Share

Vidh Dijen, Jo Dëshminë – Edison Xhakoni

Vidh dijen, jo dëshminë!

Të shkosh në universitet do të thotë të bësh një investim afatgjatë. Sigurisht që investime të tilla është më mirë t’i bësh në një institucion të besueshëm e me përvojë dhe në Shqipëri, ata që shihen si të tillë janë universitetet publike në përgjithësi dhe ai i Tiranës në veçanti, që është edhe më i kërkuari. Por të regjistrohesh në një universitet publik, flasim gjithmonë për Shqipërinë, mbart me vete pasoja që maturantët nuk janë të pjekur sa duhet, por mbi të gjitha as të informuar sa duhet për t’i kuptuar.
Universitetet publike, nga institucione edukimi dhe gjeneratorë elitash drejtuese të vendit, që si rregull duhet të ishin, janë kthyer në institucione abuzimi dhe gjeneratorë profesionistësh të paformuar e aspak të gatshëm për t’u përballur me problemet praktike që kërkon vendi i punës. Sepse formimi i studentëve është i pamjaftueshëm. Për ta vërtetuar këtë mund të gjenden shumë shembuj (ashtu si edhe kundërshembuj, sigurisht!), më së shumti shembuj mungese të të diplomuarve të viteve të fundit në Shqipëri në struktura drejtuese të shoqërisë shqiptare. Pothuajse të gjithë politikanët e brezit të ri të paktën një pjesë të studimeve të tyre i kanë kryer në perëndim. Vetë politika e qeverisë shqiptare për rekrutimin e administratës, në mënurë paradoksale, u jep përparësi atyre studentëve që janë shkolluar jashtë vendit, veçanërisht në perëndim, kundrejt të rinjve që shkollohen në atdhe. E paqartë në këtë sjellje është nëse kjo bëhet, sepse hartuesit e politikave të shtetit janë të ndërgjegjshëm për nivelin e universiteteve të vendit, apo për t’i nxitur studentët të arratisen në ndonjë universitet jashtë vendit, në mënyrë që të mund të sigurojnë një vend pune të denjë. Dhe kjo për kushedi ç’qëllime. Dyshimi tjetër është nëse universitetet, veçanërisht ato publike, lihen qëllimisht në këtë gjendje apo ka një paaftësi në sistemin e kontrollit të tyre, por fakti është se gjendja nuk është aspak inkurajuese. Niveli i përgjithshëm i studentëve, duke mbajtur parasysh të gjitha përjashtimet e rastit, që kryesisht janë talente natyrale, është i dobët. Banka e Shqipërisë është një institucion që rregullisht rekruton për nevojat e saj një numër studentësh të matematikës, që përfundojnë masterin shkencor pranë Universitetit të Tiranës. Ata merren për një periudhë prove rreth gjashtë mujore dhe në përfundim të saj pjesa dërrmuese e tyre nuk mbahen në punë. Gjithashtu edhe fakulteti që i nxjerr këta studentë mban disa prej tyre, ata me rezultatet më të mira si asistentë ose pedagogë të jashtëm. Edhe këtu pas përfundimit të vitit akademik kontratat rinovohen vetëm për një numër shumë të vogël prej tyre. Të tjerët lihen jashtë. Në të dyja rastet arsyeja është e njëjtë: mungesa e aftësive të nevojshme që kërkon pozicioni i punës. Pra edhe njëherë kthehemi tek formimi i pamjaftueshëm i studentëve.
Përballë një situate ku një investim prej të paktën pesë vjetësh jete, përkushtim e lodhje rrezikon të kthehet në një copë letër të pavlefshme në tregun e punës dhe që nuk të siguron dot as minimalen e jetesës pa njohjet “e duhura”, lind nevoja për gjetjen dhe korrigjimin e shkaqeve. Duke e kthyer shikimin nga auditoret e shkollës, mendoj se gjithkush mund të arrijë në përfundimet e tij.

Ka një nocion që quhet “korrupsion” dhe kufizohet gabimisht në dhënien e parave nën dorë ndonjë zyrtari, mjeku apo profesori kur këta i kërkojnë në shkëmbim të shërbimeve të tyre. Ka edhe një tjetër lloj korrupsioni që është ndoshta edhe më i keq se i pari. Dhe ky është ofrimi i këtyre parave, pa i kërkuar njeri. Nëse një pedagog i vë studentin një notë jokaluese, ky studenti nuk duhet të trokasë në zyrën e pedagogut dhe t’i kërkojë një tjetër vlerësim, duek i ofruar ç’të mundet. Kjo mënyrë të vepruari shkakton rënien e nivelit të shkollës, marrjen e notave të pamerituara që kurorëzohen me një diplomë sa për ta varur me kornizë, por që realisht nuk vlen asgjë, sepse nuk vërteton asgjë. Është praktikisht e barazvlefshme me një diplomë të falsifikuar. Dhe ndaj kësaj mënyre të vepruari duhet të reagojnë vetë studentët, sepse janë ata të parët të interesuar për një shkollim cilësor, që nesër të konkurrojnë me shanse të njëjta me një student që kthehet nga Europa për një vend të denjë pune. Fundja profesorët e kanë mbarur shkollën e tyre, e kanë edhe vendin e mirë të punës dhe s’kanë pse të mos mbledhin edhe ca para shtesë për pensionin. Pasojat i vuajnë studentët, që mendojnë se po u bëhet nder kur u jepet apo shitet një notë e pamerituar. Dhe është fatkeqësi që kjo mënyrë të menduari nuk konsiderohet e turpshme prej të rinjve, përkundrazi. Ai që blen notën dhe ai që kopjon nëpër provime konsiderohen si të aftë, kurse ai që i refuzon këto duke preferuar të përsërisë vitin (ndonjë rrallë) etiketohet me terma fyes. E në fakt duhet të ishte e kundërta dhe sa më parë të kuptohet kjo aq më shpejt gjërat do të rregullohen.