Share

Shqipëria në moshën e internetit – Edison Xhakoni

Shqipëria në moshën e internetit

Nëse kërkohen të dhëna në internet dhe nuk gjenden, nuk do të thotë domosdoshmërisht që nuk ka të dhëna për çështjen mbi të cilën kërkohet. Për ta ilustruar duhet marrë një shembull, një personazh që kërkon e, çfarë, si dhe ku kërkon, çfarë gjen e çfarë nuk gjen, e kështu me radhë. Duhet një histori, pra. Dhe historia është e një studenti që kërkon ambjentet publike në shërbim të tij, ku mund të kalojë kohën e lirë, të merret me art, sport a çfarëdolloj aktiviteti jashtë fushës që studion, në Tiranë, në vitin 2012 të erës sonë. Kur dëgjohet të thuhet se në Tiranë ka ambjente të tilla, nuk ka pse të dyshohet. Gjithsesi, për t’i gjetur duhet kërkuar  pak, pasi fakulteti nuk jep të tilla, përveç bibliotekës dhe stolave të oborrit, nëse mund të konsiderohen.

Në internet informacionet janë ose munguese, ose të vështira për t’u gjetur. Në faqen e Ministrisë së Turizmit  Kulturës Rinisë dhe Sporteve nuk gjendet asgjë, e as në tirana.gov.al të bashkisë. Në faqen e Institutit të Statistikave informacionet kufizohen në disa rreshta, përveç komunikatave për shtyp, që prapëseprapë nuk janë aq të gjata dhe gjithsesi, nuk gjendet gjë mbi temën. E njëjta mungesë (ose fshehtësi) informacioni edhe në faqet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe universiteteve publike apo Qytetit Studenti.

 

Në këtë pamundësi, ku nuk përjashtohet mundësia e paaftësisë në kërkim, telefoni duket si alternativë, por rezultatet nuk ndryshojnë shumë; Ministria e Arsimit, Instat-i dhe Universiteti i Tiranës nuk janë të arritshëm nëpërmjet telefonit, bashkia përgjigjet por kërkojnë paraqitjen atje dhe nuk japin ndonjë informacion, ndërsa për drejtorinë e QS-së nuk gjendet as një numër telefoni. Studenti Telefonon një mik që banon atje, por as ai nuk di të thotë ndonjë gjë më tepër. Në  MTKRS e presin dy vajza mjaft të sjellshme dhe të gatshme të ndihmojnë, por nuk dinë t’u përgjigjen pyetjeve të tij. Ato i vënë në dispozicion një email dhe e drejtojnë tek një adresë ku do të duhej të ishin zyrat e Këshillit Rinor, por që apartamenti ishte në rikonstruksion dhe pas shumë trokitjesh derën e hap një punëtor tepër i sjellshëm, që s’di të thotë asgjë.

Personazhi i shkruan vajzës së ministrisë për t’i treguar që aty ku e drejtoi nuk kishte asgjë përveç një apartamenti bosh dhe për t’i kërkuar ndonjë informacion tjetër, duke i përsëritur pyetjet që i kishte bërë, por akoma nuk ka marrë një email përgjigjeje. I vetmi informacion i dobishëm dhënë prej vajzës së Ministrisë së Kulturës është ekzistenca e një qendre për fëmijë e të rinj, të quajtur Ten, vendosur në ambjentet e ish kinema Dajtit, për të cilën, çuditërisht, në faqen e bashkisë nuk gjendet asnjë e dhënë.Një qendër multifunksionale në varësi të Bashkisë së Tiranës në funksion që prej shkurtit 2010, që me sa duket ofron mundësi mjaft të mira, jo vetëm argëtimi. Në këtë qendër ka një sallë projektimi me kapacitet prej 130 personash, sallë leximi, prezantime librash, kurse aktrimi, vokali apo veglash muzikore, trajnime për spiker radiofonik, kurse kërcimi, kurse pikture, korridor ekspozimi, etj., dhe të gjitha këto falas! Nuk gjendet gjithsesi një faqe web e qendrës, ku të ketë informacione mbi aktivitetin e saj, përveç disa artikujve në faqe të ndryshme, që më së shumti janë shkruar me rastin e vizitave atje të kryebashkiakut të asaj kohe, dhe një profili në facebook, ku nuk ka asgjë! Megjithatë, kjo qendër duket të jetë ende në funksion, edhe pse ndoshta jo ashtu siç do të duhej të ishte.

