një portë hekuri, ndërsa sot ajo jo vetëm nuk është, por kanë nisur gërmime nga persona të paidentifikuar me qëllimin që të gjejnë objekte me vlerë. Dhe kjo do të jetë koha kur do të propozohet që kjo të shpallet zonë e mbrojtur dhe të merrej në mbrojtje nga pushteti vendor me qëllim ruajtjen nga dëmtimi si pasojë e aktivitetit privat të guroreve në afërsi të saj. Edhe pse me ligj ky monument duhet të mbrohet, kujdesi ndaj tij ka qenë minimal,  por me shpresë se sot kjo gjurmë e cila është marrë në mbrojtje nga AKZMK(Agjensia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura Korçë) do i rikthehen ato vlera që për më se një shekull i janë mohuar dhe shkatërruar. AKZMK së bashku me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Korcë për një administrim sa më të mirë kanë menduar të bëjnë një sitemim  të terrenit sa më afër natyrës në hyrje të shpellës  me qëllim që të jetë e mbrojtur nga vizitorët e paftuar, vendosja e një porte me kangjella. Gjithashtu mendohet të vendoset edhe një baner në hyrje për të spikatur vlerat natyrore e kulturore që ka ky monument. Piktogramet në zonën e Spilesë si rezultat i kushteve atmosferike janë dëmtuar ashtu si stalaktitet dhe stalagmitet e shpellave, një dëm i pariparueshëm, por të paktën të kufzohen dhunimet e mëtejshme.

Pamja piktoreske në mjedisin përreth, nën larëtsinë e shkëmbinjëve, gjelbërimit dhe liqeni i Prespës së Vogël e bëjnë mjaft tërheqës këtë peizazh. Por, krahas kësaj janë perla të vërteta që shpalosin histori, kulturë, traditën e bukuri natyrore. Ato janë me vlerë për këdo që është kurioz i natyrës, historisë, kulturës, por jo vetëm. Ato duhet të dalin nga pluhur-harresa, ti kthehen vlerat e tyre dhe këto vlera të promovohen.

Punoi: Dorisa Topi