Share

Rritja e rolit të gruas në shoqëri nga Fitore Dida

E lindur në një shoqëri ku dominon figura e mashkullit dhe e rritur nën urdhrin dhe fanatizmin e të tillëve, grave iu është dashur dhe iu duhet të ngrenë krye dhe të luftojnë që aftësitë e tyre të vihen në pah. Tanimë roli i gruas në shoqëri është drejt ndryshimit, për mirë. Vajzat e rritura që qëndrojnë mbyllur, gratë që kujdesen për fëmijët gjithë kohën, nuk marrin shkollimin eduhur e që martohen më mblesëri, të detyruara që gjithë jetën ta kalojnë brenda mureve të shtëpise dhe që u zhvlerësohet puna që bëjnë, janë të ndërgjegjësuara për vlerat e tyre. Sot duke u përpjekur t’i lemë ato kohë pas dhe ta luftojmë këtë fenomen, grate dhe vajzat e gjejnë veten larg atyre ditëve të trishta dhe gjenden drejt rrugës së arritjes së ëndrrave të tyre.

Për të folur për këtë gjë na mjafton të argumentojmë duke u bazuar në disa raste në të cilat vërehet ky ndryshim. Gratë gjithnjë e më shumë po e gjejnë veten të angazhuara në jetën kulturore, politike, shkencore, ekonomike etj. Rasti i gruas në politikë është një nga tabutë më të thyera në Shqipëri. Perse duhet të quhet kështu, tabu? Dikur as që mendohej që një grua mund të merrte një mandat drejtimi, të hynte në parlament apo dhe të drejtojë një vend. Faktet flasin: në Shqipëri 30% e deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë janë gra. Një shifër kjo, e konsiderueshme duke pasur parasysh që Shqipëria ka dalë nga komunizmi jo shume vite më parë. E angazhuar nëpër debate, lobime dhe fushata politike, ajo duket sikur po e kryen rolin e saj më së miri. E rëndësishme për t’u përmendur është dhe fakti se një pjesë e mirë e drejtuesve nëpër ministri janë femra.

Përsa i përket aspektit kulturor, vihet re që femrat janë aktivistet më të rregullta në aktivitete të ndryshme socio-kulturore. Shumë gra japin kontributin e tyre në muzikë, në të gjtha zhanret e saj, në valle popullore, modë, aktivizëm etj. Në bashkëpunim në këtë aspekt janë dhe organizatat jo-fitimprurëse të cilat aktivizojnë dhe nxisin grate që të angazhohen në aktivitete të ndryshme. Organizata të tilla si ato për fëmijët jetimë, për individë me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike , azilet e të moshuarve, organizata vullnetare të rinjsh, organizata për fëmijët autike , organizata që ofrojnë trajnime, kampe dhe udhëtime të ndryshme luajnë rol kyç për krijimin e një ndjesie emancipimi te grate dhe vajzat e reja.

Një fushë tjetër tepër e rëndësishme për zhvillimin e një shteti demokratik dhe të zhvilluar është edukimi. Në ndarje sipas profileve të ndryshme dhe grupmoshave vërehet një përqindje më e larte e grave në sektorin e e edukimit se në çdo sektor tjetër. Nëse në rastin e ciklit parashkollor të vegjëlit mësohen nga një edukatore, idealizmi në mendjen e tyre vazhdon edhe në moshë më të madhe duke pasur tendencën për të kërkuar mësuesen e tyre të vegjëlisë. Nëse në rastin e shërbimeve të ndryshme të ofruara ndaj klientit mund të vlerësohet me përafërsi me numrin e pjesëmarrësve të tyre, sipas statisktikave të vitit 2014 në shërbimin e rendit policor janë trajnuar 500 punonjës policie ndër të cilët në numër jo të barabartë ku dominonte elementi mashkull. Por, në shërbime të tjera si si posta shqiptare, OSSH, supermarkete, dyqane etj, verehet se grate kane më shumë tendencë që të punësohen. Ajo që u përmend dhe më lart është e pranishme kudo megjithëse punësimi i femrave dhe meshkujve është i ndarë në sektorë dhe profesione të ndryshme. Në disa profesione gratë janë më të favorizuara për t’u punësuar e në disa të tjera, meshkujt. Nga ky këndvështrim mund të themi se gratë janë relativisht të barabarta me meshkujt përsa i përket punësimit.Kategorizimi i punëve që gratë bëjnë është i ndarë në varësi të llojit të punës që ata bëjnë ku ata janë në punë më pak të paguara dhe më pak të lodhshme ndërsa burrat në punë më të rënda e shpeshherë, më të paguara. Ky klasifikim është disi diskriminues ndaj grave duke ulur potencialin dhe aftësitë e tyre por gjithsesi është vetë natyra njerëzore që e ka bërë këtë dallim.

Përfshirja e grave në fusha të ndryshme të jetës është shenjë e emancipimit të rolit të gruas në shoqëri si dhe të zhvillimit të personalitetit të tyre professional, shpirtëror dhe mendor. Dikur as që mendohej se një grua mund të ishte faturino autobuzi apo të drejtojë një biznes ose e anasjellta, që një burre të kujdeset për shtëpinë dhe për fëmijët. Rolet janë drejt përmbysjes. Sot, gratë e shikojnë veten duke i bërë ato gjëra që dikur thjesht i ëndërronin.

Duke u përpjekur të analizojmë disa raste në të cilat roli i grave ka ndryshuar mund të themi se është bërë një punë e madhe në ndryshimin e rolevedhe tendencës se mospranimit të grave në pozicione të ndryshme. Është për tu përmendur fakti se barazia gjinore në një shoqëri patriarkale është e vështirë për tu arritur por falë punës dhe politikave të duhura, mund të arrihet. Ndaj siç kemi thënë, Shqipëria është në një rrugëtim drejt ndryshimit për mirë dhe marrjes së masave ndaj këtij fenomeni dhe ndaj ndryshimit të koncepteve dhe mentaliteteve të vulosura prej kohësh në mendjen e popullit tonë.
Map 2015