Share

Të presësh turistë mes llaçit e pluhurit. Vlora, kantier ndërtimi në sezon

Vlora nuk ka shpëtuar nga nga punimet në rrugë edhe në këtë sezon turistik. Ndërsa sezoni tashmë është çelur, qyteti bregdetar është shndërruar në një kantier ndërtimi.

Sapo del nga autostrada dhe hyn në Vlorë, qarkullimi vështirësohet. Kjo për shkak të punimeve në rrethrrotullimin e madh që kanë nisur tashmë që prej muajit prill.

Burime nga Bashkia e Vlorës bëjnë të ditur se aksi lidhës në rrugën trasballkanike me autostradën Levan -Vlorë është tërësisht i amortizuar. Në pamundësi për të  ndërhyrë në të gjithë këtë segment rrugor është gjendur zgjidhja provizore e ndërtimit të rrethrrotullimit.

“Projekti u pezullua për shkak të mospagesës së kompanive kontraktore. Për të gjetur një zgjidhje provizore, është përcaktuar të ndërtohet një rrethrrotullim, ndërsa po punohet pa përcaktuar afate zyrtare të përfundimit të punimeve”, shprehen burimet e mësipërme.

Ndërkaq qytetarët tregojnë se rrethrrotullimi u la për shumë kohë i prishur, duke krijuar pluhur dhe vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Pasi rruga ishte shumë e amortizuar, me gropa të thella e të shpeshta. “U la shumë kohë i prishur. Po punohet muajt e fundit. Unë mendoj se është një lidhje e shkurtër që bëhet për momentin”, shprehet një nga banorët e zonës.

Por ky nuk është kantieri i vetëm në qytetin bregdetar. Që prej marsit punimet kanë nisur edhe në bulevardin “Ismail Qemali”, kryesori në Vlorë, me qëllim rikonstruksionin e plotë të tij. Kjo ka sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve, duke shkaktuar trafik, por edhe vështirësi në devijimin e lëvizjes së makinave, për pushuesit e fundjavës, por edhe turistët që tashmë kanë filluar të zbarkojnë në Vlorë.

“Duke përmirësuar infrastrukturën, të kemi dhe në vazhdimësi mundësi të tjera për të bërë investime të tjera dhe më të mira”, deklaroi në periudhën e çeljes së punimeve, Dritan Leli, kryetar i Bashkisë së Vlorës.

Punimet në bulevard kanë bllokuar qarkullimin në këtë zonë, i cili devijohet në akse paralele. Banorët ankohen për zhurrmat e pluhurin, teksa shpresojnë që të dalë të paktën i bukur dhe me punime cilësore. “Problem e kemi, po ç’të bëjmë? Ta paktën të dalë mirë. Nuk është se u zhvilluan konsoltime me ne si banorë, por ne presim të bëhet më e mira”, shprehet një zonjë, banore e zonës.

Shqetësim punimet në bulevardin “Ismail Qemali” kanë shkaktuar edhe tek bizneset në dy anët e tij. “Nuk po punojmë fare”, shprehet shitësja e një dyqani veshjesh.

Ne u interesuam në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës në internet për të mësuar më shumë mbi projektin, investimit, si dhe afatet e përfundimit të punimeve. Por informacioni i vetëm që del janë fotot sesi do të jetë bulevardi kur të përfundojë, si dhe historiku i tij.

“Bulevardi i ri do të ketë një pamje moderne, ku do të dominojë gjelbërimi dhe mjediset çlodhëse dhe argëtuese. I gjithë rrjeti inxhinjierik i bulevardit do të bëhet super modern dhe një ndriçim ekselent. Parku do të shtrihet deri te shkallët e varrezave të dëshmorëve. Në të gjithë gjatësinë e bulevardit do të ketë gjelbërim, sheshe çlodhje dhe vende për koncerte”, theksohet në website-in e Bashkisë dhe më pas vijohet me historikun.

Ndërkaq mësohet se projekti i bulevardit “Ismail Qemali” financohet nga qeveria shqiptare, në kuadrin e Programit Kombëtar për Rilindjen Urbane dhe Banka e Këshillit të Europës dhe po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Në fazën e parë është parashikuar rindërtimi i Bulevardit kryesor nga rrethrrotullini pranë qendrës tregtare “Riviera” deri në kryqëzimin e Bulevardit Kryesor me rrugën “Petrit Bisha”. Bllokimi pjesor i Bulevardit dhe devijimi i lëvizjes së mjeteve është parashikuar të fillojë në segmentin rrethrrotullimi pranë qendrës tregtare “Riviera” deri në kryqëzimin e bulevardit me rrugën “Gjergj Arianiti”.

Përgjatë këtij segmenti lëvizja e mjeteve do të jetë e ndaluar, ndërsa lëvizja e këmbësorëve do të kufizohet në gjerësi 2-2.5 m nga objektet e bizneseve përgjatë këtij segmenti. Punimet pritet të zgjasin 15 muaj dhe sipas kontratës, bulevardi të jetë gati në muajin maj të 2019-ës.

Deri atëherë, qytetarët e Vlorës dhe turistët e shumtë do të përdorin rrugë alternative. Edhe këtë sezon, Vlora do të ofrojë plazhe të bukura, ushqim të mirë e trafik të garantuar!

 Punuan: Studentët e Multimedia Activism Platform (map.mjaft.org)