-
Transporti Publik në Vlorë - July 3, 2018
-
Fabrika e Ndotjes - June 18, 2018
-
Zvërneci turistik - June 18, 2018
-
Të presësh turistë mes llaçit e pluhurit. Vlora, kantier ndërtimi në sezon - June 14, 2018
-
Ambulantët në shkolla, nxënësit në Elbasan rrezikojnë çdo ditë shëndetin - June 14, 2018
-
Tregjet e braktisur në Shkodër, aty ku qumështi dhe ushqimet e tjera shiten në rrugë - June 14, 2018
-
Projektet për të rinjtë, Bashkia e Korcës me pikatore, pikëpyetje për zbatimin - June 14, 2018
-
Inceneratorët i hapin rrugën importit të mbetjeve - June 14, 2018
-
GJURMË HISTORIE TË LËNA NË HARRESË - June 14, 2018
-
Mensat Social nё Shkodёr - June 14, 2018
Inceneratorët i hapin rrugën importit të mbetjeve
Shifra e inceneratorëve marramendëse, 40 miliardë lekë
Shqipëria konsiderohet si një nga shtetet që gjeneron më pak mbetje në krahasim me vendet e tjera europiane. Shkak për këtë mbetet niveli i ulët industrial që ka vendi ynë, duke sjellë gjenerimin e jo më shumë se 373 kg/banor në vit. Po ta krahasojmë me vendet e Bashkimit Europian, të cilët mesatarisht gjenerojne 480kg/banor, Shqipëria renditet ndër të fundit, duke lënë pas vetëm Serbinë dhe Kosovën. Ndonëse potenciali ynë në prodhim mbetjesh është thuajse i papërfillshëm, qeveria jonë tregohet moskokëçarëse dhe ambicioze me firmosjen e kontratave për ndërtimin e tre inceneratorëve. Aktualisht është ndërtuar vetëm inceneratori i Elbasanit, në pritje është ndërtimi i atij të Fierit, e më pas finalizimin e këtyre projekteve do ta realizojë inceneratori i Tiranës. Hataja në këtë mes nuk ka të bëjë vetëm me rrezikun e ndotjes së mjedisit, por edhe me kostot stratosferike që kërkojnë këto projekte gjigande për t’u ndërtuar. Më konkretisht, duke u futur në shifra, rezulton se inceneratori i trajtimit të mbetjeve në Elbasan ka kushtuar plot 5.3 miliardë lekë. Ndërsa sipas deklarimeve të bëra në kontratë kapaciteti përpunues i tij do të jetë 120-140 ton/ditë. Koncesionari për impiantin e përpunimit në qytetin e Elbasanit është kompania “Albtek Energy”. Në pritje të ndërtimit është edhe inceneratori i Fierit që qeveria i ka akorduar shumën 3.97 miliardë lekë. Ndërkaq, kapaciteti përpunues i tij do të jetë 180-200 ton në ditë. Projekti më gjigand dhe njëherësh impianti me koston më të madhe nuk do të ndërtohet në asnjë vend tjetër veçse në Tiranë. Shifra e vënë në dispozicion është 31,17 miliardë lekë. Krahas rrezikshmërisë, kjo situatë shihet edhe në një këndvështrim tjetër që njëkohësisht ngre edhe një pyetjen: Nëse këto projekte dështojnë, si do të justifikohen paratë e hedhura në to? Padyshim qeveria nuk ka dëshirë të flasë për dështime, por duke qenë që financimi është i drejtpërdrejtë nga taksat e qytetarëve, institucionet përkatëse duhet të marrin përgjegjësinë që ju takon dhe të informojnë qytetarët përpara se të lidhin kontrata të kësaj natyre. Në përfundim të projekteve, kostoja totale e shpenzuar nga buxheti i shtetit do të kap shifrën 40 miliardë lekë, ndërsa total i mbetjeve të ricikluara 1000 ton/ditë. Po të ndalemi tek rreziku që i kanoset mjedisit, mjafton të kujtojmë rastin e disa ditëve më parë, ku fare pranë Tiranës, në Kashar, u dogj një fabrikë mbetjesh. Nga konstatimet paraprake u vërejt se kjo fabrikë nuk kishte në gjendje pune sistemin zjarrëfikës, i cili është një kusht teknik i domosdoshëm. Në këtë mes fajësia nuk rëndon vetëm mbi investitorin, por më shumë mbi institucionet përgjegjëse. Si për ta dëshmuar këtë na vjen fakti se ky subjekt ishte gjobitur më parë për këtë shkelje me masë administrative.
