Share

Qentë e rrugës: Kërcënim për qytetarët

Qytetërimi i një populli duket nga dashuria që ata kanë për kafshët. Në ditët e sotme dashuria dhe kujdesi për kafshët është në rritje, por është edhe ana tjetër shohim se nëpër rrugët e qytetit , enden plot kafshë të cilat kanë nevojë për përkujdesje. Qendra “Animals needs me” është e para në qarkun e Shkodrës ku vullnetarë të ndryshëm kanë krijuar një strehë për qentë e braktisur. Një shumë e nevojshme, përmes së cilës është bërë i mundur sterilizimi, vaksinimi dhe matrikulimi i qenve të rrugës, por jo eleminimi i tyre. “Animals needs me” ka bërë të mundur sterilizimin e 215 qenve, ndërsa janë adoptuar gjer tani rreth 90 të tillë. Kjo qendër përveç vështirësive të tjera përballet edhe me atë ekonomike, mbështetja nga ana e institucioneve është minimale.

Isabela Sala (vullnetare “Animals needs me”) pohon: “Nga bashkia kemi pasur fillimisht vëmendje sepse ata na ndihmuan për sa i përket tenderit për sterilizimit, vaksinimit të qenve. Por periudhën e fundit kemi pasur vështirësi për furnizimin me ushqim të tyre. Duke mos pasur mjaftueshmërisht të ardhura, jemi detyruar që të strehojmë pranë qendrës tonë një numër të kufizuar qensh, ndërkohë që shumë të tjerë enden nëpër rrugët e Shkodrës.”

Kjo dukuri është kthyer në një kërcënim serioz për qytetarët, ku shpesh herë ka pasur raste kur këta të fundit janë sulmuar nga qentë e rrugës. Selim Kraja, Përgjegjës i Shërbimit Veterinar pranë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë Shkodër, pohon se ky fenomen ka marrë përmasa të gjëra, pasi është shtuar agresiviteti i tyre dhe përmes sëmundjeve që sjellin, po sulmojnë dhe qytetarët. Duke jetuar në kushte të këqija dhe duke u ushqyer me mbeturina ata bëhen bartës të shumë sëmundjeve të rrezikshme, të cilat mund të transmetohen edhe tek njeriu. I pyetur për rolin që luan “Animals needs me” në këtë aspekt, ai shton se qentë e rrugës akoma mbeten problem aktual në rrugët e Shkodrës, si në qendër ashtu edhe në periferi. Nga informacionet e gjeneruara, kjo nismë nuk ka mbështetjen e nevojshme nga Bashkia dhe ata si Drejtori Rajonale e Bujqësisë do nisin një precedim penal ndaj Bashkisë nëse nuk merren masat e nevojshme për strehimin dhe reabilitimin tyre nga rruga.

Për sa kohë që institucionet përgjegjëse nuk ndërmarrin masa konkrete në lidhje me qentë e rrugës dhe mënyrat e trajtimit të tyre, kjo do të mbetet një problematikë për qytetarët e Shkodrës. Qentë endacak, nga ana tjetër meritojnë t’u ofrohen shërbime të përshtatshme veterinare, strehim në ambjente të sigurta në mënyrë që të mos bëhen burim rrezikshmërie edhe për komunitetin. Nëpërmjet këtij shkrimi urojmë që organet kompetente të reflektojnë mbi situatën e krijuar dhe të ndërhyjnë për përmirësimin e saj.

Punoi: Valbona Molla