Në faqen web të bashkisë ka edhe diçka me emrin Qendra Kulturore Tirana, por nuk ka informacion se çfarë është dhe nga cili institucion varet. Dhe nga dy numrat e telefonit që ndodhen aty përgjigjet vetëm zyra e financës, që normalisht nuk kanë pse i përgjigjen këtyre lloj pyetjesh.Jashtë internetit, mësohet që edhe Qyteti Studenti ka ambjente për të kaluar kohën e lirë, si bibloteka, ku mund të lidhesh edhe në internet falas, salla e lojrave, fusha e sportit, pavarësisht se e amortizuar si dhe salla interneti nëpër godina, me një çmim 40-50 lekë ora. Gjithashtu është vendosur edhe një ekran i madh në hyrje, kryesisht për t’u bërë të mundur studentëve ndjekjen e kampionatit europian të futbollit. Me shaka, ndonjë mik student, mund të thotë  që në QS ka edhe mitingje falas.

Të kërkuarit për atë që nuk është sjell ndoshta një prej zhgënjimeve më të mëdha. Por sjell edhe ndjesinë e të mos ndjerit i paaftë për mungesën e rezultatit. Kjo sepse në Tiranë, i vetmi ambjent publik, në funksion të riorganizimit shpirtëror e mendor të kujt ka dëshirë, është Ten-i. Të tjera nuk ka. Dhe nëse është dëshira për ta krahasuar këtë gjendje të kryeqytetit me atë të para rreth 25 vjetësh, nuk është mundësia. Në asnjë kënd të faqeve zyrtare shqip nuk gjenden të dhëna të tilla. Edhe nëse INSTAT-i i ka ato, në faqen e tyre ose nuk janë hedhur. Por problemi nuk është se nuk u gjet diçka që nuk ishte. Problem është mungesa e përgjithshme e informacionit shqip në internet, apo vështirësia në gjetje dhe paqartësia e tij. Vështirë është gjetja e një shtëpie me qera me çmim të përballueshëm, e literaturës didaktike për të thelluar studimet, e një libri artistik që mund të lexohet falas, një filmi apo kënge të viteve të shkuar, apo qoftë edhe një jetëshkrim i rëndomtë stil Wikipedia i një personazhi publik. Nuk ka informacion mbi programet studimore të universiteteve publike, ambjentet apo stafin akademik,  ku aplikantët e rinj të njihet paraprakisht me çfarë do të kenë të bëjnë. Nuk ka të dhëna mbi literaturën e përdorur për mësimdhënie e atë ku mbështetet kjo literaturë, çmimet e librave, mundësitë e shfletimit të tyre online, nuk ka asgjë.

Në Shqipërinë e moshës së internetit, nëse nuk zotëron njohuri të ndonjë gjuhe të huaj, ku anglishtja spikat, nuk ka shumë shanse të mund të ulesh në ndonjë “wireless zone” e, ndërsa kryen ritualin e pirjes së kafesë edhe të hapësh kompjuterin e të merresh me ndonjë gjë më të dobishme materialisht se rrjetet sociale apo muzika me videoclip. Sepse në Shqipërinë ku gjuhët e huaja kanë maksimumin e koefiçientit në provimet e pranimit për universitetet publike, ndërsa gjuha shqipe vetëm së fundmi është rifuturnëpër shkollat e mesme, gjithsesi e integruar me lëndën e letërsisë, me sa duket askush nuk e merr mundimin të përjetësojë në rrjet filmat e kinostudios “Shqipëria e Re”, muzikën e Marie Krajës apo festivaleve të RTSH-së, letërsinë e shkrimtarëve vendas që lihet jashtë teksteve shkollore, apo qoftë edhe biografitë e atyre artistëve a sportistëve që nuk jetojnë më, por që aq shumë i kanë dhënë këtij vendi. Ka shumë pak nga këto. Aq pak sa na bën të njohim shumë herë më mirë një këngëtar të muzikës country në Amerikë se një këngëtar të Festivaleve të Pranverës. Dikush ndoshta do të duhej t’ia qartësonte konceptin e internetit atyre që drejtojnë institucionet e kulturës. Një alternativë, mbetet vizitimi një e nga një i arkivave të Republikës. Dhe nëse nuk kërkon një film, por një edicion të festivalit folklorik, ku ka kërcyer gjyshi me ansamblin, as që bëhet fjalë të marrësh gjë. Si zgjidhje, le të mësohet masivisht anglishtja, se na duhet edhe më shumë tani që u liberalizuan vizat. Sa i përket pjesës shpirtërore, për çdo lloj nevoje kemi hollywood, youtube, wikipedia, imdb, utorrent, e shumëçka tjetër. Shqip? Filmat tek T-ja e digitalb-it ose tek Preza Tv, letërsia në bibliotekën publike, nëse mund të depërtohet përmes punonjëseve të zellshme, që s’lënë asnjë person të dyshimtë t’i afrohet dijes, dhe muzika e vjetër në kujtimet e prindërve apo në mëshirën e ndonjë drejtuesi emisioni televiziv, që fton këngëtarë të asaj kohe.