Share

Projektet për të rinjtë, Bashkia e Korcës me pikatore, pikëpyetje për zbatimin

Edhe pse në fushata elektorale, të rinjtë janë grupimi kryesor që u kërkohet vota, kandidatët harrojnë premtimet sapo zgjidhen. Kjo ndodh jo vetëm për pushtetin qendror, por edhe për atë vendor.

Në çdo vend, bashkitë janë më afër qytetarëve dhe rrjedhimisht, i njohin nevojat e tyre dhe veçanërisht të të rinjve, si aset për ta. Por në buxhetet e tyre, nuk ka një zë të dedikuar për të rinjtë, me qëllim nxitjen e tyre në aktivitete të ndryshme. “Në strukturën e shpenzimeve, nuk ekziston një zë i veçantë për të rinjtë. Në disa bashki, është i përfshirë tek zëri ‘Arti dhe kultura’, por është i pandarë. Struktura e shpenzimeve është standarde dhe aplikohet në mënyrë ndërkombëtare. Brenda shpenzimeve totale mundet që bashkia të ketë program për rininë, por nuk identifikohet dot nga të dhënat e buxhetit”, shpjegojnë ekspertët e financave publike.

Disa programe të tilla janë premtuar nga Bashkia e Korçës. Në buxhetin 2018, bashkia ka parashikuar 4 programe për të rinjtë, që duhet të zbatohen gjatë këtij viti.

Projekti “Bursa për gjimnazistët”, me vlerë 1.3 milionë lekë; projekti “Projektimi i banesave familjare në Korçë”, me vlerë 200 mijë lekë, nëpërmjet të cilit synohet stimulimi dhe edukimi i brezit të ri me vlerat arkitektonike; projekti “Parku me materiale të riciklueshme” me vlerë 109 mijë lekë, që synon angazhimin e të rinjve të shkollave që të zbatojnë idetë e tyre inovative; si dhe projekti “Idea Bombing” me kosto totale 257 mijë lekë dhe që synon organizimin e një konkursi, ku të rinjtë që do të bëhen pjesë, do të kenë mundësi të japin zgjidhje, ide apo të ngrenë dhe problematika që kërkojnë zgjidhje për qytetin e Korçës.

Në total, nga këto projekte për vitin 2018 janë parashikuar mbi 1.8 milionë lekë. Një vlerë relativisht e ulët krahasuar me totalin e buxhetit të Bashkisë së Korçës për vitin 2018, që vlerësohet në mbi 1.2 miliardë lekë.

Por anëtarët e Këshillit Bashkiak të Korcës shpjegojnë se deri më tani për të rinjtë nuk është bërë asgjë, edhe pse është premtuar shumë. “Buxheti i Bashkisë nuk ka parashikuar në asnjë zë mbështetjen për nisma të të rinjve ose të grave. Edhe pse ka hartuar programe për mbështetje të  sipërmarrjeve të të rinjve me grante nga Bashkia, kjo nuk ka funksionuar. Këto programe parashikojnë lehtësi në taksat dhe tarifat vendore (ku sipërmarrësi i ri nuk do të paguajë për një 1 vit detyrimet ndaj Bashkisë)”, shpjegon Sorina Koti, anëtare e Këshillit Bashkiak të Korcës, njëherazi eksperte për financat.

Sipas saj, edhe pse me ligj, Bashkia Korcë detyrohet të përcaktojë një fond për mbështetjen e universitetit dhe bashkëpunime në lidhje me praktikat dhe trajnimet e studentëve, nga buxheti nuk është akorduar asnjë fond për këtë institucion.

“Mbi të gjitha, Bashkia Korcë ka një përfaqësues në Bordin e Universitetit. Ne kemi 3 vite që kërkojmë akordim fondi për të rinjtë, gratë dhe universitetin, por asnjë reagim nuk ka pasur nga ana e ekzekutivit. Programet e bëra publike nga Bashkia, nuk mbështeten me fonde, duke i lënë thjesht programe në letër, pa ndikim të drejtëpërdrejtë në komunitet”, deklaron Koti.

Një pjesë e projekteve të parashikuara në buxhetin 2018 të Bashkisë së Korçës për të rinjtë kanë si afat muajt e fundit të vitit (nëntor-dhjetor). Kjo do të thotë se duhet pritur edhe disa muaj për të vlerësuar qartë zbatimin e tyre. Edhe pse eksperienca tregon se projektet më efektive janë ato me shtrirje përgjatë gjithë vitit buxhetor dhe jo ato që përqëndrohen në muajt e fundit dhe që në finale nuk synojnë përmbushjen e objektivave pse janë krijuar, por thjesht mosdjegien e fondeve.

 Punuan: Studentët e Multimedia Activism Platform (map.mjaft.org)