Kush janë koncesionarët?
Asgjë nuk bëhet publike nga shteti e aq më pak emrat të cilët fitojnë tendera miliona eurosh. Paçka se nuk publikohet emri i personit që fiton këto projekte të mëdha e aq më pak mënyra e konkurimit, media ka zbuluar emrin misterioz të personit që i ka fituar këto tendera. Bëhet fjalë për Klodian Zoton, i cili ka qenë edhe menaxher i ministrit Arben Ahmetaj në kompaninë “Hermes”. Mediat e kanë lakuar dhe lidhur emrin e Klodian Zotos me këtë aferë të pastër
korruptive, i cili ka përfituar direkt 13 milionë euro nga taksapaguesit shqiptar. Gjithashtu, sikur të mos mjaftonte kjo kompania e këtij të fundit ka përfituar nga Ministria e Mjedisit 11 pagesa në para, vlera e të cilave arrin 6.5 miliardë lekë, edhe pse ndërtimi i inceneratorit nuk ka filluar ende, për shkak të protestave të banorëve të zonës. Ky i fundit arriti ta ngrinte kompaninë e tij me shumën fillestare 100 mijë lekë, shumë e cila në vetëm 7 vjet do të kapërcente vlerën e 10 milionë eurove.
Veç këtyre problematikave, lind pyetja: A ka vendi ynë mjaftueshëm lëndë të parë për të furnizuar të 3 inceneratorët? Vendi ynë, në ndryshim nga vendet europiane, ka më shumë mbetje organike sesa plastike dhe të riciklueshme. Bashkuar kjo edhe me elementin tjetër që nuk kemi industri të zhvilluar, na nxjerrin në përfundimin e thjeshtë që këto inceneratorë nuk do të mund të furnizoheshin me mbetje vendase, gjë e cila do të sillte importim të lëndës së parë nga vendet e tjera të rajonit. Kujtojmë se në vitin 2016 ligji për importimin e mbetjeve nuk gëzoi dekretimin e presidentit të asokohe, Bujar Nishani duke e kthyer për rishqyrtim në Kuvend. Nëse bëjmë një paralelizëm me Italinë, e cila ka në funksion të rregulltë plot 44 inceneratorë përpunimi, do të vërenim që kapaciteti i inceneratorëve është i papërputhshëm me nevojën e lëndës së parë. Inceneratori më i madh në shtetin fqinj ndodhet në Breshia, me një kapacitet vjetor prej 800 mijë ton. E megjithatë, Shqipëria ka një ndryshim thelbësor me Italinë në fushën e përpunimit, sa i përket formës së administrimit. Tek ne përpunimi i mbetjeve të riciklueshme bëhet nga koncesionarët, e ndërsa në Itali këtë rol e kryejnë bashkitë. Veç kësaj, në Shqipëri nuk ka një ndarje strikte të mbetjeve siç ndodhet në vendet e tjera europiane. Evidentohet parregullsi totale që në ndarjen e mbetjeve, prerjen, presimin dhe më pas stabilizimin e tyre. Problemi tjetër që lidhet me faktorin ambjental, ka të bëjë më trajtimin e lëndës që ngel e papërpunuar në këto inceneratorë. Pjesa e dëmshme e lëndës së ngelur duhet trajtuar më shumë kujdes në impiante të posaçme, të cilat në vendin tonë janë inekzistente. Për këtë çështjë kanë reaguar komponentë të shumtë, duke filluar nga ekspertët mjedisorë, qytetarët, e deri tek forcat partiake. Vetëm pak kohë më pare, selia blu ka kërkuar interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për të shpjeguar atë që ajo e quan aferë korruptive. Ndër të tjera i habitshëm është edhe fakti që inceneratori i Elbasanit mbahet nën vëzhgim të rreptë me roje, si për analogji mendja të shkon se diçka fshihet pas atyre rrethimeve. Praktikisht në vendin tonë është ndërtuar një gjigand në përpunimin e mbetjeve dhe priten të finalizohen edhe dy të tjerë, ndërsa opinioni publik nuk është informuar as për koston e tyre, as fituesin e koncesionit, e aq më pak, për rrezikun e ndotjes që mund të sjellin.