Share

Karta e Studentit – Rozi Hysuka

Karta e Studentit
Ky vit akademik që sapo ka nisur i gjen sërish studentët përballë sfidave dhe problemeve akoma të pazgjidhura, të lëna pezull që vitin e shkuar. Edhe pse janë trajtuar si çështje ende nuk ka një zgjidhje në horizont.Si çdo problem ekzistues që rëndon në kurriz të tyre një prej pakënaqësive të radhës mbetet “Karta e Studentit”. Me dhjetëra studentë janë të papajisur me këtë kartë dhe njëkohësisht një pjesë e madhe e tyre nuk kanë as informacionin përkatës, ndonëse kjo risi u prezantua si një nismë nga “Bashkia Tiranë”.
“Karta Bashkiake e Studentit” u projektua si një nismë e Bashkisë Tiranë për t`u mundësuar studentëve të qytetit të Tiranës, ofrimin e produkteve ose shërbimeve me ulje çmimi apo me kushte të favorshme nga veprimtaritë e biznesit që do përfshihen si partner në këtë program etj”- lexohet në portal- online të Bashkisë Tiranë. A u zbatua ky premtim i këtij projekti që u deklarua në nëntor 2011?
Studentët
Studentë të pyetur përgjatë gjithë vitit akademik në fillim dhe në mbarim të tij shprehen se jo vetëm nuk kanë asnjë lloj informacioni dhe për më tepër nuk dinë as si të aplikojnë. Iva.Ll. studente në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja na thotë se :“ Askush nuk na ka informuar për aplikimin dhe nuk kam informacion për kartën e për më tepër sekretaria e shkollës lë shumë për të dëshiruar në gjithçka, pasi jo vetëm nuk të japin informacione, por përgjigjen shumë keq”. Dhe pse është studente në vit të tretë asaj i nevojitet kjo kartë për përfitime dhe në shërbim të saj si studente, por si duket e gjithë nisma e projektit është false “karta do të më shërbente për të përfituar prej saj në transport urban, librari etj, por unë jam si një nga dhjetra studentë që nuk kanë marrë kartë studenti dhe nuk di kur do t`a kemi një të tillë dhe nuk di a është e vërtetë kjo puna e kartës”. Edhe ato pak studentë që kanë një informacion për ekzistencën e saj dhe jehonën që iu bë duket se nuk kanë besim në pasjen e një karte të tillë në ditët e ardhshme.Sikundër edhe studenti i pyetur A.I në Fakultetin e Filologjisë na thotë pothuaj të njëjtin shqetësim në lidhje me moszbatimin e kartës: “ Jo, jo, s`jam pajisur me kartë , ka nisur si projekt, por s`po del me sukses”. Nga ana tjetër studentët apo ato pak studentë që janë pajisur me kartën studentore , shprehin pakënaqësitë e tyre në lidhje me mos funksionimin e kartës së studentit dhe mos njohjen e saj qoftë dhe në transportin urban.”Jam nervozuar nga fatorino në linjën e unazës i cili më kërkoi lekët dhe për kartën më tha s`dua t`ja di kush jua ka dhënë, sepse nuk e njohim ” –shprehet një tjetër studente e Fakultetit të Juridikut Ina.L e cila shton se “ unë kartën e kam hedhur, sepse nuk më ka hyrë në punë as edhe një ditë” . Gjithashtu studentë të tjerë të interesuar vetë për t`u pajisur me këtë kartë ( parë jo si një nismë apo projekt i Bashkisë ), por si një nevojë qoftë dhe për t`ju shërbyer për fotokopjet që ju duhen. “ Universiteti ka probleme të shumta të lidhura zinxhir duke nisur me fotokopjet apo librat që na duhen të blejmë shtesë, nuk i përballojmë dot të gjitha shpenzimet, ndaj kjo puna e kartës do na shërbente dhe do të na lehtësonte ne, por edhe studentëve të rinj, pasi sot çdo gjë është në teh të lekut”- shprehet A.G, studente në Fakultetin Shkencave-Sociale.E gjithë nisma për t`ju ardhur në ndihmë studentëve përkthehet si një premtim bosh dhe gjithashtu si një shërbim shumë i vonuar pasi shpenzimet që ju duhen të përballojnë çdo ditë janë problem serioz kur standartet si një student europian premtohen mbi gënjeshtra . A do ketë një zgjidhje?“ Kam trokitur në çdo derë dhe nuk kam kuptuar pse nuk përgjigjen si duhet, qoftë në sekretarinë e Fakultetit tim, qoftë në sportelet e Bashkisë dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje nga këto dyer përveçse shprehjet rutinë “nuk kemi informacion dhe karta është aktive”- shprehet Bora Sh një tjetër studente e radhës ku plotëson numrin e dhjetra studentëve të cilët emrat e tyre përbëjnë listën e gjatë të atyre që akoma presin dhe mbajnë shpresë për pajisjen me kartën studentore, që duhej të ishte një problem i zgjidhur tashmë.