Share

Tregjet e braktisur në Shkodër, aty ku qumështi dhe ushqimet e tjera shiten në rrugë

Bidonat e qumështit përtokë, frutat dhe perimet mbi tezga në qiell të hapur, djathi dhe produktet e tjera të bulmetit anës rrugës, mbi tavolina të sajuara me dërrasa. Njerëz, biçikleta, motora, makina të vogla e të mëdha, që krijojnë pluhur teksa bien në gropat e rrgës. Është kjo panorama në dy nga tregjet më të mëdha të qytetit të Shkodrës, atë të “Rusit” dhe të “Zdrales”. Një shqetësim i përhershëm i banorëve, që blejnë në këto tregje, pasi nuk dinë ku të shkojnë tjetër.

Jashtë çdo kushti minimal për ruajtjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore, këto tregje rrezikojnë çdo ditë jetën e shkodranëve. Kjo pasi ushqimet janë në mes të pluhurit dhe nxehtësisë, çka i bën ato të pasigurta në rast se konsumohen nga qytetarët, ashtu siç ndodh fatkeqësisht çdo ditë. “Nuk na bën më përshtypje. Nuk dimë nga të ruhemi më parë”, shprehet një zonjë që sapo ka blerë domate në një nga tezgat.

“Perimet janë problem. Kanë pesticide. E çova djalin në spital para pak kohësh se m’u helmua. Perimet e kanë fajin, nuk janë të sigurta”, thotë një tjetër qytetar, që duket se problemet me ushqimin i gjen vetëm tek mënyra sesi kultivohen dhe jo edhe tek shitja e tyre.  “Keq është tregu. Por ç’të bëjmë? Vijmë i blejmë këtu se i gjejmë edhe më lirë.”, shprehet një pensionist, që e bën shpesh pazarin në tregun e Rusit.

Tregtarët nuk duan të flasin. Ata kthejnë kurrizin ose ulin kokën teksa i pyesim se përse shesin në këto kushte dhe a janë të vetëdijshëm se po rrezikojnë të tjerët. I gjen çdo ditë të ulur mbi stola, me bidonat e qumështit përpara apo me produktet e tjera. Me shumë përpjekje arrijmë të komunikojmë me dy prej tyre, që na tregojnë se detyrohen që të qëndrojnë këtu e në këto kushte, pavarësisht dëborës që bie mbi stendat e vjetra të tyre në dimër, të ftohtit që i “rreh” ngado në këtë stinë apo vapës përvëluese në verë, pasi nuk kanë formë tjetër për të siguruar ushqimin për familjet e tyre. Këtu mund të shesin, këtu i lënë.

Bashkia e Shkodrës duket se nuk i ka në vëmendje tregjet e qytetit. Në website-in e saj në internet nuk gjen asnjë projekt për investimet në tregje, as konsultim publik me qytetarët për këtë cështje. Madje, edhe në Programin Buxhetor Afatmesëm 2018 – 2020 të Bashkisë së Shkodrës ka vetëm dy fjali për tregjet. Në parashikimin e shpenzimeve për periudhën 2018-2020 theksohet si një ndër prioritetet “Ngritja dhe funksionimi i tregjeve publike dhe të rrjetit të tregtisë”, ndërsa më në brendësi të dokumentit nuk ka detaje, por vetëm theksohet se do të bëhet ndërtimi dhe mirëmbajtja e tregjeve të reja.

Ekspertët në këtë qytet apelojnë bashkinë të ndërhyjë, pasi situata nuk mund të tolerohet më. Hamdi Mlloja, inspektor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër shprehet për median se shpresohet në një bashkëpunim më të mirë mes bashkisë dhe AKU-së. Sipas tij, pushteti vendor duhet të marrë masa dhe të ketë fonde për këto tregje. “Duhet eleminuar dukuria e shitjes të produkteve në rrugë apo trotuare”, thotë Mlloja.

Rreth një vit më parë, kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi deklaroi se janë 2 variante për rehabilitimin e tregjeve: varianti i parë ka të bëjë me tregun publik, ndërsa variant i dytë me Partneritet Privat. Pavarësisht premtimeve, ende nuk është bërë asgjë.

Koha kalon dhe nga mandati aktual i të zgjedhurve vendorë ka mbetur edhe 1 vit. Ndërkaq, shkodranët vazhdojnë të ushqehen me produkte që zhurriten në mes të diellit, bëhen pis nga pluhuri dhe shiten buzë rrugëve, duke rrezikuar çdo ditë shëndetin e tyre.

“Siguria ushqimore është element i sigurisë kombëtare”. Është ky slogani i ri i qeverisë, në përpjekjen e saj për t’i bërë produktet ushqimore më të sigurta. Fatkeqësisht, Shkodra është shumë e pasigurtë në këtë drejtim!

 Punuan: Studentët e Multimedia Activism Platform (map.mjaft.org)