Share

Universiteti i Elbasanit – Brikena Sallo

Universiteti i Elbasanit!
Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan është folur vazhdimisht për korrupsionin, se fundmi pasi është bërë edhe një arrestim i një pedagogu në flagrancë.
Por rastet janë të shumta, po të investigosh më tej e të pyesësh studentët apo të dëgjosh bisedat e tyre do të ngelesh pa fjalë nga rastet që përsëriten në forma dhe variante të ndryshme.
Në fokus do të vija një nga “pedagogët” e anglishtes në këtë Universitet. Një ndër “pedagoget” e kësaj lënde është pa “komplekse” përsa i përket kërkimit të një ryshfeti për një notë kaluese. Ajo i kërkon lekët troç studentëve, shprehen këta të fundit për rastin në fjalë.
Proçedura për marrjen e ryshfetit ndodh kështu. Pas provimit me shkrim, ajo i thërret në provimin me gojë. Gjatë pyetjeve me gojë studentët hyjnë një nga një sipas radhës. Pasi e pyet studentin, e bën të ndihet në faj që nuk di mjaftueshëm sa për të marrë notë kaluese në këtë lëndë prandaj i thotë: “Dil jashtë, mendohu se sa të rrezikon anglishtja dhe eja pastaj”. Konfuz studenti del jashtë dhe pret aty (po flasim për studentin që pyetet i pari). Më pas e njëjta gjë ndodh edhe me disa të tjerë. Studentët e kuptojnë mblidhen dhe zgjedhin një negociues. Ai që ka qenë “i preferuari i pedagoges”. Pasi vendosin një shifër studentët, hyjnë dhe e pyesin “pedagogen” nëse është në rregull me aq lekë. Bëhet fjalë për 70 mijë lekë të vjetra. Studentët mbledhin shifrën, emrat dhe ia japin “pedagoges” në zarf. Mbyllet provimi dhe proçesverbali del të nesërmen në sekretari. Ata që nuk kanë paguar ngelen. Të tjerët marrin 5, notë kaluese, ndërsa negociuesi merr 7 ose 8, në rastin konkret mori 8. Ky është një rast konkret i treguar nga një student që ka qenë pjesë e këtij sistemi, por si ky ka plot të tjerë madje edhe më të rëndë, pasi Diploma sot mund edhe të blihet.
Këtu fillon kompleksi zinxhirë tek besueshmëria e Universiteteve tona, tek besueshmëria e diplomës, përgatitjes së të sapo diplomuarve etj. Vlerat arsimore nuk janë më në piedestalin e dikurshëm për të marrë atë që meritoje dhe të tregoje aftësitë e tua në çdo rast që mund të dilte përpara. Sot e drejta për tu arsimuar blihet, notat gjithashtu, diploma madje dhe vendi i punës mandej. Ky proçes është me hallka të kalbura dhe ato mund të këputen nga momenti në moment dhe të krijon vështirësi për ata që nuk kanë në dorë forcën e parasë.